Të gjitha vitet e punës përpara vitit 1994, në ndërmarrjet shtetërore, në ato bujqësore si dhe në kooperativë do t’u njihen qytetarëve edhe nëse nuk janë të dokumentuara nëpër regjistrat shtetërorë.
Nga projektligji i depozituar tashmë në Parlament pritet të përfitojnë 40 mijë individë çdo vit që do të lidhin pension.
Ministria e Ekonomisë thotë se përmes njohjes së viteve të punës edhe të pa-dokumentuar shmangen zvarritjet e qytetarëve në dyer të gjykatave, ku ata shkojnë për njohjen e viteve.
“Miratimi i këtij projektligji eliminon proceset e zgjatura gjyqësore, që numëroheshin me mijëra çdo vit, kostot e rënda proceduriale dhe vitet e humbura, duke siguruar plotësim moshe pensioni për më shumë aplikues dhe krijuar një sistem më të thjeshtë e më të drejtë sigurimesh shoqërore për të gjithë përfituesit”, shprehet ministri Blendi Gonxhja.