TIRANË, 16 Gusht/ATSH/.- Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, inspektoi sot punimet ne sheshin "Nënë Tereza", i cili po i nënshtrohet rikonstruksionit me rastin e vizitës në Tiranë të Papa Françeskut, më 21 shtator.
Ministrja Kumbaro, në një prononcim për mediat, përsëriti rëndësinë e kësaj vizite, ndërsa theksoi angazhimin e qeverisë shqiptare për organizimin e pritjes së Atit të Shenjtë. "Punimet po vijojnë jo vetëm në sheshin "Nënë Tereza", por dhe në dy-tre pika të tjera të Tiranës, në kuadër të pergatitjeve që qeveria dhe shteti shqiptar po bëjnë në kaudër të vizitës së Papa Franceskut më 21 shtator. "Këtu kemi dy tipe kantierësh. Në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës kemi hequr shatërvanin, si dhe po punohet për nivelim dhe rehabilitim të sheshit. Punimet po kryhen paralelisht në disa fronte, pasi koha ecën shpejt", u shpreh Kumbaro.
Ministrja gjithashtu inspektoi punimet dhe në mjediset e Pallatit të Kongreseve, i cili do të jetë qendra e medias për gazetarët e huaj e shqiptarë që do të ndjekin vizitën e Papës në Tiranë. "Vetë Papa do të vijë me 70 gazetarë me avionin e tij, por pritet të kemi dhe rreth 1000 gazetarë të huaj nga stacionet më me zë ndërkombëtarë, që po akreditohen, për të qenë atë ditë prezent në Shqipëri", tha ministrja e Kulturës.
Një tjetër objekt që do t'i nënshtrohet rehabilitimit është dhe Muzeu Kombëtar, i cili po restaurohet në pjesën e jashtme të tij, si dhe punime riparuese në pjesët e brendshme. /a.s//a.ke/