Emisioni ‘Repolitix’ i gazetarit Denis Minga shënon një tjetër rekord audience mbrëmjen e së mërkurës. Publikimi i videos ekskluzive të momentit të vrasjes së Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës nga gazetari i Report Tv Artan Hoxha dhe dëshmia e babait të Zamir Latifit, Fatos Latifi kanë mbërthyer përpara ekranit mijëra shqiptarë.
Sipas kompanisë Telemetriks, e vetmja që mat audiencën e televizioneve shqiptare, Report Tv që nga momenti kur nisi emisioni dhe deri sa përfundoi ishte i dyti më i ndjekur në rang kombëtar. Siç shihet edhe nga grafiku matës i Telemetrikës, Report TV ka lënë pas televizionin kombëtar Top-Channel sëbashku me gjithë televizionet e tjera informative në vend.
Audienca në Report TV krahasuar me televizionet e tjera kombëtare dhe informative
Të ftuarit e Denis Mingës mbrëmjen e djeshme përveç gazetarit Artan Hoxha dhe babait të Zamir Latifit duhet të ishin edhe gazetari tjetër i kronikës, Poli Hoxha dhe ish-derejtuesi i Policisë, Arben Hajdarmataj.
Gjatë emisionit u publikuan edhe fotot e kohëve të fundit të Laert Haxhisë dhe Orges Bilbilit, të cilët janë autorët e vrasjes së Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës në 2017 ne Lushnje. Laert Haxhia pas vrasjes së dyfishtë në Lushnje u pajis me pasaportë nga drejtoria në Fier, pavarësisht se ishte në kërkim duke shënuar një skandal.
Në videon e siguruar nga gazetari i Report Tv, Artan Hoxha dukej momenti kur Laert Haxhia dhe Orges Bilbili, hapin zjarr me automatik në lokal duke vrarë dy të rinjtë, ndërkohë që objektivi ishte Xhulio Shkurti, që në atë moment nuk ndodhej në vendin e ngjarjes. Pas vrasjeve, autorët i ka larguar me shpejtësi rrufe një person i tretë me një makinë tip Benz, ndërsa edhe njerëzit që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes ikin me vrap për të shpëtuar nga plumbat.
Nga ngjarja mbetën të vdekur Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, ndërsa u plagosën Marius Xhepexhiu, pronar i lokalit ku ndodheshin dy viktimat si dhe një kalimtar. Atentati kishte lidhje me ngjarjen e datës 25.09.2016 ku është tentuar të vritet me armë zjarri nipi i Aldo Bares, Xhulio Shkurti, por në rastin e dytë dështuan. Për këtë ngjarje Haxhia ishte në kërkim, pasi ishte dënuar me 24 vite burg në mungesë, ndërsa vrau edhe dy persona të tjerë. Autorët janë në kërkim, ndërsa pak ditë më parë RENEA dhe FNSH rrethuan një banesë fshatin Rremas në Divjakë, pasi dyshuan se fshiheshin aty, por në përfundim të operacionit mbeti i plagosur një i moshuar, ndërsa autorët nuk u gjendën.
Gazetari i Report Tv, Artan Hoxha u shpreh se dy personat që janë në kërkim vijojnë që të rrinë në Lushnje, pasi kanë garanci që nuk do të kapen. Ai tha se dy të rinjtë janë vrarë aksidentalisht, pasi objektivi ishte Xhulio Shkurti.
Kjo është hera e tretë nga fillimi i sezoni i ri, që emisioni Repolitix renditet i dyti në rang kombëtarë, duke shënuar një rekord audience falë përkushtimit dhe impenjimit të gjithë stafit të Report Tv.