Arka e shtetit ndodhet në ditë të mira, miliona euro po mblidhen nga taksat e tatimet por ritmi nuk është i njëjtë për investimet, që vijojnë në ngërç. Afro 1.1 miliardë euro u mblodhën në dy muajit e parë të vitit, rreth 130 milionë euro më shumë se vjet thotë Ministria e Financave, me kontributin kryesor të taksimit të punës dhe të konsumit.
Shtimi i punësimit i shoqëruar me rritjen e pagave në sektorin shtetëror por edhe në atë privat si pasojë e aksionit kundër nëndeklarimit të pagave, ndikuan më së shumti në rritjen e të ardhurave në këtë periudhë. Në total u mblodhën 135 milionë euro nga ky tatim ose 30 milionë euro më shumë se vjet.
Për pasojë janë rritur edhe të ardhurat që shkojnë në fondin e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, që në 2-mujor kanë arritur në 300 milionë euro ose 31 milionë euro më shumë se viti 2024. Krahas punësimit e pagave, rritje me 17% është regjistruar edhe në të ardhurat e mbledhura nga TVSH-ja, që lidhet direkt me konsumin, që sipas sinjaleve është në rritje. Ministria e Financave thotë se nga ky zë u mblodhën 161 milionë euro ose 23 milionë euro më shumë se vjet.

Edhe bizneset kanë rritur lehtë fitimet e tyre, pasi nga tatimi mbi fitimi u mblodhën 64 milionë euro rreth 4.4 milionë më shumë se vjet. Në rritje janë edhe të ardhurat doganore nga TVSH-ja, akciza apo renta minerare duke sinjalizuar shtim të konsumit dhe volum të lartë importesh.
Dymujori është mbyllur me suficit gati 230 milionë euro, pasi administratat mblodhën 1.1 miliardë, ndërkohë institucionet shpenzuan vetëm afro 940 milionë euro. Edhe pse shpenzimet janë në rritje me afro 100 milionë euro krahasuar me 2-mujorin e vitit të shkuar, përsëri institucionet janë të ‘dobëta’ për t’i shpenzuar ato kryesisht në investime publike.
Bazuar në të dhënat e ministrisë së Financave shpenzimet kapitale në janar e shkurt ishin 31 milionë euro, pasi institucionet kaq kanë shpenzuar për investime publike, ndërsa pjesa tjetër prej 907 milionë euro janë shpenzime korrente, për paga, sigurime, interesa borxhi etj. Rol në këtë ecuri të ngadaltë të shpenzimeve kanë edhe zgjedhjet e 11 majit, pasi projekte të panisura mund të konsiderohen elektorale nga KQZ nëse hapet gjatë këtyre muajve.
SI.E./I.M/Shqiptarja.comKomente

