Lokomotiva e një treni mallrash ka dalë nga shinat pasditen e së Enjtes duke bllokuar për orë të tëra lëvizjen mbi shina në zonën e Grizhës, në Malësi të Madhe.
 
Treni i mallrave i ngarkuar në stacionin ndërkombetar të Podgoricës me material ndërtimi për fabrika në Tiranë ka dalë nga shinat ndërsa po lëvizte drejt kryeqytetit.
 
Shpejtësia e ulët e lëvizjes ka shmangur pasoja më të rënda në këtë ngjarje hekurudhore që nuk regjistroi të lënduar mes drejtuesve të trenit, po vetëm dëme materiale të lokomotivës dhe linjës. 
 
Grupet e punës me specialistë të hekurudhës kanë shkuar shpejt në vendin e ngjarjes, duke punuar për orë të tëra për kthimin në normalitet të linjës.
 
Përveç amortizimit të linjave hekurudhore, specialistët thonë se ngjarja më e fundit u shkaktua nga vjedhja e pllakave lidhëse të shinave.
 
Prej vitesh vjedhja e elementëve/aksesorëve të linjës së hekurt nga persona të papërgjegjshëm që veprojnë në emër të fitimit të vogël personal është kthyer në problem serioz për sigurinë e qarkullimit mbi shina, ndërkohë që Hekurudhat Shqiptare përballen edhe me mungesën e investimeve për rehabilitimin e linjave.


[gallery]20976[/gallery]


dy.b/shqiptarja.com