- Zoti Visha, si ju duk ju personalisht votimi sot në Parlament?
- Shpreh keqardhjen për formën sesi u procedua, dhe përmbajtjen sesi u realizua, dhe të dyja bashkë prodhuan një rezultat të përçudnuar dhe jo të vërtetë.
- Po pse çfarë rezultati prisnit në fakt?
Prisja një rezultat që duhet të ishte demokratik, i lirshëm dhe i vërtetë, pavarësisht faktit nëse unë do të fitoja ose jo.
- Ka një pikëpyetje shumë të madhe dhe këtë e bëjnë gjithë qytetarët që e kanë ndjekur këtë proces. Fatmir Mediu votoi kundër jush. Keni ndonjë mesazh për ti dhënë nëpërmjet kësaj interviste?
- Nuk kam asnjë mesazh për t'i dhënë askërrkujt, pasi nuk kam kërkuar vota në emra të përvetshëm. I kam kërkuar gjithsecilit të shprehej lirshëm, me një vullnet të padiktuar politikisht, duke konsideruar faktin që nuk votohej për një post politik, por për një vend vakant në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Këshill i cili si organ i qeverisjes gjyqësore do të duhej të ishte dhe të jetë padyshim, i pavarur dhe i pandikuar nga politika. Konsiderimi si një betejë politike e pastër i votimit parlamentar për këtë vend përbën të vetmen gjë që do të duhej të shmangej, apo edhe nga pikëpamja personale t'a shmangia përsa i përket këtij procesi.
- Megjithatë, për tre vjet që ju e njihni shumë mirë zotin Mediu duke qenë avokat i tij, takime, dreka, darka, kafe, procese gjyqësore...në të gjitha kuptimet e "shpëtuat" nga burgu, ju duket personalisht e moralshme që ai të votonte kundër jush?
- E përsëris, mendoj dhe do të doja shumë që Kuvendi të vendoste mbi kandidaturën e mundshme të anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në mënyrë të pandikuar nga fakti që ky votim do të përcaktonte maxhoranca të caktuara, fluide ose jo të tij, e që do të kishte pasaj edhe rrjedhojë për zgjedhje të ardhshme po kuvendore të Presidentit të Republikës, domethënien e tyre. Nuk e kam parë kandidimin tim në këtë këndvështrim. Fatkeqësisht, kështu u konsiderua nga politika qeverisëse dhe në këtë këndvështrim, votimi i zotit Mediu ishte i detyruar.
- Po insistoj edhe njëherë, unë nuk ju pyeta sesi u soll kuvendi, pyeta personalisht për zotin Mediu. Dmth, pavarësisht detyrimeve që mund të ketë brenda koalicionit, personalisht ndaj jush, avokatit të tij, nuk ka detyrime?
- Nuk mund të interpretoj rezultatin e gjithsecilës votë dhe nuk jam lakonik fare në këtë që po ju them, kur gjykoj se zgjedhja e tij u bë në formë dhe në përmbajtje të padrejtë.
- Ndërkohë dua t'ju pyes edhe për votën e LSI që u përça në parlament, dmth një ministër votoi pro, ndërsa tre deputetë nuk morën pjesë fare në votim. Keni kontaktuar me ta, apo kjo ka qenë bindje e brendshme e LSI?
- Unë e vlerësoj qëndrimin e tre deputetëve të LSI, e konsideroj atë në planin privat si person jo vetëm nderëbërës, por edhe në atë të përgjithshëm si një qëndrim luajal që në këndvështrimin tim privat tashmë, është edhe qëndrim që përgjithësisht LSI ka mbajtur në drejtim të ndërtesës së gjyqësorit në këtë vend dhe rritjes apo kultivimit të kësaj ndërtese me individë që gjithsesi kalojnë nga votimi politik. Përsa i përket votës së zotit Naço, e çmoj njëlloj si për votën e zotit Mediu, duke qenë se kishte statusin e ministrit, pra, kishte një detyrim edhe të karakterit administrativ.
- Pse po thoni se LSI është e angazhuar për sistemin e drejtësisë? Kujtojmë se ka një sensibilitet negativ dhe akuza për ndërhyrje në gjyqësor pas gjyqit të famshëm Meta-Prifti. Mos ndoshta me këtë nder, ktheheshit edhe ju një vegël në duart e LSI?
- Mua më pëlqen të kem opinionet e mia të pavarura nga opinioni populist po ta quajmë kështu dhe nga këndvështrimi që njerëzit bëjnë për gjykime sipërfaqësore të gjërave. Shoh vijimësinë e votimeve të kësaj force në parlament dhe në vlerësimin tim kanë qenë gjithmonë pozitiv përsa i përket përbërjes së gjyqësorit.
- Si ju duk qëndrimi i PS? Ju thonit në fakt që nuk donit vetëm votat majtas, por edhe ato të së djathtës. Por në fakt pati një lloj "revolte" të deputetëve të PS...
- Nuk jam i vetëdijshëm të ketë pasur revoltë. Natyrisht që ka pasur kundërshtime, për faktin që qëndrimet e mia profesionale të cilat unë gjykoj se i kam mbajtur ndershmërisht përsa besoj bien ndesh me qëndrime të caktuara politike të kësaj force. Megjithatë, kjo nuk e ka penguar këtë forcë politike të më kandidojë në këtë vend të nderuar të anëtarit të KLD. Në këtë pikëpamje, unë jam në borxh moral ndaj kësaj force politike. Sinqerisht që i vlerësoj dhe jam i respektuar ndjeshëm prej besimit të tyre, nuk do t'i zhgënjeja nëse unë do të bëhesha anëtar i KLD, në vlerat që kjo forcë beson dhe në vlerat që e gjithë politika shqiptare duhet të besojë. Më vjen keq që vajti në këtë mënyrë, besoj që përveç falenderimit nuk kam se ç'të them tjetër.
- Pse thoni se "nuk do t'i zhgënjeja". Ju do të ishit një anëtar KLD-je në funksion të PS?
- Absolutisht, por nuk kam besuar që PS po zgjedh një anëtar KLD-je me idenë që "ky nesër do të jetë vegla jonë politike". Për vetë faktin që unë shpreha gjëra që kanë të bëjnë me bindjen time profesionale të kundërta me interesa politike të caktuara të PS, ajo sakrificë po ta quajmë kështu, e Partisë Socialiste për propozimin tim, për mua është një domthënie e madhe e panxitur nga interesa partiake.
- Një tjetër pikëpyetje shumë e madhe për votimin e sotëm (të djeshëm) është vota e Kastriot Islamit...
- Nuk do të doja t'a komentoja. Më vjen vërtet keq, vetëm kaq.
- Ndërkohë kur kemi parë ballafaqimin tuaj në komisionin parlamentar të ligjeve, pati një përplasje shumë të madhe mes jush dhe Ina Ramës nëpërmjet shkresave. Prokurorja e përgjithme çoi në komision një shkresë, në fakt, disi denigruese për figurën tuaj...
- Po, ishte denigruese, sepse e konsideronte personin tim si të "paetikë" në marrëdhëniet institucionale, vetëm konsideruar mbi këtë bazë aktin tim të dorëheqjes. Unë i qëndroj pikë për pikë aktit tim të dorëheqjes. Jam shprehur në këtë akt që nuk kam konsideratë dhe vazhdoj të mos kem konsideratë për këtë zonjë përsa i përket aktit që ajo inicioi që kishte të bënte me transferimin jo vetëm timin, por të 14 prokurorëve nga prokuroria e Përgjithshme në vende të ndryshme gjeografike. Përsa i përket kësaj shkrese e konsideroj një shprehje të vogëlsisë të shpirtit institucional, nëse më lejohet të shprehem kështu, të saj apo kujtdo qoftë pas saj, pasi është absurde të vlerësohet kështu një njeri kur ka kontribuar për 10 vjet me ndershmëri, sakrificë dhe prova të pashembullta në të mirë të shoqërisë dhe jo të vetin. Kështu e çmoj pa modesti veten. Gjithashtu çmoj se ka mashtrim në këtë shkresë, pasi nga njëra anë thotë se nuk ka vlerësim të punës së prokurorit sepse nuk kishte nga këto vlerësime të tilla zyrtare dhe fatkeqësisht edhe pse ka ligj që duhej bërë ky vlerësim, ende nuk ka sistem vlerësimi për prokurorët dhe kjo është një mangësi tjetër, por nuk është rasti të zgjatem më tej, por po them për vete që në dhjetorin e 2007 kur kjo zonjë shpërbleu prokurorët e mirë për punën e tyre, personi im u shpërblye dyfishim e çdo prokurori tjetër pasi u çmua puna e bërë prej meje në atë kohë. Mjaftonte vetëm kaq për të shkruar, ose për të mos shkruar keq.
- Ju flisni për këtë proces të përfunduar, por minimalisht kemi parë reagimet e opozitës pas seancës, duke përmendur kreun e grupit të PS Gramoz Ruçi që deklaroi se nuk e njohin këtë proces se ishte antidemokratik...që do të thotë se ndoshta gjithçka mund të rikthehet. Ju do të merrnit këtë rrisk për herë të dytë?
- Tashmë problemi është politik dhe unë kërkoj të qëndroj jashtë tij. Përsa i përket interesit tim personal mund të them se nga pikëpamja morale kam dalë absolutisht i fituar dhe kërkoj ta ruaj këtë fitore për të ardhmen time. Nuk mbaron jeta ime profesionale me kaq.
- Pra s'do të donit të hynit sërish në garë?
- Do të çmoja kushtet. Por rrethanat në të cilat u bë gara më bëjnë dyshues për një votim demokratik në Parlament.
- Keni ndonjë mesazh për zotin Cefa? Ju kurrë nuk e keni atakuar atë si person? Por si mendoni se do të zhvillohen ngjarjet në KLD?
- Unë kurrë nuk kam dashur të ngre konkurrime antivlerash. Ka qenë krejt e kundërta. Kam besuar dhe besoj te vetja dhe cilësitë e mia, i kam konsideruar ato subjektivisht superiore ndaj kandidatit tjetër.
(ab/sg/shqiptarja.com)