Viti i Ri 2013: Ja çfarë do të
ofrojnë ekranet shqiptare

Viti i Ri 2013: Ja çfarë do të <br />ofrojnë ekranet shqiptare
Nata e ndërrimit të viteve, do jetë në fokus të ekraneve shqiptare me programet që ata kanë rezervuar posaçërisht për atë natë. E sigurisht që kryefjala do të jetë humori dhe muzika. THASH&THEM ka kontaktuar me regjizorët e programeve të ndryshme në televizonet shqiptare, për të zbuluar se çfarë do të ofrojnë për publikun atë natë.

Apartamenti 2Xl, Kryeministri Berisha premton pjesëmarrjen

Çdo të shtunë në Vizion Plus, vjen për shikuesit shou humoristik "Apartamenti 2 XL". Drejtori artistik i “Tring Dixhital” Turjan Hysko tha se, për këtë vit është rezervuar një shfaqje e veçantë, që do të zgjasë përreth 4 orë. "Është një shfaqje super e bukur, ku pjesë e saj do të jenë jo vetëm aktorët e "Apartamentit 2XL", por edhe shumë të ftuar. Të ftuarit janë personazhet më në zë të momentit dhe sigurisht ne jemi në pritje edhe të Kryeministrit Sali Berisha. I pyetur nëse kreu i qeverisë do të jetë prezent Hysko tha se, "çdo gjë është e mundur, ndaj dhe ne jemi në pritje të z. Berisha".

Duke u ndalur tek pjesët e humorit që karakterizojnë gjithnjë Apartamentin, ai tha se batutat dhe situatat do të jenë nga më të larmishmet dhe që do të pëlqehen nga publiku. Më herët aktorët e Apartamentit, Julian Deda, Gentian Zenelaj, Ermal Mamaqi dhe vet Drejtori Turjan Hysko, janë takuar me Kryeministrin Berisha. Ka qenë Juli ai që ka postuar një foto në Facebook, me mbishkrimin "sot ne takuam kryeministrin e Shqiperise z. Sali Berisha. Nje pritje shume e perzemert nga ana e tij. Dhe ne fund nje premtim qe na gezoi.. Ndoshta Kryeministri Berisha do të bëhet pjesë e këtij shou natën e ndërrimit të viteve.



Portokallia konceptuar si një terminal aeroporti

Një shou i rëndësishëm humoristik është edhe programi që transmetohet çdo të diel në Top- Channel, "Portokalli". Regjisori Altin Basha ka pohuar se, skena e Portokallisë në këtë fundviti është konceptuar si një terminal aeroporti, ku të gjitha situatat dhe numrat do të zhvillohen në këtë terminal. Në këtë terminal do të vijnë dhe ikin njerëzit gjatë festave të fundvitit, duke u konceptuar si një holl ku do të priten të gjithë.

Prezantuesit Salsano Rrapi dhe Eneda Tarifa do të vijnë përkatësisht në rolin e pilotit të avionit dhe stjuardesës. Përveç humorit të zgjedhur do të ketë edhe performanca muzikore që nga ato folklorike, modernet por edhe nga ato klasike. Gjithashtu një tjetër risi e programit është edhe lidhja me emisionet e reja në Top Channel si, "Kush e ngriti Flamurin", i cili me humor do të quhet "Kush e uli Flamurin" apo edhe "Dua më shumë vendin tim". Një programacion mjaft i pasur për festat e fundvitit.




TVSH-ja thotë “Gëzuar 2013”

Gëzuar 2013" është titulluar programi i Vitit të Ri në TVSH, që vjen nën regjinë e Petri Bozos dhe që ka për autore Alda Bidën. Autorja ka pohuar se ky program do të jetë tërësisht ndryshe këtë vit. "Ai do të jetë në stilin e një udhëtimi që nis teksa hipim në furgonin me logon e TVSH-së. Nga TVSH-ja dhe pikërisht nga Tirana ne nisemi së bashku aktoren Rita Lati dhe Xhevahir Zenelin, duke shkuar nëpër të gjitha qytetet e Shqipërisë për të marrë të gjithë aktorët e tjerë të humorit. Më pas shkojmë në Razëm të Shkodrës dhe aty është ndërtuar një skenë shumë e këndshme.

Bida shprehet se, kjo shfaqje është ndërtuar jo vetëm si një reality shou, por edhe si një film, pasi kanë vendosur të shfaqin jo vetëm pjesët në skenë, por edhe momente të ndryshme të prapakuintave, për të lidhur të gjithë situatën. "Një moment që do të doja të veçoja është kur ne arrijnë në Vlorë dhe takojnë Manen, parodistin e katërt të qytetit bregdetar, i cili ka humbur zërin. Nuk do të donim të sillnim vetëm muzikë dhe humor, por kemi dashur të nxjerrim në pah edhe anën njerëzore", ka thënë autorja Alda Bida. E sigurisht që në këtë program nuk do të mungojnë as këngëtarët më në zë të vendit, si Eranda Libohova, Rovena Dilo, Redon Makashi, Selami Kolonja, Ardian Trebicka, grupi Lynx, Xhesika Polo, etj.



ALBANIAN SCREEN rikthen Sulejmanin e Madhërishëm

Televizioni "Albanian Screen" do të sjellë një program të veçantë, ku do të spikas edhe telenovela e njohur turke, "Sulejmani i Madhërishëm". Ky televizon do të transmetojë dy seri të serialit, të cilat nuk do të ritransmetohen përsëri. Ai do të startojë në orën 23:00 dhe do të jetë pikërisht në natën e ndërrimit të viteve.


(xh.k/shqiptarja.com)

3/4
  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

Zelensky: Plani ynë i paqes do të jetë gati në nëntor

Zelensky: Plani ynë i paqes do të jetë gati në nëntor