DURRES - Shumë pushues të huaj dhe vendas kanë zgjedhur bregdetin shqiptar, për të kaluar këtë sezon veror, në një kohë kur ndodhemi në kulmin e tij. Megjithatë, një video që po qarkullon së fundmin në internet, nuk ka të bëjë aspak me karakteristikat që ofron bregdeti ynë, por me një të ri që ka zgjedhur të bëhet shqetësim për pushuesit e qytetit të Durrësit.
 
Video në fjalë, e sheh të riun me një motorr tip “T-Max 500” me targa AC 694 në një nga rrugët kryesore të qytetit bregdetar, teksa xhiron gomat në mes të saj, duke krijuar jo vetëm tym dhe ndotje, por edhe duke u kthyer kështu në një shqetësim për banorët si dhe një problem edhe për lëvizjen e makinave.
 
Menjëherë pas denoncimit të bërë nga A1 Report, policia njoftoi se është arrestuar drejtuesi i motorrit. Ai është Arjan Bruka 28 vjeç, lindur në Burrel dhe banues në Nishtulla të Durrësit.
 
Sipas policisë, krahas zhurmës së krijuar mbrëmjen e djeshme me motorr, ai e ngiste atë edhe pa leje drejtimi.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)