PERU, Lima - Të paktën një person ka vdekur dhe 47 të tjerë janë plagosur në stadiumin 'Alejandro Villanueva', shtëpia e ekipit peruan Alianza Lima, gjatë një tubimi tifozësh që rezultoi në një rrëmujë fatale, raportoi agjencia spanjolle e lajmeve 'EFE'. Numri i të vdekurve u konfirmua nga Ministri i Shëndetësisë i Perusë, Juan Carlos Velasco.

Raportet fillestare treguan se një mur në tribunën jugore të stadiumit, i njohur si 'Matute', ishte shembur. Ky raport u mohua më vonë nga zjarrfikësit, të cilët deklaruan se struktura e stadiumit është në gjendje të mirë dhe se asnjë mur nuk është shembur.

Sipas ministrit Velasco, tifozët e ekipit të Alianza Limës "shtynë njëri-tjetrin" gjatë tubimit, duke rezultuar në "një rezultat fatal". Tifozët kishin organizuar një paradë, një tubim festiv dhe masiv për të mbështetur ekipin e tyre në prag të derbit kundër Universitario.

Tanimë në Peru është ngritur debati mbi kushtet e sigurisë dhe infrastrukturën në stadiume, pasi siç raportohet, mijëra tifozë kishin vetem një derë për të hyrë dhe asnjë dalje emergjente. Në pamje duken futbollistët në fushë që vendosin duart në kokë për ato që po shohin.