Për muaj të tërë, protesta ishte një zhurmë që pushteti mund ta duronte. Me retorikë, me kundërretorikë, me premtime për besnikëri dhe besë, Edi Rama mendoi se mund ta administronte pakënaqësinë, ta lodhte kundërshtarin dhe ta linte kohën të bënte punën e saj. Por kur protesta radikalizohet, kur përplasja zë vendin e fjalës dhe ultimatumi zë vendin e kërkesës, nuk kemi më të njëjtën situatë. Kemi dështimin e një mënyre administrimi të krizës.

Dje dhe sot, ky dështim u bë më i dukshëm. Pas katër muajsh protestash, vendi përballet me një pyetje që nuk mund të shmanget më: si dilet nga kriza pa e futur shtetin në një krizë edhe më të madhe?

Në deklaratën e tij për Reuters, Rama e bëri të qartë se nuk do të japë dorëheqjen. Ai argumentoi se qeveritë ndryshohen me zgjedhje demokratike, jo me revolucion, dhe se largimi i tij do të tradhtonte mandatin e marrë nga shqiptarët për të përfunduar negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Është një argument që ka peshën e vet sepse një objektiv strategjik kombëtar nuk duhet të vihet peng i dhunës. Por integrimi europian nuk mund të shërbejë as si mburojë ndaj çdo kërkese për përgjegjësi politike.

Pra, Rama ka të drejtë kur thotë se dhuna nuk mund të zëvendësojë votën. Por zgjedhjet e vitit të kaluar nuk e çlirojnë qeverinë nga detyrimi për të dëgjuar qytetarët sot. Mandati është autorizim për të qeverisur, jo çek i bardhë për të shpërfillur pakënaqësinë. Po kështu, zemërimi i protestuesve mund të jetë i kuptueshëm, por nuk i jep askujt të drejtën të djegë institucione, të shkatërrojë pronë publike apo të imponojë vendime me dhunë.

Në këto kushte, nga qarqe mediatike pranë Sali Berishës dhe nga protestues që kërkojnë të mbeten anonimë po artikulohen kërkesa dhe ultimatume që: Presidenti të shpërndajë Parlamentin, të mbledhë partitë në një tryezë dhe të hapë rrugën për një qeveri teknike. Por këtu nis paradoksi. Presidentit i kërkohet të bëjë atë që Kushtetuta nuk ia jep si kompetencë. Një krizë politike nuk zgjidhet duke shpikur kompetenca institucionale. Dhe një ultimatum, sado i zhurmshëm, nuk mund të zëvendësojë procedurën kushtetuese.

Kush kërkon ndërhyrjen e Presidentit duhet të tregojë jo vetëm se çfarë dëshiron, por edhe mbi çfarë baze ligjore e kërkon. Për më tepër, këto kërkesa e kthejnë institucionin e Presidentit thjesht në një skenë ku palët projektojnë ambiciet e tyre. Për më keq, në situatën kur protestuesit mbeten anonimë, në përfaqsimin e tyre politik, kërkesat për shpërndarje të Kuvendit, për organizim të tryezave të partive politike dhe për krijimin e një qeverie teknike prodhojnë thjesht rikthimin e Berishës në vendimarrjen politike.

Thënë këtë nuk duhet harruar se përgjegjësia kryesore për situatën e krijuar bie mbi kryeministrin Rama. Ai nuk mund të ftojë për dialog në mëngjes dhe të vazhdojë me të njëjtën retorikë në mbrëmje. Dialogu nuk është një fjalë për të fituar kohë, por një ofertë që duhet të ketë përmbajtje. Nëse qeveria beson se ka ende legjitimitet, le ta provojë këtë me guximin për të ofruar një rrugë të qartë drejt zgjedhjeve parlamentare.

Rama mund të propozojë, bazuar në shfrytëzimin e instrumentave kushtetues, një marrëveshje politike për zgjedhje të parakohshme në harkun e 45 ditëve. Nëse protestuesit duan gjashtë muaj apo edhe një vit kohë që të organizohen në alternativë politike le të hartohet një kalendar i dakordësuar si garanci për administrimin e procesit dhe angazhim të të gjitha palëve për të respektuar rezultatin. Kjo nuk do të ishte dorëzim i pushtetit ndaj rrugës. Do të ishte konkretizimi i një dialogu produktiv që mundëson kthimin e konfliktit tek vota që është edhe arena demokratike e zgjidhjes së konflikteve.

Në një rajon ku destabilizimi mund të shfrytëzohet nga aktorë të jashtëm me interesa dashakeqe, Shqipëria nuk ka luksin ta lërë krizën të ushqehet nga paqartësia. Por, as rreziku i ndërhyrjeve të jashtme nuk duhet të përdoret si alibi për të heshtur protestën. Kushtetuta ka krijuar hapsira që i japin mundësinë qytetarëve të ndryshojnë pushtetin pa e shembur shtetin.

Rama duhet të zgjedhë mes një oferte konkrete dhe pritjes me kokfortësi që kriza të shuhet vetë. Protestuesit duhet të zgjedhin mes zemërimit dhe përgjegjësisë politike.

Sepse kur rruga kërkon pushtetin, por nuk ofron alternativën, demokracia rrezikon të mbetet peng i një pyetjeje pa përgjigje: kush do të vijë nesër dhe me çfarë mandati?

Dhe pikërisht këtë përgjigje nuk mund ta japë as ultimatumi, as retorika, as një President përtej kompetencave të tij. Mund ta japë vetëm një marrëveshje kushtetuese që ia kthen fjalën qytetarit dhe vendimin votës. Sepse demokracia nuk është as pushteti që nuk largohet kurrë, as turma që vendos gjithçka. Është rendi ku askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk ka të drejtë ta zëvendësojë atë me forcë./TemA