VIP-at e drogës, 22 ditë hetime
që çuan në pranga biznesmenët

TIRANE- Kanë mjaftuar vetëm 22 ditë hetime që Prokuroria e Krimeve të Rënda të zbulojë dhe arrestojë disa prej biznesmenëve njëherësh pronarët e sasisë së drogës prej 700 kg në Durrës. Ka qënë një informacion i marrë në rrugë operative, që ka shërbyer për nisjen e hetimeve në 25 shtator të këtij viti.

Ditët në vijim kanë qënë shumë të ngjeshura për prokurorinë, pasi personat që dyshohet se mereshin me aktivitet kriminal kanë qenë mjaft aktivë në sigurimin e drogës, me qëllimin e vetëm të trafikimit të saj në Itali.Pas 22 ditësh përgjime dhe vëzhgime në terren, me urdhër të prokurorit Genti Trenova ka nxjerrë 9 urdhër arresti, ku 7 prej tyre janë ekzekutuar nga policia të cilët janë Iqmet Pashollari, pronari i Vilës, Fetsim Xhelilaj, transportues i lëndës narkotike,

Lutfi Xeka,kultivues i kanabisit, Qerim Xeka, kultivues i kanabisit, Pajtim Braçaj biznesmen/financues, Ajet Sulaj biznesmen/financues, Bejto Kotaj, biznesmen/financues. Ndërkohë që vijojnë të jenë dy vllezër në kërkim si Valter e Eugen Pashollari, paketues i kanabisit. Gazeta “Shqiptarja.com” zbardh të plota raportet e vëzhgimit që zbuluan grupin e biznesmenëve trafikantë.

Droga, nga Krujae Mallakastra

Regjistrimi i procedimit është bërë pasi në 25.09.2015 nga informacionet ka rezultuar se disa shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin në formën e grupit të strukturuar kriminal gjatë muajve korrik qershor-korrik 2015 e në vazhdim, grumbullojnë sasi të mëdha lënde narkotike, e cila magazinohej në qytetin e Shkodrës, në objektin e shtetasit Bejto Kotaj, për qëllime të trafikimit jashtë shtetit.

Ndërkohë në informacionet në vijim rezulton se me gjetjen e lëndës narkotike merren dhe shtetasit me emrat Alket e Skënder, të cilët kanë investuar në kultivimin e drogës, në fshatin Panahor, Mallakastër, gjë për të cilën kujdeset shtetasi me emrin Papi, si dhe në fshatin Xeka, Krujë, nëpërmjet shtetasve Qerim dhe Lutfi Xeka.

Nga të dhënat e deritanishme rezulton se shtetasi me emrin Pajtim Braçaj, në bashkëpunim me personin e quajtur Naim, kryen transportimin e lëndës narkotike nga subjekti Qerim në drejtim të pikës së grumbullimit në Durrës. Pajtimi dhe Naimi për të bërë transportimin, përdorin automjetin tip “Passat” ngjyrë e zezë me targa “AA 156 JN”. Për qëllime të hetimit është autorizuar kryerja e veprimeve të vëzhgimit, përgjimit ambjental në lidhje me lëvizjet, takimet e personave të dyshuar.

Raport vëzhgimi 08.10.2015

Objekti ka lëvizur i vetëm me mjetin e tij tip “Range Rover” ngjyrë të bardhë me targa “AA 151 JG” nga qyteti i Fierit drejt qytetit të Tiranës. Pasi futet në banesën e tij, e cila ndodhet në pallatin e tij që ndodhet në pallatin shumëkatësh, përballë Drejtorisë së Policisë së Tiranës në rrugën “Sami Frashëri”, objekti nuk është dalë të dalë nga drejtimi i banesës.

Raport vëzhgimi 09.10.2015

Shtetasi Alket(Ajet) Sulaj ka lëvizur i shoqëruar nga bashkëshortja e tij me mjetin tip “Range Rover”, ngjyrë të bardhë me targë me targë “AA 151 JG”. E shoqja e tij ka frekuentuar parukerinë “Frida” në rrugën “Hoxha Tasim”, ndërsa objekti ka futur mjetin e tij, tek një lavazh aty pranë dhe ka pirë kafe i vetëm, tek lokal “Oslo”. Mbasdite shtetasi Alket Sulaj, ka takuar Pajtim Braçaj dhe disa persona të tjerë. Ka frekuentuar lokalin “Library” përballë banesës së tij në rrugën “Sami Frashëri”, kompleksi “Tajvan”, “Luna Park“ dhe “Xhoi Lloto” në rrugën “R. Çollaku”.

Raport vëzhgimi 10.10.2015

htetasi Pajtim Braçaj paradite ka lëvizur me mjetin tip “Golf” me targa AA 699 GH, ka frekuentuar kompleksin “Taivani” dhe qendrën tergtare “TEG”. Ka takur shtetasin Alket Sulaj, si dhe tre persona të tjerë dhe drejtuesi i mjetit me targa AA 190 IR. Gjithashtu shtetasi Pajtim Braçaj, ka lëvizur me mjetin me targa AA 699 GH, i vetëm drejt qytetit të Vlorës, ku në afërsi të vendit të quajtur “Pusi i Mëzinit”, në rrugën e vjetër, takon shtetasin Naim Xhelilaj, drejtuesin e mjetit me targa AA 156 JN dhe të dy mjetet lëvizin drejt Durrësit. Mjeti me targë AA 156 JN, lëviz në rrugën “Glaukia” drejt Porto Romanos pa u vëzhguar, ndërsa shtetasi Pajtim Braçaj me mjetin e tij kthehet në Tiranë.

Raport vëzhgimi 11.10.2015

Pajtim Braçaj me bashkëshorten e tij, kanë dalë nga drejtimi i banesës në mesditë, kanë frekuentuar lokalin “Syri i kaltër” në rrugën “Myslym Shyri”. Pasi është ndarë nga bashkëshortja shtetasi Pajtim Braçaj, ka frekuentuar “Xhoi Lloto”, e cila ndodhet përballë kompleksit “Taivani” dhe këtë të fundit. Ka takuar vllain e shtetaist Alket Sulaj, Mitatin dhe disa persona të tjerë, të cilët punojnë tek kompleksi në fjalë.

Raport vëzhgimi 12.10.2015

Shtetasi Alket (Ajet) Sulaj ka lëvizur me mjetin e tij me targa AA 151 JG, ka takuar shtetasin Qerim Xeka, tek karburanti “Bolv Oil” më pas ka frekuentuar lokalin tek karburanti “Kastrati” në Vorë. Në mbrëmje shtetasi Alket Sulaj del nga lokali, hipën në mjetin e shtetaist Pajtim Braçaj me targa AA 699 GH, i cili vinte nga drejtimi i Fushë-Krujës, së bashku me mjetin tip Passat me targa AA 156 JN e lëvizin drejt Durrësit. Mjeti me targa AA 156 JN futet tek vila në Durrës, ndërsa shtetasi Alket Sulajt dhe Pajtim Braçaj, me mjetin e këtij të fundit kthehen në Vorë, këtu shtetasi Alket Sulaj mer mjetin e tij me targa AA 151 JG dhe së bashku lëvizin drejt Tiranës.

Raport vëzhgimi 13.10.2015

Alketi ka lëvizur me mjetin e tij drejt Mamurrasit, ku tek lokali i karburant “Eri” është takuar me Bejto Kotaj (shkodranin) dhe më pas tek kompleksi “Europa Park” Qerim Xekën.Në mbrëmje shtetasi Alket Sulaj takohet me djalin e madh btë shtetasit Qerim Xeka, tek kompleksi “Nord Park”, i cili ndodhet në afërsi të urrës së “Gjoles”.

Raport vëzhgimi 14.10.2015

Shtetasi Qerim Xeka ka lëvizur me mjetin e tij me targa AA 050 IA,ka takuar shtetasin Alket Sulaj, tek karburanti “Bolv Oil”, pranë sheshit “Shqiponja” në Tiranë dhe më pas është kthyer në Krujë. Në të gdhirë të datës 15.10.2015 shtetasi Qerim Xeka takon shtetasin Naim Xhelilaj, tek parking i kompleksit “Nord Park” dhe të dy mjetet lëvizin drejt Krujës.

Pas 10 minutash drejt Krujës lëviz dhe shtetasi Alket Sulaj dhe Pajtim Braçaj, me mjetin e këtij të fundit me targa AA 699 GH…..

13 numra në përgjim

Pas këtyre raport vëzhgimeve Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vendosur të verë në përgjim 13 numra telefoni që u përkisnin personave të përfshirë në këtë ngjarje kriminale.Në ditët në vijim është marrë informacion më i hollësishëm duke kryer dhe arrestimin e këtyre personave.

Gjykata mbyll në qeli shtatë të arrestuar, dy janë në kërkim

Gjykata mbylli në qeli 7 të arrestuarit me rreth 700 kg hashash në laboratorin e përpunimit të drogës në Durrës dhe me vendim gjykate shpalli në kërkim dy të tjerë. Gjyqtarja Flora Hajredinaj, pasi dëgjoi avokatët, të dyshuarit dhe prokurorin e çështjes, vendosi të cilësoi të ligjshëm arrestimin e 7 të dyshuarve dhe caktoi ndaj tyre masën e sigurisë “arrest me burg” deri në përfundim të hetimeve.

Këtë masë sigurie, gjykata i komunikoi biznesmenevë Ajet Sulaj e Pajtim Braçaj, nipit të tyre Festim Xhelilaj, babë e bir Qerim e Lutfi Xeka si dhe shkodranit Bejto Kotaj. Po këtë masë sigurie, gjykata dha edhe për 61 vjeçarin Iqmet Pashollari në shtëpin e djemve të cilit policia gjeti dhe sekuestroi drogën së bashku me pajisjet që shërbenin për paketimin e saj.

Ndërkohë u shpallën në kërkim dy djemt e 61 vjeçarit Pashollari, të cilët mendohet se janë të përfshirë në paketimin e lëndës narkotike, që sillej nga Mallakastra,Shkodra dhe Malësia e Krujës. Ndaj të dyshuarve, prokruoria përveç akuzës së “trafikimit të lëndëve narkotike” ka ngritur dyshime se ky rrjet funksiononte si “grup i strukturuar kriminal”. 

Të arrestuar

Iqmet Pashollari pronari i vilës
Festim Xhelilaj, transportues i lëndës narkotike
Lutfi Xeka, kultivues i kanabisit
Qerim Xeka, kultivues i kanabisit
Pajtim Braçaj, biznesmen/financues
Ajet (Alket) Sulaj, biznesmen/financues
Bejto Kotaj, biznesmen/financues

Në kërkim:

Valter Pashollari, paketues i kanabisit
Euglen Pashollari, paketues i kanabisit


 
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Përplasen dy trena në Bullgari, 2 persona humbin jetën dhe 6 të tjerë plagosen

Përplasen dy trena në Bullgari, 2 persona humbin jetën dhe 6 të tjerë plagosen