Në stadiumin "Carlo Castellani" Empoli nuk mundi të marrë pikë në shtëpi, teksa humbi 0-3 me Atalantën, sfidë kjo e vlefshme për javën e dhjetë në Serie A. Berisha dhe Gjimshiti ishin kundërshtarë nga minuta e parë, teksa në të 63 minutë në fushë u fut edhe Ardian Ismajli te Empoli. Ndeshja u zhbllokua shpejt, me Scamacca që kaloi bergamaskët në avantazh pas pesë minutave lojë. Në të 29 minutë ishte Koopmeiners që dyfishoi për miqtë, me pjesën e parë që u mbyll me këto shifra. Duhej sërish Scamacca që në të 51 minutë të shënonte golin e tretë të ndeshjes dhe dopietën personale, për t'i dhënë një sukses të merituar në transfertë Atalantës. Me 19 pikë, Atalanta shkon në vendin e katërt në renditje, ndërsa Empoli me shtatë pikë mban vendin e 18-të.