Një grua e guximshme Siriane ka arritur që nëpërmjet një kamere të fshehtë nën rrobën e saj të tregojë realitetin e tmerrshëm nën shtypjen e xhihadistëve të ISIS. Videoja është xhiruar brenda qytetit verior të Sirisë Raqqa, i cili prej muajsh është nën kontrollin e ISIS.
 
I gjithë qyteti duket i mbushur me militantë të ISIS të gjithë të armatosur që mbajnë nën kontroll qytetarët duke kontrolluar çdo lëvizje. Pamja më shokuese në këtë video është një grua që mban në krahë një automatik kallashnikov, ndërsa për dore mban një fëmijë që po e dërgon në parkun e lodrave.
 
Ndonëse e veshur me rrobën e tyre tradicionale, ferexhenë, të mbuluar nga koka tek këmbët, një nga militantët që patrullon nëpër qytet e pikas gruan dhe e thërret për t’i thënë që të sillet më mirë.
 
Kur ajo e habitur e pyet përse, ai i thotë se: ‘Mund të të shikojmë fytyrën. Duhet t’i kushtosh më shumë kujdes mbulimit. Zoti i do femrat që mbulohen’. Gruaja aprovon me kokë dhe largohet, duke kryer kështu një mision ku rrezikon jetën e saj për t’u treguar të gjithëve sesa e tmerrshme është të jetosh në një gjendje të tillë terrori.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)