Skuadra e Dinamos është vetëm dy ndeshje larg një suksesi historik në arenën evropiane. Pas eliminimit të Audas, presidenti Adrian Bardhi u fut në dhomat e zhveshjes me një qese të zezë ku në të kishte mijëra euro bonus për futbollistët. Veç kësaj, në rast se Dinamo kalon qipriotët e Pafos dhe merr biletën për në fazën e ligës së Conference League, shpërblimi për futbollistët dhe stafin do të jetë 500 mijë euro.

Pas fitores bindëse 4-0 ndaj Audas, festa e Dinamos vazhdoi edhe në dhomën e zhveshjes. Një video e publikuar në rrjetet sociale ka marrë vëmendje të madhe, teksa shfaq presidentin e klubit, Adrian Bardhi, duke hyrë në dhomën e futbollistëve me një çantë dhe një qese në duar.

Pak sekonda më vonë, u zbulua edhe përmbajtja e saj. Bardhi hapi qesen dhe hodhi në dysheme disa tufa me euro, duke shkaktuar festë të madhe mes lojtarëve.

Por surpriza nuk mbaroi me kaq. Presidenti i Dinamos u premtoi futbollistëve një bonus prej 500 mijë eurosh, nëse skuadra arrin të eliminojë Pafos dhe të sigurojë kualifikimin në fazën e ligës të Conference League.

Presidenti Bardhi ka zgjedhur t'u shpërndajë futbollistëve paratë 'cash' nga qesja, duke shmangur llogaritë bankare, çka shton dyshimet për këto të ardhura.

Tashmë, gjithçka vendoset në përballjen me qipriotët. Dinamo do ta presë Pafos më 20 gusht në “Elbasan Arena”, në ndeshjen e parë të “play-off-it", ndërsa sfida e kthimit do të zhvillohet më 27 gusht në Qipro.