Pas daljes nga një mbledhje e Komitetit të Emergjencave në Vlorë, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu tha se Vjosa ka kaluar kuotat maksimale. Fokusi kryesor janë tre fshatrat në grykëderdhjen e saj që kanë rrezikshmëri të lartë: Fitore, Bishan dhe Novoselë.

“Kemi bërë planin e masave sidomos për tre fshatrat kryesorë që kanë rrezikshmëri të lartë në këto momente në grykëderdhjen e Vjosës, Fitore, Bishan dhe Novoselë. Kemi rakorduar skuadrat që duhet të dislokohen në terren menjëherë, qoftë nga pikëpamja e shërbimeve parësore, shëndetësore dhe mjetet ekskavator, fadroma që janë dislokuar në terren për të frenuar aq sa mundemi në këto momente. Kuotat e Vjosës janë arritur dhe na duhet të sigurojmë mbështetjen”, tha Vengu.

Ka vijuar evakuimi i krerëve të bagëtive në një fermë, ndërsa do të ndodhë edhe pozicionimi me mjete të larta të ushtrisë.

“Presim rritje të niveleve të ujërave, presim të vijojmë operacionin e nisur në mëngjes për evakuimin e bagëtive, 200 krerë janë evakuuar në një fermë, po e bëjmë këtë në të dyja anët e Vjosës, edhe nga zona e Vjosës dhe do të dislokohemi me Forcat e Armatosura për mjete të larta të ushtrisë”, shpjegoi ministri.

Furnizimi me ujë e energji elektrike vijon normalisht. Momentalisht janë evakuuar 13 familje dhe procesi do të vijojë në varësi të situatës.

“Kemi evakuuar për momentin 13 familje, nuk kemi proceduar me evakuime të mëtejshme për momentin. Do ta japim njoftimin në momentin që shohim që ujërat kanë rrezik të depërtojnë përtej argjinaturave. Argjinaturat kanë mbajtur për momentin, janë bërë përforcime edhe gjatë muajit nëntor, kanalet janë pastruar vazhdimisht dhe jemi në kushte ku mund të menaxhojmë e administrojmë këtë situatë”, vijoi më tej.

Vengu tha se banorët janë të informuar për evakuimin: “Banorët janë të alertuar, jemi pranë tyre, janë mjetet pranë banesave dhe do të reagojmë shumë shpejt”, teksa shtoi: “Jeta është përparësia jonë tani dhe infrastruktura kritike për vijimësinë e shërbimeve publike.”


Lajmi kryesor:

Moti i keq/ Viktima e parë, 54-vjeçari humb jetën në Durrës! Evakuime në Katund të Ri, Sukth dhe 3 fshatra të Fierit e Vlorës (VIDEO)