Njëri prej organizatoreve të protestës së djeshme antiqeveritare në Shkup, Petrit Saraçini, për emisionin “Rrokum Rroll” të TV Rrokum, tha se kjo protestë ishte organizuar nga shoqëria civile duke potencuar se elita politike shqiptare merret më shumë me interesa personale dhe janë servilë ndaj politikave të Gruevskit. 

Ai ka thënë se partitë në Maqedoni vetë shkaktojnë incidente, siç ishte rasti i ndërtimit të kishës. “Natën partia e Gruevskit e ndërtonte kishën për të nxitur ndjenjat nacionaliste të maqedonase, derisa BDI, si servile e tyre thoshte me rrëzue për të fituar vota te shqiptarët”. 

Saraçini tha se mediat në Maqedoni kanë dështuar në pavarësimin e tyre duke shtuar se pothuaj të gjitha janë të politizuara. “Maqedonisë duhet t’i kthehen postulatet e demokracisë, si: gjyqësori, administrata, e ku shoqëria civile shqiptare duhet ta japë kontributin e madh”.

Saraçini ka paralajmëruar se shoqëria civile do të organizohet deri në atë masë, ka me u organizue ne atë masë sa që do ta marrë politikën shqiptare në dorë, ku do ta aktivizojë krejt elitën politike shqiptare e cila deri më tash ka qene e lënë pas dore.

Sipas Saraçinit, partitë shqiptare, BDI e PDSH janë “dashnore të Gruevskit”, duke shtuar se njëra del hapur, kurse tjetra fshehurazi në krah të Gruevskit.

“Pa shqiptar nuk do të ketë shtet të Maqedonisë”, tha ai, duke potencuar se shqiptarët që janë bërë bashkë me Zaevin për ta rrëzuar Qeverinë do të jenë të barabartë në realizmin e të drejtave qytetare dhe nacionale. /Telegrafi/

Redaksia online
(f.m/sghqiptarja.com