Viktor Taçi: Si e njoha babanë
tim Panon pas 23 vjetësh

Viktor Taçi: Si e njoha babanë<br />tim Panon pas 23 vjetësh
Me një ceremoni jo shumë të bujshme, ashtu siç ishte jeta e tij në 20 vitet e daljes nga burgjet komuniste është përcjellë dje për në banesën e fundit poeti Pano Taçi. Poeti jetonte në vetmi, pa një vatër familjare. Ashtu edhe vdiq, ndërsa trupi i tij priste për dy ditë në morg ardhjen e të birit nga Greqia. Dje në Teatrin Kombëtar iu bënë homazhet e fundit. Nga familja kishin ardhur për ta përcjellë i biri, Viktori, e motra dhe mbesa Ilda. Edhe pse marrëdhëniet me të birin janë të lidhura me fillin tragjik të jetës së trazuar të poetit, Pano Taçi nuk e ka shkëputur kurrë rrjedhën e dashurisë familjare. Ai kishte një fill të kuq në zemër ku mund të mbante ndezur të gjitha dashuritë. E thjeshtë ishte ceremonia, por miqtë poetët, aktorët, këngëtarët nuk e lanë vetëm dje poetin. Politikanët rrallë kuptojnë nga madhështia e disa njerëzve të thjeshtë si Pano Taçi, por megjithatë kishin ardhur: Presidenti Bamir Topi, këshilltari i kryeministrit Neritan Ceka, Ministri i Kulturës Aldo Bumçi, kryetari i KSHL-së Bujar Leskaj, zëvendësministrja e kulturës Zana Turku dhe "familja" tjetër e tij, ish të persekutuarit në burgjet komuniste, ku ai kaloi pjesën më të madhe të jetës. I biri Viktori, me zërin që i dridhej, dhe i emocionuar rrëfen në intervistën për Shqiptarja. Com, jo vetëm tragjizmin e jetës së Pano Taçit, por edhe të tijën që për herë të parë e njohu babanë e vet kur u bë burrë, në moshën 23- vjeçare.

Keni qëndruar në fëmijëri pa babanë, sepse ai për një kohë të gjatë ka qenë i persekutuar politik në diktaturën komuniste. Duket se edhe pas demo- kracisë koha dhe hallet ju mbajtën larg tij. Megjithatë, babai na tregonte se të donte dhe ishte krenar për ty. Si e keni njohur babanë tuaj?
-Virtytet e larta të babait tim si njeri shumë i dashur dhe si një qenie e pafajshme në çdo pikëpamje, unë i kam njohur që në çastin e parë që e kam takuar dhe kam qenë krenar për të. Ai kishte një dhembshuri të paparë për mua, për familjen time, sidomos për mbesën, Ildën, vajzën time që e kam këtu me vete. Ai ka pasur një dhembshuri të madhe, edhe gjatë kohës kur unë nuk e njihja dhe s'mund të më takonte, të cilën e ka ruajtur deri në fund, para se të ndërronte jetë. Ilda pati mundësi të vinte dhe t'i qëndronte një kohë më të gjatë pranë kur ai ishte i sëmurë. Ajo ka qëndruar shumë afër gjyshit dhe mendoj se kjo e ka gëzuar shpirtin e tij.

(Ndërhyn e bija e Viktorit, Ilda, mbesa e Pano Taçit)
-Kam ardhur që nga Greqia ta shoh gjyshin tim, sepse kohët e fundit ishte i sëmurë. E takoja shpesh dhe mendoj se ishte gjyshi më i dashur në botë. Ai ishte një njeri që vetëm dinte të donte. Nuk e di nëse priste nga dikush që ta donin pak edhe atë. Vetëm jepte dashuri gjyshi im dhe kurrë nuk kërkonte gjë. Ato ditë të sëmundjes së tij më dhimbsej, kur e shihja ashtu në atë gjendje. Nuk dija ç'të bëja që ta ndihmoja. Kisha një dashuri të veçantë për gjyshin dhe unë e ndjeja se ishte njeri me cilësi të veçanta. E doja shumë jo se ishte poet, por unë e doja për shpirtin. Ai ishte poet në shpirt më parë, pastaj në letra. Për momentin jam shumë e shokuar nga vdekja e tij dhe ndiej dhimbje që ai jetoi një kohë të gjatë në burg dhe më pas në vetmi.
Viktor, e dije që babai kishte qenë sëmurë kohët e fundit?
-Po kohët e fundit ishte i sëmurë dhe unë kam ardhur ta shoh, sepse jetoj në Greqi me familjen dhe punoj si emigrant atje. Kam lënë për një kohë të gjatë vajzën time Ildën të përkujdeset e të qëndrojë pranë tij dhe ajo ka qëndruar me dëshirë njëfarë kohe. Por ne jetonin në Greqi dhe ai jetonte vetëm e në kushte jo të mira.

Çfarë dini për vuajtjen gjatë jetës së tij?
-Po të nisemi nga vitet e burgut të hershme babai ka vuajtur dhe ato lloj vuajtjesh dihen sot nga të gjithë. Diktatura bëri punën e vet në ato vite dhe shkatërroi babanë dhe familjen time. Mua më ka munguar gjithë kohën. U rrita me mungesën e tij. Unë dhe nëna nuk jetonim më tek familja e babait kur atë e burgosën. Kur e futën babanë në burg, unë isha gjashtë muajsh dhe… e takova atë shumë vonë (qan). Por kur doli babai nga burgu erdhi dhe më kërkoi. Më njohu menjëherë se i ngjaja nga sytë. Unë jam tronditur shumë, sepse nuk e imagjinoja dot sesi ishte.

Sa vjeç ishit kur e njohët dhe takuat babanë tuaj për herë të parë?
-Isha 23 vjeç. Isha bërë burrë. Dhe unë u trondita sepse nuk e kisha imagjinuar kurrë që kisha pasur një baba aq të mire. Kur e pashë para syve dhe e kuptova sesa njeri i dashur dhe i mirë qe, unë jam tronditur. Më mungonte babai por edhe ngaqë kishte bërë burg flitej shumë keq për të. Nuk bëhej fjalë të dëgjoja në atë kohë se kisha baba një poet. Këtë e dëgjova vetëm pas demokracisë. Dëgjoja vetëm gjëra të këqija. Njeriu që më doli përpara syve, babai im Pano Taçi ishte një njeri i mrekullueshëm. Që nga ai çast unë nisa ta doja shumë dhe kam bërë ç'është e mundur që së paku njëherë në vit të vij nga Greqia dhe ta takoj. Ai më ka bërë edhe një vjershë kur u kthye nga burgu. E kam në shtëpi atë vjershë. I kam të gjithë librat dhe poemat e tij në shtëpi.

Çfarë të shokoi më tepër nga takimi i parë me të?
-Imazhin e babait tim e kishin nxirë dhe shpërfytyruar. Më shokoi që ai ishte komplet ndryshe si njeri, i veçantë. Të jesh si ai duhet shumë guxim dhe durim në jetë. Babi kishte një shpirt shumë të pasur dhe shumë mirësi brenda vetes. Duhet të jesh shumë i veçantë të jetosh me atë fisnikëri dhe krenari të tij dhe i vetmuar. Atë cilësi të tij nuk mendoj se e kuptonin të gjithë, por vajza ime e ka si idhull. Ajo i pëlqen shumë poezitë e tij dhe e do shumë gjyshin. ILda është këtu me mua për t'i dhënë lamtumirën e fundit dhe ka qenë njeriu i fundit që ka biseduar me babanë, por edhe një ndër njerëzit më të dashur për të.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    19 Dhjetor, 08:16

    5 vite nga krijimi i SPAK, jeni të kënaqur me punën e bërë?



×

Lajmi i fundit

Në kërkim nga Spanja për trafik droge, arrestohet i riu në Shkodër

Në kërkim nga Spanja për trafik droge, arrestohet i riu në Shkodër