Prokuroria e Posaçme nuk ka asnjë dyshim se Vila në kompleksin turistik “White Rocks” në Dhërmi që formalisht rezulton në emër të ish futbollistit të njohur Igli Tare, i përket në fakt, ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Janë një sërë hetimesh dhe provash të grumbulluara, të pasqyruara në dosjen që Report TV disponon, të cilat duket se nuk lënë shumë hapësirë për interpretim. Kontrolli në vilë ka zbuluar objekte që i përkasin familjarëve të saj, madje dhe llogaria në “Netflix” në televizorin e banesës, është hapur nga emaili i saj. Komunikimet e zbuluara në celularët dhe postën elektronike të vartësve të Ballukut e identifikojnë vilën si “të Belës” apo “shefes”. Të dhënat e telefonisë celulare, sipas SPAK, por edhe një llogari e Netflix në emër të Ballukut, tregojnë se prona përdorej rregullisht nga ish-zv.kryeministrja dhe familjarët e saj.

Viola Haxhiademi, drejtoreshë e Departamentit Administrativ në Albcontrol, një emër që e ka shoqëruar Ballukun dhe kur ajo u bë pjesë e qeverisë, e dëshmon qartë në një komunikim me motrën e saj Dorela, se vila e Belës do të jetë ngjitur me atë të familjes së saj. 

"Zemer, Po të dërgoj fotot e Belës që të kuptosh në ç’fazë është shtëpia. Të kam dërguar dhe planin e projektit për te parë për cilën bëhet fjalë. Bela ka f5 ndërsa ne kemi f6. Po të shikosh në foton që kam bërë më afër me vilat ka vizatuar dhe ku do bëhet pishina. Më pëlqen shumë. Puuuuссссс", i shkruan ajo. 

Kontrata e qirasë që Tare ka lidhur me një vartëse të Ballukut, Joana Bushi, i përket vitit 2022 e në vijim, ndërkohë që SPAK thotë se Balluku e ka përdorur vilën që në vitin 2019, kur sapo kishin përfunduar punimet. Vetë Balluku kishte hapur atë vit, një grup në Whatsapp, të titulluar “Dhërmi” ku ishin përfshirë vartës të saj që kishin vila në këtë kompleks.

SPAK, thotë se përveç akuzës për “Shkelje të barazisë në tendera” Balluku tani dyshohet dhe për kryerjen e veprave penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim.

Dyshimet bazohen në një procedurë prokurorimi të Albcontrol në vitin 2014 kur Balluku drejtonte këtë institucion. Rikonstruksioni i godinës së Albcontrol, rezulton sipas akteve të Prokurorisë së Posaçme, të jetë realizuar përmes një gare tërësisht fiktive, ku çdo hallkë e procesit është koordinuar, madje paraprirë nga kompania “Eurocol”, e sipërmarrësit Pandeli Carapuli, e cila do të shpallej më pas, zyrtarisht, si fituese, për kryerjen e punimeve me një fond total prej gati 102 milionë lekë, pa TVSH.

Falë kësaj gare, sipas SPAK, Balluku do të merrte si shpërblim, një vilë në kompleksin turistik “White rocks” ndërtuar nga e njejta kompani. Por për të fshehur gjurmët, vila u rregjistrua në emër të Igli Tares, i cili rezulton të ketë kryer vetëm gjysmën e pagesës së çmimit të deklaruar prej 145 mijë eurosh.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:20
DOSJA E SPAK/ Balluku e mori vilën si ryfshet, bashkë me vartësit paracaktoi kompaninë Eurocol fituese për tenderin e Albcontrol-it

1773161189_balluku.jpg

Procedurat për rikonstruksionin e godinës nisën që në tetor 2014, kur Balluku iu drejtua 3 studiove të ndryshme që ta ndihmonin me projektin. Do të jetë “Atelier 4” ajo që do i dorëzojë projektin 9 ditë më vonë më 23 Tetor.

Më 10 Nëntor Balluku urdhëron kryerjen e prokurorimit me fond 73,876,360 lek (pa TVSH), sipas preventivit të hartuar nga studio e projektimit. Në të njejtën ditë ngrihet Komisioni i Vlerësimit të ofertave që kryesohet nga Evis Berberi, si drejtuesi i Prokurimeve, ndërsa Njësia e prokurimit miraton kriteret e garës.

Ajo që bie në sy nga dosja, është fakti se kompania “Eurocol”, e  i paraprin procedurave të Albcontrol-it. Ajo ishte në dijeni të preventivit, që përpara se t’i shkonte vetë institucionit, ndërsa, nga emaili i saj, i dërgohet Evis Berberit dokumenti “Kriteret përfundimtare”, katër ditë përpara se vetë Komisioni të mblidhej, për hartimin e tyre. Më pas, Eurocol, thjesht qëndron në pritje të zyrtarizimit të procedurave, siç dëshmojnë komunikimet me mesazhe mes Pandeli Carapulit dhe një vartësi të tij, Fejzi Kodra.

• Me datë 11.11.2014, ora 10:57, shtetasi Fejzi Kodra i dërgon sms shtetasit Pandeli Carapuli: "Per dijeni, akoma s'ka dale gje tek web i APP",

në orën 11:27, shtetasi Pandeli Carapuli: “Shiko, u shpall ky i fundit. I madh”",

në orën 11:39, shtetasi Fejzi Kodra: "Mban dt e djeshme shpallur "rikonstruksion I godinës teknologjike te albcontrol",

në orën 11:39, shtetasi Pandeli Carapuli:“Ok të fillojm përgatitjet".

Disa kompani, bëjnë ankesa për kriteret, por ato nuk u merren parasysh.

Për rikonstruksionin paraqiten 4 oferta:

-Ofertuesi i Parë: Operatori ekonomik Bashkimi i përkohshëm "Ndregjoni dhe "Cara" sh.p.k, me çmimin e ofertës 48,290,515 lekë pa Tvsh.

-Ofertuesi i Dytë: Operatori ekonomik "Ndërtim Montimi Patos"sh.a, me cmim 70,989,230 lekë pa Tvsh.

-Ofertuesi i Tretë: Operatori ekonomik Bashkimi i përkohshëm "Alko Impex General Construction" sh.p.k, dhe "Agri Construksion"sh.p.k, me çmimin e ofertës 71,278,796 lekë pa Tvsh.

-Ofertuesi i Katërt: Operatori ekonomik "Eurocol" sh.p.k, me çmimin e ofertës 72,390,316 lekë pa tvsh.

Tre prej tyre skualifikohen për mosplotësim të kritereve dhe fitues shpallet Eurocol, oferta e të cilës ishte gati 1.5 milion lekë më e ulët nga fondi limit, dhe më e larta nga të gjitha propozimet e tera.

Kompania do të kërkojë më pas një shtesë fondesh për zëra të rinj punimesh që nuk ishin parashikuar në preventiva, si dhe shtyrje të afatit të përfundimit të punimeve, të cilat po ashtu miratohen. Vlera përfundimtare e kontratës do të shkojë në 101,965, 575 milionë lekë me TVSH.

Sipas SPAK, Balluku dhe vartësit e saj “kanë paracaktuar dhe kanë krijuar avantazhe dhe privilegje për shoqërinë ‘Eurocol’ duke siguruar në mëyrë të tërthortë vlerën e përfitimit të parregullt të dhënë nga administratori i shoqërisë "Eurocol" sh.p.k, shtetasi Pandeli Carapuli, që konsiston në pasurinë, Vila F6, me vendndodhje, Kompleksi "White Rocks".

Në këmbim, Balluku mori ryshfet vilën në Dhërmi me vlerë 145 mijë euro, e cila është sekuestruar me vendim GJKKO më 4 qershor. 

Ora 17:08
Tare kontratë qiraje me vartësen e Ballukut në maj 2022, SPAK: Ish-zvkryeministrja e përdori vilën që nga qershori 2019

1781795751_iglitare.jpg

Kontrata e qirasë që Igli Tare ka lidhur me Joana Bushin, vartëse dhe ish shefe e kabinetit të Belinda Ballukut, “është fiktive dhe është bërë për të humbur gjurmët e poseduesit real të kësaj pasurie” që për SPAK është pikërisht ish zvkryeministrja.

Nga dosja hetimore rezulton se kontrata e qirasë, e cila nuk është lidhur përpara një noteri, mban datën 25 maj 2022, dhe niste më 1 qershor 2022 me kohëzgjatje 2 vjeçare, për një pagesë prej 450 euro në muaj. Dy vjet më pas kontrata amendohet duke rritur qiranë muajore në 600 euro.

Sipas SPAK, Balluku rezulton ta ketë përdorur në mënyrë të rregullt që nga viti 2019, kur vilat kanë nisur t’u dorëzohen personave të besuar.

Ne telefonin e Viola Haxhiademit, hetuesit kanë gjetur një grup në Whatsapp, të krijuar në qershor të vitit 2019 nga Balluku i titulluar “Dhërmi”.

“Në këtë grup bëjnë pjesë shtetasit Belinda Balluku, Viola Haxhiademi, Matilda Kërçaku, Maksim Ethemaj dhe Alketa Pano”, të gjithë persona që rezultojnë të kenë njësi banimi në kompleksin “White Rocks”.

“Emri i grupit është titulluar "Dhërmi”, për shkak të vendndodhjes së këtyre njësive të banimit, ky grup është krijuar që shtetasit e mësipërm të koordinoheshin me njëri-tjetrin gjatë kohës që ndodheshin në kompleks”, shkruhet në dosjen e SPAK, ku vihet në dukje se “mungon emri i shtetases Joana Bushi, e cila ka lidhur fiktivisht kontratën e qirasë me shtetasin Igli Tare, për vilën F6, vilë e cila de facto rezulton të jetë e shtetases Belinda Balluku”.

Ora 17:05
Vila në Dhërmi, Ballukun e ‘tradhtuan’ antenat e kompanisë celulare

Për të vërtetuar se Balluku është poseduesja e vërtetë e vilës në kompleksin “White rocks”, Spak ka analizuar edhe të dhënat e marra nga një kompani celulare, pranë së cilës ish zëvendëskryeministrja kishte rregjistruar numrin e saj të telefonit. Sipas dosjes 6 antena që mbulojnë pozicionin gjeografik të kompleksit turistik kanë lokalizuar praninë e Ballukut në zonë.

Përgjatë vitit 2024 ajo rezulton ta ketë frekuentuar më shpesh, në muajt e verës, në qershor 7 ditë, në korrik 17 ditë të ndara në tre interval kohore, ndërsa në gusht të paktën 8 herë.

“Për muajt e tjerë të vitit është lokalizuar në muajin mars, në datat 28, 30, 31, në muajin prill në datat 06, 07, 20, 21, 25, 26, në muajin maj, në datat 05, 06, 25, 26, në muajin shtator, në datë 14, në muajin tetor, në datën 29, në muajin nëntor, në datat 06 dhe 07 dhe në muajin dhjetor, në datat 25 dhe 26”, shkruhet në dosjen e SPAK.

Për vitin 2025 numri i saj i telefonit është lokalizuar në muajt janar, qershor, korrik, gusht dhe tetor të këtij viti. Për vitin 2026 është lokalizuar në datën 28 shkurt dhe në datën 01 mars. Të njëjtën gjë SPAK e ka vërtetuar edhe me telefonat e fëmijëve të Ballukut.

Ora 16:57
Vila në Dhërmi, SPAK: 'Netflix' në televizor ishte hapur nga emaili i Ballukut

1781075296_belindaballuku.jpg

Kontrollet e ushtruara, nga ana e policisë gjyqësore në vilën F6, në kompleksin "White Rocks", në 27 prill të këtij viti, dëshmojnë sipas SPAK se “ajo është përdorur rregullisht nga shtetasja Belinda Balluku, pasi arredimi dhe pajisjet elektronike janë vendosur dhe përdorur prej saj dhe familjarët e saj”, duke përmendur piktuar apo zbukurime festash në emër të fëmijëve të saj.

Po ashtu, në dosje evidentohet fakti se “në televizorin që gjendej në dhomën e ndenjes së vilës, është konstatuar i hapur "Netflix" me email-in e llogarisë "[email protected]", ku gjenden si përdorues emrat e shtetases Belinda Balluku dhe të fëmijëve të saj”

Ora 16:52
Vila në Dhërmi, email-i i vartëses së Ballukut: Po të dërgoj fotot e Belës, ka vizatuar dhe ku do bëhet pishina

Komunikimet e vartësve të Ballukut, dëshmojnë se ato ishin në dijeni të plotë dhe me detaje të faktit që shefja e tyre posedonte një vilë në Dhërmi. Viola Haxhiademi, drejtoreshë e Departamentit Administrativ në Albcontrol, një emër që e ka shoqëruar Ballukun dhe kur ajo u bë pjesë e qeverisë, e dëshmon qartë në një komunikim me motrën e saj Dorela, se vila e Belës do të jetë ngjitur me atë të familjes së saj

Në datën 13.02.2018, në orën 20:27, nga adresa e postës elektronike [email protected], dërgohet email në drejtim të postës elektronike “[email protected]". Email-i ka përmbajtjen:

"Zemër, Po të dërgoj fotot e Belës që të kuptosh në ç’fazë është shtëpia. Të kam dërguar dhe planin e projektit për te parë për cilën bëhet fjalë. Bela ka f5 ndërsa ne kemi f6. Po të shikosh në foton që kam bërë më afër me vilat ka vizatuar dhe ku do bëhet pishina. Më pëlqen shumë. Puuuuссссс".

Mesazhi është gati një vit përpara se e ëma e Viola Haxhiademit, Eleni, të firmosë kontratën e porosisë për Vilën F5, më 24 Janar 2019. Ndërkohë që për vilën tjetër F6, e cila sipas SPAK, posedohet nga Balluku, kontrata e porosisë ishte bërë nga Igli Tare më 5 dhjetor 2018. Ky është dhe muaji i përcaktuar për përfundimin e punimeve. Sipas dosjes, çmimi i vilës është 145 mijë euro, por Tare rezulton të ketë paguar vetëm 70 mijë më 17 dhjetor 2012. “Pjesa tjetër prej 75 mijë eurosh nuk është paguar ende”, thotë SPAK.