KORÇË- Shqipëria nuk është e rrezikuar nga Virusi Ebola. Kështu ka deklaruar ministri i shëndetësisë Ilir Beqaj gjatë një vizite në doganën e Kapshticës. Sipas tij, udhëtarët që vijnë nga afrika për në Shqipëri, ndalojnë në aeroporte të ndërmjetme ku ka kontrolle paraprake.
 
 
“Shqipëria nuk është e cënuar. Shqipëria nuk është e rrezikuar. Fluksi i udhëtarëve që mund të vijnë nga vendet e Afrikës, vijnë nga aeroporte të ndërmjetme ku ka një kontroll paraprak. Së dyti vetë organizata botërore e shëndetësisë ka deklaruar që nëpërmjet transportit ajror është praktikisht zero mundësia që të përhapet kjo sëmundje.”- tha Beqaj
 
 
 
Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, vizitoi në pikën kufitare të Kapshticës një qendër shëndetësore që është hapur për t’i ardhur në ndihmë në rast nevoje të gjithë qytetarëve që kalojnë në këtë doganë.
 
“Qendra shëndetësore do t’u vijë në ndihmë udhëtarëve kur ka fluks të lartë. Qendra do të qëndrojë e hapur vetëm në raste festash dhe kur ka fluks lëvizjesh”, u shpreh ministri Beqaj.
 
Redaksia Online
(a.h/e.s/shqiptarja.com)