Shifra 10 miliardë euro lexohet ndryshe nga ligjvënësit në Kuvend, aty ku u prezantua projektbuxheti dhe paketa fiskale për vitin 2027.
“Projektbuxheti 2027 është shumë më tepër sesa dokumenti financiar më i rëndësishëm i shtetit. Ai është zgjedhja politike dhe një shprehje e qartë e prioriteteve të qeverisjes. Prandaj, ndërsa vazhdojmë të ulim borxhin publik, rrisim investimet. Ndërsa forcojmë financat publike, ne po rrisim mbështetjen sociale”, tha ministri Petrit Malaj.
“Projektbuxheti 2027 ngre pikëpyetje për zhvillimin ekonomik dhe si ndahen fondet publike, që praktikisht dëmtojnë mbrojtjen sociale. Projektbuxheti tregon pandjeshmërinë tuaj, keni 14 vite që nuk caktoni një minimum jetik”, tha deputeti i PD-së Bujar Leskaj.
Nga foltorja e kuvendit, ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj, në përgjigje të akuzave të opozitës, tha se përgjegjësia sociale e këtij projektbuxheti nuk është vetëm tek shpërndarja e parave, apo dyfishimi i bonusit të pensionistëve, por edhe tek paketa fiskale.
“Kostot e jetesës dhe shpenzimet për ushqime janë shqetësimet kryesore të familjeve. Ndaj ulim TVSH-në nga 20% në 6% për 54 produkte ushqimore. Shteti heq dorë nga 12.8 miliardë lekë në vit, që do të transferohen si më shumë para në xhepin e qytetarëve”, tha Ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj
Por rritja e TVSH-së për industrinë turistike, evidentohet si goditje për këtë sektor.
“Ju rritni TVSH-në turizmit nga 6% në 10%, e goditni pas narkoeuros. Po i detyroni të rrisin çmimet, keni informalitet në treg, po godisni sektorin e turizmit. Ju rrisni TVSH-në për profesionistët e lirë, normalisht shërbimet do të shtrenjtohen, koston do ta mbajnë qytetarët ”, kritikon deputetja e PD, Ina Zhupa.
Kurse socialisti Erion Braçe kritikave të opozitës për buxhetin iu përgjigj që në nisje të fjalës së tij, duke shënjestruar Sali Berishën.
“30 vite më parë CEO e bankës më të madhe në vend Maksude Kadëna, shpalli falimentimin,,, pas saj edhe 5 CEO-t e tjerë shpallën falimentimin. Nga ajo kohë s’ka mbetur më asgjë. Nuk e di nëse janë gjallë CEO-t e dragonjve të ’96-s. Por ai që e ndërtoi atë ekonomi është gjallë dhe vijon të flasë për ekonominë në Kuvend”, tha Braçe.
Zhvlerësimi i euros dhe mungesa e financimit për eksportuesit ishte shqetësimi tjetër që ngriti opozita.
Projektbuxheti pas kalimit në seancë plenare rikthehet edhe një herë në komisione për tu shqyrtuar nen për nen, dhe për të bërë edhe ndryshimet në buxhet nëse kërkesat e opozitës apo institucioneve do të pranohen.
Kliko këtu për të lexuar rendin e ditës
Drejtësi më efektive, më e shpejtë dhe cilësore, është mesazhi i Fatmir Xhafajt nga foltorja e Kuvendit gjatë diskutimit për pr.buxhetin 2027. Mbështetja financiare prej 13 mld lekësh që buxheti parashikon për institucionet e drejtësisë duhet të përkthehet në përgjegjshmëri e transparencë më të lartë.
Kreu i komisionit ‘Xhafaj’ tha se prioritet duhet të jetë ulja e numrit të dosjeve stok dhe të forcohet fryma e llogaridhënies dhe bashkëpunimit institucional.
“Mbështetja financiare për institucionet e pavarura është një nga aspektet më të rëndësishme të politikave buxhetore. Financimi i institucioneve të drejtësisë të përfshira në analizën buxhetore është rritur në 13 mld lekë për vitin 2027. Ky është një angazhim financiar shumë i rëndësishëm, por duhet të ushtrojmë me më shumë forcë çështjen e rezultateve. Pavarësia e drejtësisë nuk mund të kuptohet e shkëputur nga përgjegjshmëria për mënyrën e ushtrimit të funksioneve dhe cilësinë e shërbimit. Mbetet shqetësuese numri i lartë i çështjeve të prapambetura. Reduktimi i tyre duhet të jetë prioriteti kyç i institucioneve përgjegjëse. Mbeten shqetësuese problematikat e sigurisë dhe infrastrukturës në gjykata e prokurori. Sfida jonë është të kemi drejtësi më të shpejtë e cilësore, më të aksesueshme për qytetarët. Në vlerësimin tim, institucionet e drejtësisë duhet të dëshmojnë më shumë llogaridhënie, transparencë dhe përgjegjshmëri. Kërkohet më shumë maturi. Përdorimi i autoritetit të ligjit në konflikt interesi është rruga e gabuar pasi zbeh dhe cenon rëndë autoritetin e pushtetit gjyqësor dhe besimin e qytetarit. Besoj fort se duhet maturi dhe reflektim për të përmirësuar dhe forcuar frymën e llogaridhënies dhe bashkëpunimit institucional”, tha Xhafaj.
Pr.buxheti 2027 do të ulë kostot e prodhimit dhe do të rrisë investimet në bujqësi, tha ministri Andis Salla në Kuvend. Ai tha se do shtyllat kryesore janë Skema Kombëtare dhe siguria ushqimore të cilat do të ndihmojnë prodhimin vendas si dhe përgatitjen e fermerëve për anëtarësimin në BE.
“Shtimi i financimit për Skemën Kombëtare në vitin 2027 do të mundësojë vijimin dhe zgjerimin e pagesave direkte për fermerët. Shtylla e dytë është siguria ushqimore. Për vitin 2027 programi ka një buxhet rreth 3 miliardë lekësh, ose 87.3 milion lekë më shumë krahasuar me vitin 2026. Nga të cilat vetëm për investimet janë parashikuar 371 milionë lekë. Shpenzimet operative, të cilat mbështesin veprimtarinë e institucioneve përgjegjëse si dhe funksionimin e sistemit të laboratorëve arrijnë në shifrën prej 694.1 milionë lekë. Gjithashtu mbështetja prej 13.5 milion eurove përmes projektit EU4FoodSafety do të ndihmojë në modernizimin e kontrolleve zyrtare dhe përgatitjen e operatorëve ushqimorë për standardet evropiane. Programi i menaxhimit të infrastrukturës së kullimit dhe ujitjes, mbështetjes për peshkimin, ku ky i fundit arrin në 727 milionë lekë. Këshillimi dhe informacioni bujqësor, janë parashikuar 872 milionë lekë. 663 milionë lekë për forcimin e kapaciteteve administrative. Ky projektbuxhet synon uljen e kostove të prodhimit dhe rritjen e mundësisë së investimit në sektor. Gjithashtu do të vijojë mbështetja e fermerëve me rimbursimin e TVSH 10% të çdo fature. Fondi në dispozicion vitin e ardhshëm do të dyfishohet. Ju ftoj ta mbështesni projektbuxhetin e vitit 2027, si një investim në prodhimin vendas, në zhvillimin e zonave rurale, në sigurinë ushqimore dhe në të ardhmen evropiane të bujqësisë shqiptare”, tha Salla.
Nga foltorja e Kuvendit, deputeti Saimir Korreshi u ndal te buxheti 17.9 miliardë lekë për bujqësinë, për të cilin parafolësi i tij, ministri Andis Salla, tha se shënon rritje me 0.2%. me ironi, Korreshi tha se kjo rritje s’është as gjysma e një kokrre veze, ndërsa ndihma për fermerët s’mjafton as që ata të blejnë çizme.
Deputeti demokrat i Lushnjes thumboi edhe Petrit Malajn se ka vënë më shumë fonde për pagat në bashki sesa për kanalet. Ai solli foto nga spitali i Lushnjes ku u shpreh se s’ka skaner dhe është mbuluar me myk.
Ndërhyrje kërkoi edhe në sistemin elektrik që me ironi e quajti “uluktrik” për të cilin tha se nuk përballon as instalimin e një sere.
“E dëgjova këtë bujqësinë se po merrte një revansh me 320 km/h, do të shpërthente. Nga katuni s’marrim vesh me shifra. Një pulë bën 200 koqe ve në vit. 0.2% i koqeve të vezëve është as gjysmë koqe veje. E ndien bujqësia këtë rritje? Ishalla nuk pjell 200 koqe ve se aha ngelëm pa ngrënë ne! Këto lekët tuaja fermerit s’i dalin as për çizme, i heqim edhe qafat se s’i dalin as për qafa më. Iku ky ë? Oho, iku Peço! Paska çarë ferrën dhe Peço! Hajde o Petrit, hajde o vëlla! Me këto lekë që ke vënë për kanalet se për rroga ke dhënë 12-fishin më shumë bashkisë se për rrugë. Patronazhimi gati, do ju marrim në punë me kontrata provizore, ec përpara, këtë e morëm vesh ne! Kanalet i ka mbytur ferra! Jo kallami, por lartësia e kësaj karabinasë këtu është! Si tha kryeministri, hoqëm biçikletat! Urdhëro skaneri në Lushnje, me biçikletë burri i huaj se ku ta lërë? Ne shkojmë për t’u vizituar te pneumologu, pneumologu ishte sëmurë vetë nga myku që ka aty, tha jam me ilaçe për vete! Te pediatria me legen se nuk ka ujë lavamani! I fusin një të shpëlarë fëmijës atje para se t’i ndërrojnë bebelinat! Ka nevojë emergjente Lushnja për sistem uluktrik. Kush do të qeshë me sistemin uluktrik, mua m’u dogjën të gjitha pajisjet. Një kontratë për serën nuk e lidh dot që të çojë kabëll atje për ujë në pompë. Dua t’ju përshëndes se sot e keni vlerësuar ditën më me vlerë që duhet të kishte, te Asambleja rrinit të gjithë këtu, rrëk se mos ju kap ndonjë plumb, këtu s’vini. Samiti i NATO-s, i ra i-ja. Mirupafshim!”, tha Korreshi.
Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu përmes një videomesazhi në Kuvend, ka folur për Buxhetin 2027, me vlerë 10 miliardë euro.
Koçiu theksoi se një ekonomi më e fortë duhet të ndihet në jetën e përditshme të qytetarëve, nga shporta e ushqimeve dhe fatura e karburantit, te të ardhurat e pensionistëve, mbështetja për fëmijët dhe mundësitë për të rinjtë.
Sipas saj, ky buxhet është pjesë e vizionit për një Shqipëri Europiane, ku çdo familje të ketë më shumë siguri për të sotmen dhe besim te e ardhmja.
"Një ekonomi më e fortë duhet të ndihet në jetën e përditshme të qytetarëve: në shportën e ushqimeve, në faturën e karburantit, në të ardhurat e pensionistëve, në mbështetjen për fëmijët dhe në mundësitë për të rinjtë. Ky është thelbi i Buxhetit 2027, prej 10 miliardë eurosh, dhe vizioni ynë për Shqipërinë Europiane: një vend më i zhvilluar, ku çdo familje ka më shumë siguri për të sotmen dhe më shumë besim te e ardhmja"- tha Koçiu.
Ndërsa mori fjalën në Kuvend, ministrja e Shëndetësisë i tha opozitës se diskutimi për buxhetin duhet të ishte zhvilluar te përmirësimi i shërbimeve dhe jo te sulmet. Ajo tha se vëmendja ndaj qytetarëve e jo Asamblesë së PS duhet të ishte fokusi kryesor.
Më tej, u kërkoi të heqin dorë nga benzina e protestat e dhunshme.
“Pse duhet që çdo deputet i opozitës mos ta miratojë këtë buxhet kur e gjen veten në kërkesat që ka pasur në çdo komision? Unë do ta kisha vlerësuar shumë më tepër nëse kolegët e opozitës do të ishin investuar më tepër në opsione se çfarë mund të ndryshojë buxheti sesa në Asamblenë e PS. Vëmendja e tyre kryesore është se çfarë po bën PS. Vëmendja e tyre duhet të ishin qytetarët. Ju duhet të ndani mendjen, a duhet apo s’duhet që tani që i kemi burimet financiare, t’i ofrojmë apo jo disa shërbime? A keni ju ndonjë opsion tuajin çfarë mund të bëhet më mirë? Kështu duhet të diskutohet më mirë dhe jo të vini e të nxini këtu çdo investim të kryer. Pashë deputetë sot që janë çuar jo 1 herë, por 10 herë dhe e vetmja fjalë që kanë është të karikojnë qytetarët. Boll me benzinën, boll me protesta të dhunshme! Kthehuni te qytetarët”, tha Spahiu.
“Buxheti i specialistëve”, iu përgjigj Jorida Tabaku Bledi Çuçit për komentin e tij se 10 miliardë eurot shënojnë shifër historike për Shqipërinë. Deputetja demokrate hodhi akuza se shpenzimet e buxhetit reflektohen në dosjet e SPAK.
Ajo bën përgjegjës sistemin e korrupsionit që qeveria sipas saj, ka krijuar, për mosrealizimin e Samitit të NATO-s dhe anëtarësimit në BE.
“Sesi shpenzohet buxheti i socialistëve, specialistëve në këtë rast, lexohet çdo ditë në dosjet e SPAK-ut. Ky është sot imazhi që ka kjo qeverisje, me mesazhe, me favore. Për qytetarët e kishit gjithë kohën, 14 vite, nuk i ofruat as një përqindje të këtij buxheti. Ky sistem sot është pengesa më e madhe për zhvillimin e Shqipërisë, për zhvillimin e Samitit të NATO-s dhe anëtarësimit. Unë besoj se sheshi do të jetë më i fortë”, tha Tabaku.
“Buxheti më i madh në histori”, ishte përgjigjja e Bledi Çuçit ndaj kundërshtimeve të Jorida Tabakut në Kuvend, teksa u shpreh se s’mund ta kuptonte si një buxhet mund të etiketohet “kriminal”.
Kreu i Komisionit për Çështjet e Brendshme renditi një sërë fushash ku buxheti rrit mbështetjen, ndërsa theksoi se gjatë votimit nen për nen duhet të rishihet barazimi i pagave të Gardës së Republikës dhe Policisë së Shtetit.
“Sot kemi dëgjuar gjithë ditën për shifra. Pavarësisht se ka pasur kolegë që e kanë quajtur gati kriminal buxhetin, sesi mund të quhet një buxhet kriminal... është fakt që është buxheti më i madh që ka kapur historia e Shqipërisë. Është fakt që kemi arritur ekuilibrin më të mirë duke u nisur nga programi social që kemi dialoguar me shqiptarët, që nga mënyra si krijohen dhe si rishpërndahen këto të ardhura. Duke u ndalur në disa momente të tilla, dua t’ju nënvizoj këto momente që krijojnë këtë ekuilibër të kësaj kontrate të madhe. Po, kush fiton më shumë do të paguajë më shumë. Kjo është gati në çdo platformë socialiste në të gjithë botën dhe këtë kemi bërë. Kemi ruajtur 15% tatim-fitimin për kompanitë, por kemi barazuar edhe 15% e dividentit. Kemi ruajtur nivelin zero të biznesit të vogël. Le të vijmë te rishpërndarja e të ardhurave. Moment kryesor veçoj pensionistët. Në buxhetin 2027 dyfishojmë bonusin mujor dhe indeksim që në prill të pensioneve. Për herë të parë, mbështetje për fëmijët deri në moshën 5 vjeç. Kjo do të ndihmojë shumë familjet, sidomos ato me shumë fëmijë. Më në fund arritëm që të ulim TVSH e ushqimeve nga 20% në 6%. Rritet bursa e studentëve në nevojë. Për Ministrinë e Brendshme, rritja është gati 10 mln euro në këtë buxhet. 8500 punonjës policie do të përfitojnë 230 euro në muaj më shumë e në vazhdim. Të rishikojmë edhe diçka, para pak ditësh bëmë indeksimin e gradave të Gardës dhe Policisë, bëmë një barazi të pagave me qëllimin që pagën e policisë ta çonim në nivelin e Gardës. Tani e ka kaluar paga e policisë atë të gardës. Duhet t’i mbajmë në nivel të barabartë. Kjo është një e drejtë që e kanë fituar. Kur të bëjmë diskutimet nen për nen, duhet ta rishikojmë edhe këtë aspekt, nuk besoj që fatura do të jetë shumë e madhe”, tha Çuçi.
Buxheti për drejtësinë në vitin 2027 parashikohet të arrijë në 29,6 miliardë lekë, 1,2% më shumë se këtë vit. Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, tha në Kuvend se parashikohet hapja e pesë zyrave të reja për ndihmë juridike falas dhe se synohet që qendra për edukimin dhe rehabilitimin e të miturve të funksionojë me kapacitet të plotë brenda vitit 2027.
“Në progresraport thuhet se Shqipëria ka bërë progres të mirë në funksionimin e shtetit ligjor, vettingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve ka përfunduar dhe SPAK-u ka treguar pavarësi dhe rezultate. Kjo është meritë e vetë institucioneve. Sa i përket buxhetit të drejtësisë, që është 29,6 miliardë lekë, 1,2% më shumë se këtë vit, nuk do ta quaja rekord, po brenda kësaj shifre të vogël ka disa zgjedhje të mëdha që dua t’ju prezantoj. Investimet e ministrisë janë ulur se po përfundojnë ato investime që kanë nisur vite më parë dhe gjatë vitit 2027 volumi i investimeve ulet.
Buxheti nuk matet me miliarda, por me atë që ndryshon në jetën e qytetarëve. Sot u fol shumë për koston e jetesës. Ka edhe një kosto të fshehur, që është kostoja e drejtësisë. Është kostoja e atij avokatit që nuk mund ta paguash, janë vitet e pritjes në salla. Këtë adreson. Parashikohet hapja e pesë zyrave të reja të ndihmës juridike falas. Synojmë që në vitin 2027 të vëmë në funksion qendrën për edukimin dhe rehabilitimin e të miturve. Pritja ka qenë e gjatë, por brenda vitit 2027 shërbimet nisin me kapacitet të plotë”, tha Gogu.
Ministria për Administratën Publike dhe antikorrupsionin do të fokusohet te konsolidimi i arkitekturës institucionale, modernizimin e shërbimit civil dhe zhvillimin profesional të kapaciteve në administratë gjatë 2027, tha Adea Pirdeni.
Këto 3 instrumente, vijoi ministrja, do të jenë në shërbim të administratës publike. Por, nënvizoi Pirdeni, aftësimi dhe vlerësimi i administratës siç buxheti 2027 parashikon, i shërben objektivit të anëtarësimit në BE.
"-Me integrimin e departamentit të administratës publike dhe antikorrupsionit, këto funksione do të ushtrohen tashmë brenda një strukture të vetme institucionale.
-Modernizimi i shërbimit civil. Reforma Shkalla e Meritës synon të forcojë lidhjen mes kompetencave institucionale dhe zhvillimit në karrierë.
-Së treti, zhvillimi profesional i kapaciteve në administratë duhet të jetë i lidhur pazgjidhshmërisht me nevojat reale të institucioneve dhe punës për integrimin.
Ministria parashikon kapacitete të reja e të dedikuara. Reforma shtrihet në të gjitha institucionet e administratës shtetërore. Një pjesë e rëndësishme e burimeve të planifikuara për 2027 do të mbështesë modernizimin e administratës publike dhe do të ketë një sistem të ri vlerësimi. Efektiviteti varet nga aftësia e punonjësve publikë për të përdorur burimet.
Ambicia jonë për një Shqipëri anëtare në BE kërkon një administratë të aftë të përmbushë standardet europiane dhe një shtet që e njeh dhe e vlerëson kontributin e njerëzve që punojnë për këtë çdo ditë", tha Pirdeni.
Deputetja e PD në Korçë, Ledina Alolli, tha se do të votojë kundër buxhetit 2027 pasi njerëzit kanë nevojë për arsye për të qëndruar në Shqipëri.
“Do të votoj kundër këtij buxheti jo thjesht sepse jam deputete e opozitës, por sepse mendoj e Shqipëria meriton një tjetër të ardhme. Shqipëria nuk ka nevojë për një buxhet më të madh, por një arsye më të madhe për të qëndruar. Një vend nuk bëhet më i pasur duke numëruar miliardat ndërsa humbet njerëzit e tij”, tha Alolli.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, prezantoi sot në Parlament pr.buxhetin 2027 për institucionin që ai drejton.
Gonxhja tha se prioritet në kulturë është transformimi i Muzeut Historik Kombëtar dhe zgjerimi i rrjetit Kombëtar të muzeve, ndërsa në turizëm, konsolidimi i Shqipërisë si një destinacion konkurrues gjatë gjithë vitit.
“Pr.buxheti i ministrisë për vitin 2027 arrin në 7.65 miliardë lekësh, me një rritje prej 3.5% më shumë krahasuar me vitin 2026. Brenda këtij buxheti 2.74 miliardë lekë janë parashikuar për investimet publike, duke vijuar projektet madhore dhe duke krijuar hapësirë për projektet e reja. Kjo rritje shoqërohet me një orientim të qartë drejt investimeve, rijetëzimit të pasurive tona kulturore. Brenda buxhetit të përgjithshëm, vetëm buxheti i kulturës rritet me 284% apo gati 4 herë. Të dhënat e vizitueshmërisë dëshmojnë këtë potencial. Për 2027-ën prioritet është transformimi i Muzeut Kombëtar dhe zgjerimi i rrjetit kombëtar të muzeve, me nisjen e ndërhyrjeve në 10 projekte prioritare. Investimet në trashëgiminë kulturore 4-fishohen në 2027. Në turizëm objektivi është të konsolidojmë Shqipërinë si një destinacion konkurrues gjatë gjithë vitit. Në vitin 2025 Shqipëria regjistroi 12.5 milionë vizitorë të huaj, kundrejt 3.26 milionëve të vitit 2013, duke shënuar një rritje thuajse 4-fish”, tha mes të tjerash Gonxhja.
Viti 2027 do të vendosë në fokus reformën territoriale dhe decentralizimin, tha ministri i Brendshëm Ervin Demo. Ai shtoi se ka ende shumë punë që po kryhen me buxhetin 2026. Nga ky i fundit, 1.8 mld lekë nga 5 mld të parashikuara për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti i 2019-ës, do t’i akordohen bashkisë Tiranë.
Në fund, ministri u bëri thirrje deputetëve të mbështesin buxhetin e vitit të ardhshëm.
“Reforma territoriale do të zërë një vend të rëndësishëm në 2027. Sot miratojmë edhe kohëzgjatjen e komisionit të posaçëm të reformës. Në 2027 vazhdojmë me grantin e performancës që do të financohet me 200 mln lekë dhe i bën bashkitë të kenë impakt direkt në shërbimet që ofrojnë. Decentralizimi do të jetë fokusi në 2027.
Buxheti i shtetit kishte planifikuar në 2026 5 mld lekë për dëmet nga tërmeti 2019. 1.8 mld lekë do t’i akordohen bashkisë Tiranë për të përshpejtuar buxhetin e rindërtimit. Ne duhet ta marrim në konsideratë këtë projektbuxhet dhe vota duhet të jetë po nga të gjithë”, tha Demo.

Në përgjigje ndaj 7 arsyeve të Taulant Ballës që opozita të votojë pro buxhetit 2027, Jorida Tabaku tha se nuk ka asnjë vlerë kur 10 mld euro zbatohen në masën 36%. Deputetja demokrate tha se buxheti shkon për tenderë e koncensione në fushata elektorale.
“Po çfarë vlere ka 10 mld i buxhetit kur ekzekutohet vetëm 36%? Kaq e ka takatin. Sa herë ka zgjedhje firmosin tenderë, japin koncensione. Nuk dinë këta, dinë vetëm të vjedhin dhe të bëjnë korrupsion. Sot shqiptarët paguajnë çmime 71% më të larta. Çfarë vlere ka 1800 lekë në muaj kur pensionistët janë duke paguar çmime europiane? Çfarë vlere ka kur 40% e të ardhurave shkon vetëm për ushqime?”, u shpreh Tabaku.
7 arsye i renditi Taulant Balla opozitës për të votuar pro buxhetit 2027 në Kuvend. Ai tha se buxheti ul koston e ushqimeve, taksat për punonjësit, ofron më shumë mundësi strehimi për familjet e reja, mbështetje për familjet e studentët dhe kursim për drejtuesit e mjeteve.
Në fund, tha se “u bën mirë për shëndetin” që ta votojnë këtë buxhet.
“Fjalën time e kam 7 arsye pse duhet që edhe ju opozita duhet ta votoni buxhetin.
Arsyeja e parë, në këtë buxhet familjet shqiptare do të paguajnë më pak për ushqimet bazë. Buka do të ulet me 120 lekë, nga 100 lekë të vjetra qytetarët do të paguajnë 88 lekë të vjetra. Zonja tha jo, po ju po rrisni çmimet e fustaneve, sepse po rritet TVSH-ja nga 20%, në 21%. Pa fustan edhe mundesh. Mes fustanit dhe bukës është më e rëndësishme të ulim çmimin e bukës.
E dyta, një profesionist i punësuar në privat me pagë nën 3 mln lekë të vjetra, do të paguajë më pak taksa. Këto janë pagat që variojnë në ekonominë tonë. Pse duhet të jeni kundër ju? Pronari le të paguajë më shumë.
E treta, me këtë buxhet një çift i ri ka më shumë mundësi strehimi. 10 mijë apartamente mundësohen përmes këtij buxheti dhe ligjit që kalojmë po sot për strehimin social. Pse jeni kundër kësaj? Ju duhet të jeni të parët që thoni hajde.
E katërta, me këtë buxhet prindi merr mbështetje mujore për fëmijën me aftësi të kufizuara. Sa herë e kemi thënë këtë? T’i japim mbështetje çdo familjeje me aftësi të kufizuara.
E pesta, një familje merr për 5 vjet rresht mbështetje për fëmijën e porsalindur. kryeministrit i kam kërkuar ta kemi deri në 10 vjeç. S’është e mundur, por ndoshta vitin e ardhshëm do ta bëjmë.
E gjashta, ky buxhet mbështet studentët. A jeni ju për t’i mbështetur studentët? Po. Votojeni buxhetin, a jeni me studentët? Nuk flas për Saliun se nuk e duan ‘studentët’.
E shtata, ky është një buxhet që sa herë ju, edhe pse ishte një politikë që e pati propozuar ministri i Financave Bode, taksa e qarkullimit te nafta, po jua bëj shumë të thjeshtë. Një drejtues mjeti harxhon 4 mijë litra naftë në vit. 1422 euro i mbeten në xhep me heqjen e taksës së qarkullimit. Pse duhet ta votoni kundër ju? Votoni pro. Na vjen keq, ka ca drejtues mjeti që do të paguajnë më shumë taksën e mjeteve luksoze. Ndoshta Komisioni i Ekonomisë e sheh, ta çojmë në nivelin që e ka Greqia a ndonjë vend tjetër. Votojeni buxhetin 2027 se ju bën mirë për shëndetin”, përfundoi Balla.
Pas Jorida Tabakut, Taulant Balla mori fjalën në Kuvend duke thënë se deputetja u përpoq të sulmonte buxhetin 2027 te dimensioni social. Në këtë pikë, ngre pyetjen se cila është ideologjia që tashmë udhëheq Partinë Demokratike dhe ‘i uroi’ të gjejnë identitetin.
“Duket se PD përveçse ka humbur rrugën, ka humbur edhe ideologjinë. U çua këtu njëra prej zërave më elokuentë ekonomikë edhe u mundua ta sulmojë buxhetin e qeverisë së PS te dimensioni social. Ore ju çfarë jeni, të majtë, të djathtë, të majtë të qendrës, të djathtë të qendrës? Dikur kritikonit Fatos Nanon për qasjen e tij zemrën majtas e xhepin djathtas. Uroj që të gjeni identitetin tuaj programor se rrugën drejt pushtetit e keni larg”, tha Balla.
Në nisje të fjalës së saj në Kuvend gjatë diskutimit për buxhetin 2027, Jorida Tabaku i ktheu përgjigje kryeministrit Edi Rama për deklaratën e tij. “Tabaku, e cila është një zëdhënëse e palodhur e fjalës vjedhje, që sa herë që e përmend atë fjalë, unë mendoj me vete ‘kushedi sa do kishte vjedhur kjo nëse do të kishte gjë në dorë, do bënte namin”, tha Rama.
Tabaku ia ktheu se kryeministri i mat të gjithë me njësinë e tij dhe e akuzoi se ka krijuar, ngritur e konsoliduar një sistem korrupsioni.
“Zonja tha, kryeministri përmend fjalën vjedhje se po të kishte mundësi të ishte në qeveri do të vidhte njësoj si ne. I mat të gjithë me kutin e vet dhe me mundësitë e veta se vjedhin këta dhe do të vjedhin që të gjithë. Ky sistem i ka marrë të gjithë këta që kanë ulur këtu mbrapa dhe i ka çuar përpara drejtësisë. Ai sistem që nga kryetari i bashkisë i akuzuar për korrupsion e deri te ish. zv/kryeministrja, e akuzuar për korrupsion, është një sistem që e ka perfeksionuar ai, i ka vënë fytyrën, e ka ngritur ai në piedestalin më të lartë duke e quajtur Shqipërinë vendin që është i kapur”, tha Tabaku.
Ogerta Manastirliu kërkoi votën e besimit për buxhetin 2027 në Kuvend, duke sjellë në vëmendje rekomandimin e BE për nisjen e punës për Traktatin e Anëtarësimit.
“Çdo angazhim që ne marrim në tryezën e negociatave duhet të kthehet në punë të kryer këtu në vendin tonë, me institucione që zbatojnë ligjin, shërbime publike. Të gjithë së bashku t’i japim votën e besimit buxhetit 2027”, tha Manastirliu.
Fatmir Mediu kërkon auditim të sistemeve të sigurisë, për të cilat thotë se dominohen nga teknologjia kineze duke rënë ndesh me interesat kombëtare e NATO-s. Kreu i Partisë Republikane ngriti shqetësime edhe për emigracionin duke e konsideruar çështje sigurie. Ai bëri thirrje për të dëgjuar protestuesit dhe përsëriti kërkesën për dorëheqje të kryeministrit, kufizit të mandatit të tij, qeveri kujdestare dhe lista të hapura.
“Siguria nuk është thjesht dhe vetëm mbrojtje, është teknologji, energji dhe infrastrukturë kritike. Pjesa më e madhe e saj dominohet nga teknologji kineze që bie ndesh me interesat tona kombëtare dhe të NATO-s. Kemi detyrë emergjente të bëjmë një auditim sa i përket kësaj situate për sigurinë tonë dhe të vendeve anëtare të NATO-s. Largimi i shqiptarëve është kërcënim sigurie se është problem shumë i madh social, politik dhe ekonomik. Një vend që plaket nuk ka të ardhme e jo më siguri. Ka më pak lindje se 100 vjet më parë. Kolegët të dëgjojnë zërin e atyre që janë në shesh. Duhet të shkojmë në një zgjidhje politike: e para, dorëheqja e qeverisë dhe kryeministrit, formimi i një qeverie kujdestare, sistem me lista të hapura dhe kufizimin e mandatit të kryeministrit në 2. Historia e diktaturës nuk është e largët, por e ndjeshme dhe e prekshme”, tha Mediu.
Në një analizë për buxhetin 2027 dhe paketën fiskale, Eno Bozdo vendosi shifrat e raportuara nga qeveria përballë efekteve dhe shpenzimeve që do të pasojnë. Deputeti demokrat tha se nuk ka pasur asnjë konsultim me biznesin për paketën e re fiskale dhe nuk është publikuar ende lista e ushqimeve me TVSH të reduktuara.
Bozdo tha se nuk ka mbështetje të mjaftueshme për turizmin, biznesin, bujqësinë, por as ndihma sociale. Ai u ndal edhe te rritja e bonusit për pensionistët dhe raportit të përmbysur me indeksimet.
“Konsultim i munguar si asnjëherë tjetër me biznesin. Biznesi nuk u pyet, askush nuk i vuri në dijeni. Lista e ushqimeve me TVSH 6% nuk na është vënë në dispozicion. Edhe masa tjetër, ulja e pragut të TVSH në 5 mln lekë që fut afro 8 mijë biznese në një grackë të re të ngarkesës fiskale vendoset po me VKM. Efekti neto i paketës është 4.4 mld lekë. Me paqen fiskale që qeveria e mbrojti me zjarr, kush e fsheh fitimin, tatohet me 5%, kush e deklaron në mënyrë të ndershme, tatohet me 15%. Sipas statistikave, 78% e shtretërve online operojnë pa regjistrin. Shoqatat e turizimit paralajmëruan që rritjet do ta vendosin sektorin në pozitë aspak të drejtë në raport me vendet fqinje, por mesa duket edhe kjo nuk do të merret parasysh. Shteti mbledh 28.5% të PBB nga taksat dhe shpenzon 38.8%. Tatim-fitimi është më i vogël sesa në vitin 2023, ndërsa lehtësitë tatimore kushtojnë 62.4 mld lekë, është thuajse buxheti për arsimin. Indeksimi i pensioneve merr vetëm 4 mld lekë, bonusi merr 20 mld lekë, pra e kthyer përmbys. Pensionistëve u japim bonusin me njërën dorë dhe u merret TVSH 21% në dorën tjetër. Pagat janë të ngrira, indeksimi vjen vetëm pas vitit 2028. Ndihma ekonomike bie në terma realë, qeveria premton 2 mld euro investime, por në 8 muajt e parë të 2026 ka realizuar vetëm 32%. Koncensionet dhe PPP-të arrijnë në 25% të PBB, ndërsa ndërtimet për rrugët e tjera nuk shfaqen në buxhet. Inceneratori i Tiranës merr 3.3 miliardë. Eksportuesit mbyten nga rënia e narkoeuros. S’ka asnjë masë për prodhuesit Made in Albania, asnjë grant për teknologjinë, përkundrazi paketa rrit akcizat mbi duhanin. Bujqësia ra me 1.52% në 2025 dhe merr vetëm 0.6% të PBB. Skema kombëtare është 57 milionë euro, më e ulëta në rajon. Fshati nuk mundet dot, mosha mesatare që punon sot në fshat është 55-60 vjeç. Bujqësia po shkon në të njëjtin drejtim si eksportuesit, po shuhet”, tha Bozdo.
Ministrja për Ekonominë dhe Inovacionin, Delina Ibrahimaj, ka prezantuar sot projektbuxhetin 2027 për institucionin që drejton.
Ibrahimaj tha se përmes nismave për mbështetjen e familjeve në nevojë dhe të rinjve, Qeveria do të garantojë 10 mijë çelësa në dorë për qytetarët, në mënyrë që strehimi i tyre të thjeshtësohet.
Ajo foli edhe për mbështetjen e pensionistëve përmes rritjes së shtesave mujore të parashikuar në pr.buxhetin 2027 dhe për indeksimin e pagave në sektorët kryesorë të ekonomisë.
“Në buxhetin për Ministrinë e Ekonomisë e Inovacionit, janë të parashikuara rreth 42 miliardë lekë. Ky buxhet mbështet politikat dhe lidhjen e drejtpërdrejtë me mirëqenien e qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Pjesa më e konsiderueshme e tij, 28.13 miliardë lekë shkon për financimin e diferencës së skemës së sigurimeve shoqërore. Pjesa tjetër mbështet arsimin profesional, punësimin, strehimin, inovacionin, zhvillimin ekonomik dhe institucionet që mbrojnë konsumatorin dhe mbikqyrin tregun. Në mënyrë konkrete për vitin 2027 janë parashikuar 28.13 miliardë lekë për financimin e diferencës së skemave të sigurimeve shoqërore. 5.07 miliardë lekë për arsimin e mesëm profesional, 3.8 miliardë lekë për programin e tregut të punës dhe 1.2 miliardë lekë për strehimin. Krahas këtyre programeve financohet edhe politikat e zhvillimit ekonomik e mbikëqyrjes së tregut.
Pensionistët do të kenë mbështetje më të madhe me buxhetin e ri. Në vitin 2027 për pensionistët urbanë, që kanë vite të plota pensioni, shtesa mujore do të shkojë nga 1800 lekë në 3600 lekë. Për pensionet urbane të pjesshme nga 800 në 1600 lekë, për pensionet rurale nga 1000 në 2000 lekë, për pensionet familjare nga 700 në 1400 lekë, për pensionet e invaliditetit të punës nga 600 shtesa do të shkojë në 1200 lekë. Për këtë politikë në buxhetin e vitit 2027 janë parashikuar 20 miliardë lekë, nga 10.4 që ishin parashikuar në buxhetin e vitit 2026. Angazhimi ynë për pensionistët shkon përtej kësaj. Deri në vitin 2030 ne kemi vendosur objektiva të qarta. Asnjë pensionist urban me vite të plota pune nuk do të ketë më pak se 40 mijë lekë në muaj.
Do përmirësohen pagat. Gjatë vitit 2026 ne rritëm pagën minimale në 50 mijë lekë. Një masë që vlerësohet të ketë pasur ndikim në 308 mijë të punësuar në sektorin publik e privat. Krahas këtyre, në vitin 2026 ne indeksuam pagat për të gjithë sektorin publik. Në paketën fiskale të vitit 2027 ky është një tjetër ndryshim i rëndësishëm. Pasi pragu i tatimit për pagën, me normën 23%, propozohet të rritet nga 200 deri në 300 mijë lekë në muaj. Një punonjës që merr 250 mijë lekë pagë bruto në muaj do të paguajë rreth 5 mijë lekë më pak tatim në muaj.
Paketa fiskale 2027 parashikon uljen në 6% të TVSH-së për 54 produkte bazë të shportës ushqimore. Kjo do të thotë më shumë para në dispozicion të familjeve shqiptare. Do të garantojmë monitorimin e këtyre çmimeve. Qeveria është duke përgatitur një nismë ligjore, e cila do i japë më shumë fuqi institucioneve publike, me qëllim garantimin e reduktimit të çmimit bazuar në reduktimin fiskal që vjen si propozim i paketës fiskale. Strehimi është një tjetër mundësi që përmes këtij projektbuxheti, do i dedikohet të gjithë atyre çifteve dhe të rinjve e të rejave, për të cilët do të ketë më shumë mundësi. Përmes pr.buxhetit ne do të garantojmë 10 mijë çelësa në dorë për qytetarët, në mënyrë që strehimi i tyre të vijë i lehtësuar, përmes subvencionimit të interesave të kredive, apo përmes subvencionimit të interesave të kredive, apo përmes subvencionimit të qirave, por gjithashtu të gjithë programeve të tjera të strehimit”, tha mes të tjerash Ibrahimaj.
Pas akuzave ndaj mazhorancës lidhur me buxhetin, investimet e munguara dhe shpenzimet e larta për fushatat elektorale, Ina Zhupa tha se çështja më e rëndësishme për qeverinë është të ruajnë pushtetin e kryeministrit Rama dhe lufta e brendshme.
Nuk munguan as disa komente për ministrin e Drejtësisë Toni Gogu, të cilin e quan si “pastori që shpërndan fjalën e shefit”, duke iu referuar akuzave të Erion Veliajt se ai i ka përcjellë kërcënimet e Ramës.
“Në fund të ditës, halli juaj më i madh është si të tjetërsoni votën, si të mbani pushtetin. Prioritet tashmë në PS është të ruajnë karrigen e Ramës dhe të bëjnë luftë të brendshme. Ka ikur edhe ministri i Drejtësisë se unë e dija që pastorët shpërndajnë fjalën e Zotit, por shpërndajnë fjalën e shefit. Qytetarët jua kanë dhënë përgjigjen dhe do t’jua japin”, tha Zhupa.
Deputeti socialist Erion Braçe e nisi fjalën në Kuvend për projektbuxhetin e vitit 2027 duke kujtuar firmat piramidale që lulëzuan gjatë qeverisjes së Sali Berishës. Braçe tha se ai që ndërtoi atë ekonomi vijon të flasë për ekonominë në Kuvend.
“Thuajse 30 vjet më parë, ditë më ditë, CEO-ja e bankës më të madhe në vend, doktoreshë Maksude Kadëna, shpalli falimentimin, duke shtuar se ishte në pritje të kompensimit. Pas saj, me radhë, edhe CEO-t e pesë bankave të tjera shpallën falimentimin. Të gjitha pjesët e ekonomisë së dragonjve, që ishte ndërtuar nga viti 1991 në këtë vend që ishte në Europë dhe jo në Azi, kishin pasur lidhje me Azinë, por çuditën Europën me marrëzinë e parave që rriteshin në pemë, shtoheshin po aty, vidheshin po andej dhe haheshin masivisht.
Nga ajo kohë s’ka mbetur më asgjë. Nuk e di nëse janë gjallë CEO-t e dragonjve të ’96-s. Por ai që e ndërtoi atë ekonomi është gjallë dhe vijon të flasë për ekonominë në Kuvend. Ekonomia e të njëjtit vend vlerësohet sot nga Standard & Poor’s në nivelin BB, me perspektivë të qëndrueshme. Moody’s e përmirësoi perspektivën nga e qëndrueshme në pozitive, duke theksuar qartë rritjen e qëndrueshme ekonomike, rritjen e të ardhurave dhe uljen e borxhit publik”, tha Braçe.
Braçe vlerësoi uljen e borxhit publik, nivelin e deficitit dhe rritjen e investimeve publike. Sipas tij, buxheti nuk i bëhet barrë ekonomisë dhe ndihmon në zgjerimin e aktivitetit ekonomik. Por deputeti kritikoi mosrealizimin e shpenzimeve të planifikuara, një problem që sipas tij përsëritet prej vitesh edhe kur të ardhurat realizohen. Dhe për këtë tha se cilido ministër që rrezikon realizimin e buxhetit duhet të largohet.
“Buxheti i këtij viti përmbush të gjitha detyrimet e tij dhe ul në kufijtë e poshtëm rreziqet për të dhe prej tij, pra rreziqet për ekonominë. Nga perspektiva e 30 viteve më parë, disiplina ligjore fiskale ka një rëndësi shumë të madhe. Nisur nga kjo, dua të them se buxheti ka të ardhura të planifikuara dhe shpenzime në rritje. Borxhi publik është ulur në 52,4% dhe investimet publike janë tri herë më të larta se deficiti buxhetor. Ky buxhet nuk i bëhet barrë ekonomisë kombëtare. Paga mesatare arriti në 967 euro, deficiti mbeti në 2,3% dhe balanca primare ishte pozitive. Për ata që i dëgjuan dhe thonë se nuk i kuptuan, dua të them se këto shifra janë elemente të qëndrueshmërisë ekonomike. Buxheti jo vetëm që nuk bëhet barrë, por shërben edhe si stimul për zgjerimin e aktivitetit ekonomik në vend.
A ka rreziqe dhe mangësi ky buxhet? Buxheti është më i vogël se ekonomia, ndërkohë që ekonomia është burimi i vetëm i buxhetit. Ajo që nuk pranoj është që qeveria ta rrezikojë buxhetin. Më saktë, mosrealizimi i të ardhurave apo i shpenzimeve buxhetore është i papranueshëm, sidomos kur ndodh ajo që po përsëritet prej disa vitesh, kur të ardhurat realizohen, por shpenzimet jo. Ministrat që nuk realizojnë shpenzimet duhet të ikin nga qeveria, thashë vjet. Askush nuk ua ka borxh padijen për ta përdorur me efektivitet paranë publike. Abuzimin me të, jo e jo. I mbetem së njëjtës kërkesë. Kush rrezikon realizimin e buxhetit dhe sjell rrezik serioz për të, nuk ka pse të rrijë më në qeveri”, vijoi Braçe.
Braçe kërkoi një reformë në industri dhe propozoi heqjen e taksës doganore për lëndët e para të industrisë së lehtë. Për bujqësinë, deputeti tha se fondet janë rritur, por mungon një plan i qartë për mbështetjen e bujqve.
“Me aq shumë burime, ne vijojmë të biem në industri. Duhet një reformë totale në sektorin e industrisë. Duhet të ndalim krizën që ka ardhur nga modeli dhe abuzimi skandaloz. Këtu kam edhe një vërejtje. Bëhet fjalë për industrinë e lehtë. E kam dëgjuar qeverinë të thotë se ata duhet të ndryshojnë modelin e tyre të biznesit, por kjo kushton dhe shpenzimet i paguajnë gjithmonë ata. Duhet të sugjerojmë si bëhet kjo. Ata njerëz meritojnë qoftë edhe një favor, të çlirohen nga taksa doganore për lëndët e para.
Bujqësia ka më shumë para se një vit më parë. Është skema mbështetëse e drejtëpërdrejtë, por këto nuk mjaftojnë. Na mungon një plan i qartë që të përcaktojë se çfarë do të bëjmë me dy asetet, me tokën dhe me bujqit”, vijoi Braçe.
Braçe kritikoi edhe përqendrimin e ekonomisë në dy sektorë, duke thënë se kompanitë e ndërtimit po kthehen në punëdhënësit e vetëm. Ai e lidhi fuqinë ekonomike me rrezikun e ndikimit në politikë.
“Ekonomia është përqendruar në dy sektorë, aq sa operatorët e ndërtimit po kthehen në punëdhënësit e vetëm. Asnjë përqendrim nuk është i mirë, kudo që ndodh. Ne e kemi aktualitetin partiak të tillë. Janë drejtuesit, dhe jo votat, që caktojnë mbajtësit e pushtetit, ministrat, këshilltarët, drejtorët. Do të jetë e rëndë që të pasurit të caktojnë kryetarët dhe deputetët e tyre përmes fuqisë ekonomike dhe kontrollit mbi punëtorët e tyre”, vijon Braçe.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka prezantuar në Kuvend buxhetin dhe paketën fiskale 2027, ku ka renditur shtyllat kryesore në të cilat ai bazohet, të cilat janë ‘mirëqenia sociale’, ‘stabiliteti fiskal dhe financa publike të qëndrueshme’, si dhe ‘investimet, reformat dhe proceset integruese në BE’.
Duke e cilësuar pr.buxhetin 2027 si historik, Malaj tha se mbështetja financiare rritet në të gjithë sektorët që kanë rëndësi për qytetarët, si për mbrojtjen sociale, investimet në arsim dhe shëndetësi, si dhe mbështetjen më të madhe për bujqësinë, mbrojtjen dhe sigurinë.
Malaj tha gjithashtu se Qeveria parashikon dyfishim të bonusit mujor të pensionistëve, financim shtesë për kërkimin shkencor, rritje të mbështetjes për bujqësinë, rritjen me 20 mijë lekë të reja të pagave të punonjësve të Policisë, rritjen e mbështetjes për Mbrojtjen dhe zhvendosjen e taksës së qarkullimit nga karburantet te taksat e mjetit.
Ndërsa për paketën fiskale, Malaj tha se u vjen në ndijmë shumicës së shqiptarëve dhe familjeve më në nevojë.
“Një buxhet historik me mbi 10 miliardë euro shpenzime publike, të parashikuara përgjatë vitit të ardhshëm. Kemi më shumë mbështetje për bujqësinë, për arsimin, për mbrojtjen dhe sigurinë e vendit. Ky projektbuxhet qëndron mbi 3 shtylla të forta. E para ka të bëjë me mirëqenien sociale, e dyta me stabilitetin fiskal dhe financa publike të qëndrueshme, e treta me investimet, reformat dhe proceset integruese në BE. Ekonomia parashikohet të rritet me 4%. Papunësia në 3 mujorin e dytë zbriti në 8.3%, niveli më i ulët historik. Paga mesatare ka arritur në 967 euro, ose 9.3% më e lartë se e njëjta periudhë e vitit 2025. Për pensionistët parashikojmë 2-fishimin e bonusit mujor.
Do të ketë financim shtesë për kërkimin shkencor. Shëndetësia mbetet një tjetër prioritet i rëndësishëm i financimit publik, me synimin për të përmirësuar aksesin e shërbimeve dhe për të përmirësuar aksesin për pacientët.
Siguria dhe rendi mbeten gjithashtu pjesë e rëndësishme e prioriteteve tona. Për këto arsye buxheti 2027 siguron fondet e nevojshme për forcimin e këtyre sektorëve dhe rritjen e pagave të policëve. Për 8500 punonjës do të rritet paga bazë me 200 mijë lekë të vjetra ose 20 mijë lekë të reja. Kategoritë e tjera brenda piramidës së pagave në strukturën e Policisë do të përfitojnë shtesë pagash nga 10 mijë lekë të reja deri në 15 mijë lekë të reja, në varësi të gradave që ata kanë.
Bujqësia gjithashtu mbetet një sektor i rëndësishëm për ekonominë dhe zhvillimin e zonave rurale. Buxheti parashikohet në masën e 17.9 miliardë lekëve. Ne synojmë të rrisim numrin e përfituesve, ku kemi parashikuar që për vitin 2027 të përfitojnë 43 mijë e 660 fermerë. Shpenzimet për mbrojtjen do të arrijnë në masën e 2.35%.
Paketa fiskale 2027 përbëhet nga 5 projektligje. Ajo synon të lehtësojë barrën për individët, duke vendosur barazi fiskale, duke garantuar një barazi më të drejtë të të ardhurave. Pjesë e paketës është edhe zhvendosja e taksës së qarkullimit nga karburantet te taksat e mjetit. Ky projektbuxhet dhe kjo paketë fiskale mbështeten në një parim të thjeshtë, drejtësia sociale dhe qëndrueshmëria fiskale nuk janë kundërshtarë të njëra-tjetrës. Përkundrazi, ato janë kushtet që e bëjnë zhvillimin ekonomik të vendit më të qëndrueshëm”, tha mes të tjerash Malaj.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, është shprehur se ulja në 6% e TVSH-së për 54 produkte të shportës, është një nismë që i vjen në ndihmë gjithë shqiptarëve me të ardhura të ulëta e të mesme.
Nga Kuvendi, ku po u përgjigjej pyetjeve të deputetëve, Malaj tha se ulja e pragut të TVSH-së nga 10 milionë lekë të reja në 5 milionë lekë të reja, është e bazuar edhe në kërkesën e organizmave ndërkombëtare, konkretisht FMN-së.
Sipas Malajt, Fermerët nuk do të preken nga ndryshimi i pragut të TVSH-së. Ministri shtoi se dividenti do të hyjë në fuqi në 1 janar 2027.
Malaj theksoi gjithashtu se paketa fiskale 2027 është konsultuar me këshillin tatimor, anëtarë të të cilit janë përfaqësues të dhomave të tregtisë dhe grupeve të interesit.
“Në lidhje me pyetjet e Shehajt. Ulja e TVSH-së për 54 produkte të shportës, është një nismë që ju vjen në ndihmë të gjithë qytetarëve me të ardhura të ulëta e të mesme. Ndërkohë në lidhje me pyetjen për pragun e TVSH-së dhe uljes së saj nga 10 milionë në 5 milionë, vjen si rezultat i kërkesave të vazhdueshme nga organizmat ndërkombëtarë dhe konkretisht FMN-së. Pragu ishte ndër më të lartët në Europë. Pragu i TVSH-së nga viti 1996 e deri më sot ka ndryshuar 8 herë. Çështja e pragut të TVSH-së është një çështje e trajtuar prej vitesh.
Në lidhje me pyetjet e Tabakut, përsa i përket çështjes së konsultimit publik të kësaj pakete fiskale, është bërë me këshillin tatimor, anëtarë të të cilit janë përfaqësues të dhomave të tregtisë dhe grupeve të interesit. Lidhur me çështjen e dividentit se kur hyn në fuqi, hyn në 1 janar 2027. Çdo vendim për shpërndarje të fitimeve të pashpërndara pas datës 1 janar 2027 do të trajtohet me normën e dividentit 15%. Ndërsa çdo vendim deri në dhjetor do të trajtohet me 8%. Fermerët nuk do të preken nga ndryshimi i pragut të TVSH-së. Do të përjashtohen nga pjesa e uljes së këtij pragu. Çështja e pragut rregullohet me VKM. Përsa i përket rindërtimit, për vitin 2027 janë planifikuar 2 miliardë lekë. Më pak se vitin e kaluar, pasi kemi 7.4 miliardë lekë fonde të trashëguara nga vitet e kaluara. Rindërtimi është një proces që po ecën përpara, por është një proces që varet nga qeveria vendore dhe jo nga ajo qëndrore”, tha mes të tjerash Malaj.
Deputetja demokrate Jorida Tabaku është shprehur se për paketën fiskale 2027 nuk ka pasur asnjë konsultim me bizneset.
Nga salla e Kuvendit, Tabaku theksoi se është hera e parë që biznesi ka refuzuar në bllok që të pranojë zbatimin e kësaj pakete.
“Paketa s’ka asnjë konsultim me biznesin. Është hera e parë që biznesi ka ardhur në bllok dhe ka refuzuar që të pranojë zbatimin e një pakete që ka dalë brenda natës nga zyrat e nuk e di se kujt. Sepse ju u keni premtuar që nuk do të ndryshojnë taksat. Kemi nevojë të sqarojmë sesa ka shkuar fondi total i rindërtimit. Çfarë po ndodh me rindërtimin? Sapo dëgjuam pak më përpara se Tirana është pa kokë. Por kush e ka fajin që Tirana është pa kokë? Se po të vjedhësh sigurisht që pa kokë do jesh, ashtu siç do shkojnë të gjithë në burg”, tha Tabaku.
Disktutimi i ‘buxhetit 2027’ nuk po trajtohet si duhet sipas deputetit demoktrat Saimir Korreshit.
“Punë buxhetesh është, kjo e trajtojmë si asamblenë e partisë tuaj. Doja ta pyesja për kanalet, vaditjet po nuk e kemi Karakaçin këtu.
Po për mbetjet urbane. Nuk kemi infrastrukurën elektrike, po i zë korenti njerëzit çdo ditë. Ka nevojë spitali Lushnjës për rregullim. 400 mln lekë nuk dalin dot as për të hequr kallamat”, tha Korreshi.
Deputeti demokrat Gent Strazimiri është përfshirë në një debat të fortë me kryeparlamentarin Niko Peleshi në Kuvend, lidhur me rregulloren, nëse ministrat duhet ose jo të jenë prezentë në sallë, gjatë shqyrtimit të projektbuxhetit.
Pas debateve dhe pas ngritjes së toneve nga deputeti demokrat, Peleshi i tërhoqi vëmendjen Strazimirit, ndërkohë që ky i fundit tha se ‘është medalje për mua’.
“Kjo seancë e pafytyrësisë s’mund të vazhdoj më gjatë kur e ke bosh të gjithën këtë. Kam pyetje shumë specifike për kryeministrin, s’më përgjigjet dot ministri i Financave. Kam pyetje për burgjet, për ministrin e Drejtësisë dhe s’ma shpjegon dot ministri i Financave. Prandaj pr.buxheti ka nene të veçanta sesi diskutohet në seancë”, tha mes të tjerash Strazimiri.
“Të paktën mos bërtisni kur s’keni të drejtë. Edhe kreu i buxhetit në asnjë nen nuk thotë... A ta le, po unë nuk funksionoj me mocion, por me rregullore. Dhe në rregullore nëse gjeni një nen që në seancë duhet të jetë gjithë Qeveria, atëherë keni të drejtë ju. Lexo rregulloren më mirë”, tha Peleshi.
“A keni turp apo s’keni”, dëgjohet të thotë Strazimiri pas mbylljes së mikrofonit.
“Tërheqje vëmendje për zotin Strazimiri, në bazë të rregullores”, tha Peleshi.
“E konsideroj si medalje”, tha Strazimiri.
“Ti mund ta konsiderosh si medalje, por kjo është pjesë e rregullores”, tha Peleshi.
Pasi deputeti demokrat Tomor Alizoti kërkoi në Kuvend që ministrat të jenë prezentë në sallë gjatë diskutimit të buxhetit, edhe kryeparlamentari Niko Peleshi, nga ana etike e cilësoi të drejtë kërkesën e tij.
“Të lutem thirr Qeverinë, sepse nuk ka logjikë që të diskutojmë për buxhetin pa ministrat përkatës”, tha Alizoti.
“Në zbatim të rregullores, ministri i Financave është i detyruar që të jetë në sallë. Sa i përket rregullores. Sa i përket pjesës etike, edhe unë e bashkoj thirrjen time që ministrat, sidomos sipas tematikave që lidhen me buxhetin, duhet të jenë në sallë. Por nuk është detyrim i rregullores”, tha mes të tjerash Peleshi.











Komente
Komento