TIRANE - Banka e Shqipërisë në vitin 2014 ka realizuar një fitim neto prej 1.3 miliardë lekësh. Ky fitim është më i lartë se ai i parashikuar, megjithë problematikën me të cilën u përball institucioni në vitin 2014.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka  bërë te ditur se miratoi Pasqyrat Financiare për vitin 2014, të cilat, së bashku me raportin e audituesit të pavarur KPMG Albania Shpk, janë pjesë e Raportit Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2014.
Në fund të vitit 2014, totali i aktiveve të Bankës së Shqipërisë është 433 miliardë lekë, rreth 37 miliardë lekë më i lartë se në fund të vitit 2013. Peshën më të lartë në totalin e aktiveve e zënë investimet në letra me vlerë të huaja, pjesë e portofolit të manaxhimit të rezervës valutore, me 57%.
Sipas BSH-se, niveli i fitim neto prej 1.3 miliardë lekësh reflekton shkurtimin e shpenzimeve nga ana e Bankës së Shqipërisë, me qëllim absorbimin e humbjes së rezultuar nga diferencat në arkë në muajin korrik 2014. Pavarësisht këtyre shkurtimeve, si rezultat i angazhimit maksimal të strukturave operacionale të Bankës së Shqipërisë, u bë e mundur të garantohej vijimësia e aktivitetit të përditshëm të Bankës së Shqipërisë.
2015-BSH-ja pritet të derdhë në buxhetin shtetit rreth 951 milionë lekë
Mbështetur në dispozitat e ligjit "Për Bankën e Shqipërisë", brenda katërmujorit të parë të vitit 2015, pritet që të derdhet në buxhetin e shtetit fitimi i mbetur prej rreth 951 milionë lekësh, beri te ditur ne njoftimin per shtyp Banka e Shqiperise. Objektiv i rëndësishëm i Bankës së Shqipërisë mbetet përgatitja dhe raportimi i pasqyrave financiare të vitit 2015, në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare të kontabilitetit dhe raportimit financiar.
Burime të tjera nga Banka e Shqipërisë pohojnë se për 2015-n në variantin e fundit të miratuar nga Këshilli Mbikëqyrës, banka parashikohet të dalë me një fitim minimal prej 76 mln lekë. /ATSH/