Ish-bashkëkryetari i PS për territorialen, Arbjan Mazniku mbrojti në Kuvend hartën e re që shkrin 15 bashki, duke argumentuar se bashkimi i bashkive do të përmirësojë shërbimet për qytetarët. Sipas tij, reforma e vitit 2014 ishte e suksesshme, pasi forcoi bashkitë, rriti të ardhurat dhe uli borxhet, por këto rezultate nuk janë të mjaftueshme për të përmbushur nevojat e qytetarëve.
Arbjan Mazniku: Kur bashkohemi, bëhemi më të fortë. U thatë njerëzve që bashkitë tuaja do të zhduken, do të shkrihen. Njerëzit nuk jetojnë në hartë, jetojnë në shtëpinë e tyre, ku duan që t'u shkojë rruga, uji. Njerëzit jetojnë në lagjen e tyre, që duan t'u pastrohet dhe t'u ndriçohet. Njerëzit jetojnë në fshatin e tyre, ku duan kanale kulluese e rrugë për arat. Jetojnë në qytete, ku duan që të ketë çerdhe, kopshte dhe transport publik.
A ishte reforma e vitit 2014 një sukses? Në të gjitha dëgjesat, nga të gjitha diskutimet, po, reforma e vitit 2014 ishte sukses. Asnjë person i PD-së, asnjë person nuk tha: duam mbrapsht komunat. Ajo situatë, as propozimi i 100 bashkive, nuk tregon që ajo që kishim ishte mirë. Ajo që erdhi tregoi qartë se bashkitë u forcuan, të ardhurat u rritën, borxhet u ulën, fuqia investuese e bashkive u rrit.
Por kjo është e pamjaftueshme për aspiratën që PS ka për mënyrën se si u shërbehet qytetarëve në territor. Kjo është përgjigjja për arsyen përse ne na duhet të ecim përpara.
Lajmi kryesor:
LIVE TV- ‘Territorialja’ në Kuvend/ PD: Po asgjësoni 15 bashki pa konsultim, duhet referendum! PS: Asnjë shërbim nuk largohet, qytetet përfaqësohen në këshilla në bazë të popullsisë






