Real Madridi u eliminua nga Champions League në fazën çerekfinale. Paçka se kaluan tre herë në avantazh kundër Bayern Munich, të mërkurën në 'Allianz Arena' gjermanët përmbysën rezultatin dhe fituan 4-3 në një ndeshje spektakolare që solli shumë polemika për gjykimin.

Në minutën e 78 kryesori Slavko Vincic ndëshkoi me karton të verdhë mesfushorin e Realit, Eduardo Camavinga, kjo pas një ndërhyrje të fortë. Me rezultatin e 'mbërthyer' në 2-3 dhe me ndeshjen që do i drejtohej shtesës (për shkak të rezultatit të përgjithshëm 4-4), Camavinga bëri një veprim jo sportiv duke marrë topin me vete pas një faulli, për të vonuar lojën.

Kaq i mjaftoi arbitrit slloven Slavko Vincic që t'i jepte kartonin e dytë të verdhë dhe ta përjashtonte nga loja mesfushorin e Realit, ndërsa më pas Bayern Munich shënoi edhe dy gola të tjerë për të fituar 4-3.

Pas fërshëllimës së trefishtë dhe eliminimit, lojtarët e Real Madridit protestuan ashpër në drejtim të arbitrit, duke e rrethuar dhe shoqëruar sllovenin me ofendime deri pranë vijës së daljes nga fusha, ndërsa një karton i kuq nuk mungoi për protesta as për Arda Guler.

Në konferencën për mediet, trajneri i Real Madridit, Alvaro Arbeloa tha se kartoni i kuq për Camavingan ishte i pashpjegueshëm.

"Jam krenar për lojtarët e mi, dhanë maksimumin, luftuan për klubin dhe fanellën, meritonin më shumë. Bëmë një ndeshje shumë të mirë kundër një skuadre të madhe, patëm mundësitë tona edhe në pjesën e dytë. Ata ushtruan shumë presion ndaj nesh, por ne ishim aty, shumë pranë. Kur humbet një ndeshje në këtë mënyrë, askush nuk mund të jetë i kënaqur, jemi shumë të zemëruar dhe të zhgënjyer.

Kartoni i kuq? Jemi shumë të zemëruar dhe shumë të zhgënjyer. Mendoj se ishte një ndeshje e madhe nga të dyja skuadrat, e barabartë. Pastaj, pas kartonit të dytë të verdhë për Camavinga, gjithçka mori fund. Është e pabesueshme, askush nuk mund të shpjegojë si mund të përjashtohet një lojtar për një episod të tillë", tha Arbeloa.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 16 Prill, 10:55

    A e keni siguruar banesën tuaj kundër zjarrit?