Arsenal humbi 1-3 me Manchester City-n mbrëmjen e së mërkurës, me ‘Topçinjtë’ që i lënë kreun e Premier League djemve të Guardiolës. Dueli në “Etihad Stadium” ishte i luftuar dhe veç katër golave të shënuar kishte edhe tension në fushë.
Në minutën e 51 të takimit, fantazisti i Cityt, De Bruyne u përplas me trajnerin e Arsenal. Mikel Arteta ka dashur të marrë topin në zonën e tij, ndërsa belgu kërkoi të niste ndeshjen me shpejtësi. Në të tilla kushte lojtari i “Qytetarëve” i dha një të shtyrë trajnerit, me Granit Xhakën që duket gati për të sulmuar. Me ndeshjen që në ato momente ishte 1-1, situata kaloi pa shumë konfrontime. Duket se një gjë e tillë nuk i ka pëlqyer as Guardiolës, që ka një miqësi të hershme me Artetën.