VENDIMI I PLOTE
Gjykata pasi dëgjoi pretendimet e palëve, shqyrtoi provat dhe si e diskutoi çështjen në tërësi verën se organi i prokurorisë pranë Gjykatës së shkallës së parë Tiranë ka paraqitur kërkesën për gjykimin e të pandehurit Viktor Gushi duke e akuzuar se ka kryer veprën penale të vjedhjes së pasurisë parashikuar nga neni 134 pg.1 i kodit penal. Meqënse çështja mund të zgjidhej në gjëndjen që janë aktet, Gjykata bazuar në nenin 403 të K.Pr.Penale vendosi të pranojë kërkesën e të pandehurit dhe të procedojë me gjykim të shkurtuar, nga i cili rezultoi se : I pandehuri Viktor Gushi ka qënë i punësuar fiilimisht si punëtor dhe që nga muaji mars 2005 si përgjegjes i shitjeve në magazinat e shtetasit Lula Selami të ndodhura në lagjen Kombinat të qytetit të Tiranës. Në këtë magazinë, veç artikujve të tjerë shiteshin edhe lavapjata, të cilat kjo shoqëri i prodhon vetë. Më datë 12.08.2005 dëshmitari Artur Janku, i cili është punonjësi që mban edhe çelësat e magazinës, ka njoftuar pronarin Lula Selami se në magazinë mungonin 5 lavapjata. Meqënëse pronari Lula kishte patur edhe më parë dyshime se e vidhnin, ka bëre menjëherë kallëzim në organet e policis. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se i pandehuri Viktor Gushi, duke përfituar nga fakti se ishte ai personi që furnizonte klientët me lavapjata, herë pas here i ka dhënë dëshmitarit Adnand Draga lavapjata që nuk i pasqyronte në faturat e shoqërisë dhe lekët e shitjes së këtyre lavapjatave i pandehuri i përvetësonte për vete. Sipas akt-ekspertimit vlerësues datë 16.09.2005 vlera e lavapjatave të vjedhur është 40 000 (dyzet mijë ) lekë. Faktet e përmendura më lart rezultuan të provuara me procesverbalin e kallëzimit të krimit datë 13.08.2005 të shtetasit Lula Selami, me dëshmitë e dëshmitarëve Adnand Draga, Guri Sadikllari, Visarjon Mucaj, Fatjon Verzivolli dhe Artur Janko dhe në tërësi me aktet e paraqitura nga organi i prokurorisë në fashikullin me nr.2306 të vitit 2005, të cilat për shkak të gjykimit me procedurë të shkurtuar marrin vlerën e provës në Gjykatë. Vetë i pandehuri ka mbajtur qëndrim pohues dhe pendues, duke dhënë shpjegime edhe për mekanizmin e vjedhjes. Në këto kushte Gjykata krijon bindjen se i pandehuri Viktor Gushi ka konsumuar veprën penale të vjedhjes së pasurisë parashikuar nga neni 134 pg.1 i kodit penal. Ai me veprime aktive, duke përfituar nga pozicioni i punës së tij, ka shitur lavapjata dhe lekët e fituara i ka përvetësuar për vete, duke bërë në këtë mënyrë pakësimin e pasurisë së të dëmtuarit Lula Selami. Veprimet e të pandehurit të kryera me dashje janë të kundraligjshme dhe shoqërisht të rrezikshme pasi kanë prekur marrëdheniet juridike të vendosura për të ruajtur paprekshmerinë e pronës dhe rendin publik në përgjithësi. I pandehuri është në gjëndje të kuptojë dhe kontrollojë veprimet e tij dhe pasojat që ato sjellin prandaj edhe duhet të përgjigjet për veprën e kryer. Në caktimin e llojit dhe të masës së dënimit Gjykata ka parasysh rrezikshmërinë dhe përhapjen e veprës, rrezikshmërinë e të pandehurit, qëndrimin e tij pohues dhe pendues, vlerën e vogël të sendeve të vjedhura, faktin se i pandehuri nuk figuron i dënuar më parë si edhe gjëndjen e tij ekonomike dhe familjare.
PER KETO ARESYE
Gjykata krijoi bindjen dhe bazuar në nenin 384 dhe 390 te K.Pr.Penale.
VENDOS
Deklarimin fajtor të të pandehurit Viktor Gushi (i biri Osmanit dhe Sofikes, i dtl.1967) për kryerjen e veprës penale të vjedhjes së pasurisë parashikuar nga neni 134/1 I K.Penal dhe dënimin e tij me 7 (shtatë) muaj e 15 (pesëmbëdhjetë) ditë burgim.Në zbatim të nenit 406 të K.Pr.Penale ulet 1/3 e dënimit dhe përfundimisht i pandehuri Viktor Osman Gushi do të vuajë 5 (pese) muaj burgim. Vuajtja e dënimit për të pandehurin Viktor Gushi fillon nga data 13.08.2005. Shpenzimet proceduriale i ngarkohen të pandehurit Viktor Gushi. Kundër vendimit lejohet ankim brenda 10 ditëve në Gjykatën e Apelit Tiranë.
(sg/shqiptarja.com)