TIRANE - Mbrëmjen e djeshme në Tiranë, këngëtari Arkimed Lushaj, i njohur si Stresi, është shndërruar në një 'hero', pasi ka arritur të shpëtojë nga flakët një foshnjë 11 muajshe. Ngjarja ka ndodhur në një pallat në zonën pranë Medresesë, ku një apartament në katin e tretë është përfshirë nga zjarri.

Teksa të gjithë prisnin të mëbrrinte zjarrfikësja, këngëtari Stresi ndërmori një veprim të rrezikshëm duke u futur në apartament nga kati i katërt. Në videon e siguruar nga Shqiptarja.com, duket momenti kur reperi arrin të shpëtojë foshnjën, ndërsa dëshmitarët e përgëzojnë me duartrokitje.  

Ngjarja u filmua nga disa djem të lagjes, të cilët arritën ta shuanin zjarrin me bombulat anti-zjarr që ndodheshin në një pikë bastesh poshtë pallatit. Në momentin që mbërriti  zjarrfikësja, zjarri ishte shuar.

Sipas dëshmitarëve,  shkak i zjarrit ishte një shkëndijë elektrike në karikuesin e mini-barit në apartament, i cili shkaktoi flakë por kryesisht shumë tym.

Ata shprehen se pasi dëgjuan të qarat e fëmijës dhe panë tymin e madh, u ngjitën në apartament dhe i ranë ziles por askush nuk e hapi. Prindërit e fëmijës nuk ndodheshin në në apartament në momentin e ngjarjes, dhe e kishin lënë foshnjën të vetme në banesë.
(er.nu/shqiptarja.com)