VKM/Ja cilat janë kategoritë që
përfitojnë nga Bonusi i Strehimit

VKM/Ja cilat janë kategoritë që<br />përfitojnë nga Bonusi i Strehimit
Këshilli i Ministrave ka përcaktuar në mbledhjen e djeshme kategoritë që përfitojnë bonusin e strehimit nëpërmjet fondeve të buxhetit të shtetit. Kategoritë që kanë përparësi në përfitimin nga programet sociale të strehimit, të propozuara nga ministria e Zhvillimit Urban janë: Personat me statusin e jetimit; Personat me aftësi të kufizuar, që trajtohen me përparësi nga programet sociale të strehimit”; Familjet e policëve të rënë në detyrë; Familjet e komunitetit rom; Emigrantët e rikthyer; Punëtori emigrant dhe punonjësit e Policisë së Shtetit.
 
Po ashtu përfitues të bonusit të strehimit janë të gjitha njësitë e qeverisjes vendore që aplikojnë pranë ministrisë që mbulon çështjet e strehimit.
 
Më poshtë do të lexoni edhe procedurat dhe kriteret që duhen plotësuar për të përfituar një bunus strehimi.
 
 
V E N D I M
 
PËR
 
MIRATIMIN E PROCEDURAVE, KRITEREVE DHE PËRPARËSIVE PËR DHËNIEN E BONUSIT TË STREHIMIT
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1/1, të nenit 14, të ligjit nr.9232, datë 13.5.2004, “Për programet sociale të strehimit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Miratimin e procedurave, kritereve dhe përparësive për dhënien e bonusit të strehimit nëpërmjet fondeve të buxhetit të shtetit, sipas shtojcës që i bashkëlidhet dhe është pjesë përbërëse e këtij vendimi.
 
2. Përparësi në përfitimin e bonusit të strehimit, me fondet e buxhetit të shtetit, kanë kategoritë e përcaktuara në pikën 2, të nenit 24, të ligjit nr.9232, datë 13.5.2004, “Për programet sociale të strehimit”, të ndryshuar, si më poshtë vijon:
 
a) Personat me statusin e jetimit;
b) Personat me aftësi të kufizuar, të cilët trajtohen në mbështetje të vendimit nr.526, datë 6.8.2014, “Për kategoritë e personave me aftësi të kufizuara që trajtohen me përparësi nga programet sociale të strehimit”;
c) Familjet e policëve të rënë në detyrë;
ç)  Familjet e komunitetit rom; 
d) Emigrantët e rikthyer;
dh) Punëtori emigrant;
e) Punonjësit e Policisë së Shtetit.
 
3. Përfitues të bonusit të strehimit janë të gjitha njësitë e qeverisjes vendore që aplikojnë pranë ministrisë që mbulon çështjet e strehimit, bazuar në aplikimin e tyre për:
 
a) kërkesat e paraqitura për banesa sociale me qira;
b) mundësitë financiare të njësive të qeverisjes vendore;  
c) listën e miratuar me vendim të këshillit të njësisë së qeverisjes vendore për familjet përfituese, me vlerën respektive financiare të bonusit.
 
4. Njësitë e qeverisjes vendore, të cilat paraqesin kërkesën për bonus strehimi pranë ministrisë që mbulon çështjet e strehimit, duhet të plotësojnë kriteret, si më poshtë vijon:
 
a) Nuk disponojnë në pronësi banesa sociale me qira ose, nëse ka të tilla, t’u jenë shpërndarë përfituesve;
b) Të argumentojnë se buxheti vjetor i tyre nuk është i mjaftueshëm për të financuar bonusin e strehimit;  
c) Kanë mundësi të financojnë bonusin e strehimit, por pagesa që duhet të bëjë familja, për diferencën ndërmjet qirasë së tregut dhe vlerës së bonusit, kalon 30 për qind të të ardhurave të familjes.
 
5. Njësitë e qeverisjes vendore llogaritin vlerën e bonusit të strehimit që financohet nga ministria që mbulon çështjet e strehimit, bazuar në përcaktimet e nenit 15 dhe shtojcës B, të ligjit nr.9232, datë 13.5.2004, “Për programet sociale të strehimit”, të ndryshuar.
 
6. Njësitë e qeverisjes vendore, brenda datës 30 janar, të çdo viti, paraqesin pranë ministrisë që mbulon çështjet e strehimit kërkesat për bonus strehimi, sipas shtojcës A, të këtij vendimi, të shoqëruar me kostot financiare për çdo familje, si dhe listën e detajuar të familjeve përfituesve.
 
7. Ministria që mbulon çështjet e strehimit trajton kërkesat për bonus strehimi, të depozituara nga njësitë e qeverisjes vendore, në mbështetje të kritereve të përcaktuara në pikat 3, 4 dhe 6, të këtij vendimi. 
 
8. Ministria që mbulon çështjet e strehimit financon bonusin e strehimit, të barabartë me diferencën ndërmjet qirasë minimale në tregun e lirë, bonusit të financuar nga njësia e qeverisjes vendore dhe qirasë së përballueshme nga familja, në rastet kur diferenca ndërmjet qirasë së tregut dhe vlerës së bonusit kalon 30 për qind të të ardhurave të familjes.
 
9. Ministria që mbulon çështjet e strehimit, brenda muajit mars, të çdo viti, planifikon fondet për vitin pasardhës, për bonusin e strehimit, bazuar në tavanet vjetore, të përcaktuara në projektbuxhetin afatmesëm, kërkesat vjetore të njësive të qeverisjes vendore si dhe përcaktimeve të nenit 14, të ligjit nr.9232, datë 13.5.2004, “Për programet sociale të strehimit”, të ndryshuar.
 
10. Ngarkohen ministria që mbulon çështjet e strehimit dhe njësitë e qeverisjes vendore për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
Redaksia online
(u.s/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Policia e Kosovës shpall në kërkim 3 shqiptarë, si bashkëpunëtorë në kultivimin dhe tregtinë e drogës (EMRAT)

Policia e Kosovës shpall në kërkim 3 shqiptarë, si bashkëpunëtorë në kultivimin dhe tregtinë e drogës (EMRAT)