Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i tha revistës amerikane Newsweek se Donald Trump e meriton Çmimin Nobel për Paqe dhe se do ta nominonte personalisht nëse do t’i jepej mundësia.

Osmani tha se ka pasur katër biseda të shkurtra, por kuptimplota me Trump, dhe theksoi se, sipas saj, ai ka dhënë një kontribut të madh për paqen në rajon. “Nuk ka asnjë dyshim që e meriton”, u shpreh ajo, duke shtuar se e kupton që mund të ketë edhe mendime të ndryshme.

Presidenti Donald Trump prej kohësh ka shprehur publikisht synimin për të fituar Çmimin Nobel për Paqe, duke e quajtur veten “paqebërësi i parë”. Ai ka deklaruar se ka ndërmjetësuar marrëveshje që kanë ndikuar në ndalimin e konflikteve në vende të ndryshme, ndonëse këto pretendime janë vënë në dyshim nga vëzhgues të ndryshëm.

Sipas rregullave të Nobelit, vetëm persona të caktuar mund të paraqesin nominime për Çmimin Nobel për Paqe. Afati për nominimet mbyllet në fund të janarit, ndërsa fituesi shpallet në muajin tetor.

Duke folur nga World Governments Summit në Dubai, Osmani e përshkroi popullin e Kosovës si “popullin më pro-amerikan në botë” dhe “shumë, shumë mirënjohës për çdo administratë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.