LEZHË- Në qytetin e Lezhës vijon masakra me helmimin e qenve endacak. Të tjerë kafshë të ngordhura janë gjetur mëngjesin e së premtes në lagjen "Skëndërbeg".

Situata bëhet edhe me e rëndë, pasi qentë e ngordhur kanë nisur të hidhen në Lumin Drin, duke krijuar ndotje mjaft të madhe.

Bashkia Lezhë dënon këtë veprim kriminal, duke mohuar që helmimi i qenve po bëhet nga kjo njësi vendore. Nën kryetari i Bashkisë Ermal Pacaj thotë se në buxhetin e këtij viti është parashikuar ndërhyrje për trajtimin dhe rehabilitimin e qenve endacakë dhe brenda muajit mars për t'i dhënë zgjidhje problematikës.

"E padrejtë që të akuzohemi që kemi ndërmarrë një veprim të tillë. Bashkia duke e parë si problematikë, është përshkallëzuar, qentë po shtihen dita ditës, kjo vjen edhe si rrjedhojë e sjelljes nga territoret e tjera dhe riprodhimit të tyre, por riprodhimi nuk e justifikon numrin masiv, ne e kemi parashikuar edhe në buxhetin e këtij viti. Një program se ca do bëhet për trajtimin e tyre, por duke u konsultuar dhe shoqatat për mbrojtjen e kafshëve, se janë forma si do të trajtohen dhe pas konsultimeve do marrë jetë trajtimi , shpenzimet për kafshët, po shihet me prioritet, është ngritur grup pune", tha Pacaj.

Prej disa ditësh në zona të ndryshme të qytetit të Lezhës janë konstatuar qen të ngordhur si shkak i helmimit ty tyre, ndërsa autoritetit vijojnë të heshtin përball këtij akti kriminal që po është e ndaluar me ligj dhe përbën vepër penale.