Vila e Ahmetajt në Palasë lihet në sekuestro, Gjykata Kushtetuese zbardh vendimin: Pse u rrëzua kërkesa e shoqes së ish-bashkëshortes

Vila e Ahmetajt në Palasë lihet në sekuestro, Gjykata Kushtetuese zbardh vendimin: Pse u rrëzua kërkesa e shoqes së ish-bashkëshortes

Arben Ahmetaj

Gjykata Kushtetuese ka lënë në sekuestro një vilë në Palasë që dyshohet se është pasuri e fshehur e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, prej dhjetë muajsh në arrati dhe me masë sigurie në mungesë.

Në vendimin e zbardhur gjykata arsyeton se përse është rrëzuar kërkesa e Elda Dinaj, shoqe e Albina Manckës, kjo e fundit ish-bashkëshorte e Arben Ahmetaj, emri i të cilit në 17 mars 2023 u regjistrua si person nën hetim për korrupsion i funksionarëve, fshehje pasurie dhe pasqyrim parash.

Dinaj kishte kërkuar shfuqizimin e sekuestros preventive të shpallur nga gjykatat më të ulëta ndaj  vilës në Palasë që rezulton në emër të paditëses.

Gjykata kushtetuese thotë se sekuestro ndaj pasurisë është bërë me ligj dhe i përgjigjet interesit publik për sa kohë është aplikuar në kuadër të një hetimi që po kryhet nga SPAK.

“Së pari, çmoj se gjykatat nuk kanë arritur të arsyetojnë në mënyrë shteruese të gjitha elementet e dyshimit të arsyeshëm, që konsiderohet i domosdoshëm për vendosjen e masës së sekuestros, në kushtet kur ajo kërkohet për veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale. Për shkak të natyrës së veprës penale, hetimi paraqet karakteristika të veçanta, pasi pasuria e cila dyshohet se është produkt i kësaj vepre, nuk është menjëherë e identifikueshme. Ndonëse është me rëndësi thelbësore lufta kundër këtyre veprave penale, të cilat dëmtojnë interesat shtetërorë dhe sistemin financiar, autoriteteve publike u lind detyrimi për të realizuar një hetim të drejtë dhe të thelluar në mënyrë që të mos cenohen të drejta substanciale të individëve të tretë të cilët nuk janë të përfshirë në aktivitete të paligjshme dhe kanë vepruar bona fide”, thotë Gjykata.

Referuar vendimeve të gjykatave, Kushtetuesja shton për vilën në Palasë ekziston një dyshim i arsyeshëm që kjo pasuri është vendosur me të ardhura të paligjshme dhe se nuk është pasuri e Elda Dinaj.

“Në këtë drejtim, Prokuroria e Posaçme, në mënyrë të gabuar, ka vlerësuar se kërkuesja nuk konsiderohet pronare e pasurisë dhe ajo nuk e ka gëzuar titullin pronar në momentin e nënshkrimit të kontratës. Në analizë të fakteve dhe dokumenteve bashkëlidhur ankimit kushtetues individual rezulton se kërkuesja ka lidhur një kontratë noteriale për kalimin e të drejtave me shoqërinë “Inerte Express”, çka nënkupton se ai është momenti kur, bazuar në dispozitat e kësaj kontrate, asaj i lind edhe e drejta e gëzimit dhe disponimit të pronës, ndonëse ende nuk ka kaluar pronësia mbi sendin. Në vlerësimin tim, gjykatat e posaçme nuk kanë bërë një verifikim të plotë të tagrave që gëzonte kërkuesja për pronën për të cilën është vendosur sekuestroja dhe nuk kanë analizuar nëse veprimet e saj janë kryer ose jo në mirëbesim”.

Kushtetuesja po ashtu dyshon se vila është një pasuri e fshehur e Ahmetajt nën hetim dhe e ish bashkëshortes së tij. Në vendim përsëriten vendimet e shkallëve të më të ulëta që I referohen kontratave të shitblerjes me Interte Express dhe të dhënat e sistemit Tims, ku del në dritë se Dinaj nuk ishte në Shqipëri ditën kur nënshkroi.  Vlera e shitjes së vilës ishte 300 mijë euro dhe duhej likuiduar me këste brenda një viti. Ndërkohë që shoqëria vendosi ta shesë vilën gati 87 mijë euro më pak nga ajo që e kishte marrë. Pagesa e parë e paguar, u pa nga apeli i posaçëm si veprim për kalimin e pronësisë tek kërkuesja Dinaj, se ishte kryer në bashkëpunim me deputetin nën hetim dhe ish bashkëshorten.

“Subjekti i interesuar, Prokuroria e Posaçme, ka prapësuar se pretendimi i kërkueses është kontradiktor, pasi, nga njëra anë pretendohet se vila nuk ishte e regjistruar ende në regjistrat e pasurive të paluajtshme, ndërsa, nga ana tjetër, ngrihen pretendime përse është proceduar me sekuestrimin fizik të vilës, pasi mund të vendosej shënim në regjistrat e pasurive të paluajtshme. Sipas këtij subjekti, kërkuesja pretendon se është privuar nga të gjitha tagrat e pronësisë kur në të vërtetë ajo nuk i gëzon këto tagra, pasi, siç citohet në kontratën e lidhur mes shoqërive “Inerte Express” dhe “Green Coast”, si dhe pas daljes së certifikatës në emër të shoqërisë “Inerte Express”, brenda 30 ditëve kjo e fundit do të nënshkruante kontratën përfundimtare me kërkuesen. Subjekti i interesuar ka parashtruar edhe se pronar i vilës rezulton të jetë ende shoqëria “Green Coast”, si dhe ajo është gëzuar nga ish-bashkëshortja e deputetit nën hetim, për rrjedhojë nuk konstatohet se çfarë e drejte pronësie i është shkelur kërkueses.”

“Në rastin konkret, Gjykata vëren se GJKKO-ja e Shkallës së Parë ka vendosur caktimin e masës së sekuestros preventive edhe për pasurinë e paluajtshme të pretenduar nga kërkuesja, me arsyetimin se me kontratën e kalimit të të drejtave dhe detyrimeve nr. 1382. rep., dhe nr. 1010 kol., datë 13.04.2021 shoqëria “Inerte Express”, e përfaqësuar nga M.B., i ka transferuar kërkueses të drejtat reale mbi këtë pasuri, me sipërfaqe të përgjithshme 177.1 m2 dhe sipërfaqe parcele 482.7 m2 . Sipas kësaj kontrate, në përfundim të punimeve të vilës dhe pas lidhjes së kontratës përfundimtare të shitblerjes mes shoqërive “Inerte Express” dhe “Green Coast”, si dhe pas daljes së certifikatës në emër të shoqërisë “Inerte Express”, brenda 30 ditëve kjo e fundit do të nënshkruante kontratën përfundimtare me kërkuesen. Vlera e shitjes është 300,000 euro, e cila do të likuidohej me këste në llogarinë bankare të palës shitëse brenda 1 viti nga data e nënshkrimit të kontratës. Sipas gjykatës, referuar të dhënave të sistemit TIMS, rezulton se kërkuesja ka qenë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në ditën e nënshkrimit të kësaj kontrate dhe, gjithashtu, shoqëria “Inerte Express” ka vendosur të shesë vilën në fjalë në një shumë prej 87,731 eurosh më pak nga ajo që e ka marrë (shih paragrafin 92 të vendimit të GJKKO-së së Shkallës së Parë). Në përfundim, gjykata ka vlerësuar se kërkesa e Prokurorisë së Posaçme për vendosjen e sekuestros preventive është e bazuar në ligj dhe në prova, pasi ekziston dyshimi i arsyeshëm se kjo pasuri është pasuri e fshehur dhe se është vendosur me të ardhura nga burime të paligjshme. Sipas asaj gjykate, ekziston dyshimi se për këtë pasuri mund të merren masa me qëllim tjetërsimin e saj, ndaj duhet vendosur masa e sekuestros preventive me qëllim që të pengohet çdo transferim i mundshëm i pasurisë së paluajtshme (shih paragrafin 108 të vendimit të GJKKO-së së Shkallës së Parë).", arsyetohet më tej në vendim.

 

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)

B.K/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • zigur: 27/05/2024 14:21

    Ky hajdut i ndyre gjalle a i vdekur duhet te sillet ne Shqipëri...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?