Kompanive të transportit publik qytetas, ndërqytetës dhe rrethqytetas do tu rimbursohet me 50 lekë çdo litër naftë. Vendimi u miratua këtë të mërkurë në qeveri, pas kërkesave të vazhdueshme të shoqata të transportit se nuk po përballonin dot kostot e çmimit të lartë të karburantit, që po reflektohet ende në Shqipëri, nga lufta në Iran.
“Ne dhamë fjalën që do të kishim një masë me subvencione. Bëhet fjalë për 50 leke për litër për të gjitha shoqëritë e transportit publik. Një lajm i mirë tjetër është që këtë masë do e fillojmë që në muajin mars kur kishim dhe fillimin efekteve të krizës”, tha Karakaçi.
Këshilli i Ministrave miratoi edhe një tjetër vendim që shton elementet e sigurisë së pullave fiskale, më qëllim edhe garantimin e gjurmimit të produkteve të akcizës, pijet energjike, alkooli, vera apo duhanit.
“Pullat e reja që do të hidhen në qarkullim kanë dy elemente. Së pari rriten elementet e sigurisë që ulin mundësinë e falsifikimit të tyre, nga ana tjetër do të vendosim edhe teknologjinë “Track & Trace” në pullat fiskale duke iu dhënë mundësinë autoriteteve doganore dhe tatimor të ndjekin produktet nga prodhuesi/importuesi e deri tek konsumatori final”, tha Malaj.
Po përmes kompanisë AlbTrace qeveria synon të bëjë edhe gjurminin e produkteve hidrokarbure, për të mos lejuar kontrabandën.
Ministri i Financave Petrit Malaj tha se përmes pullave të reja konsumatorët do të mund të marrin më shumë informacion për produktin që blejnë.
“Pullat fiskale do të kenë barkod ku konsumatorët do të kenë mundësi që të skanojnë produktin dhe të marrin shumë informacione për produktin”, tha Malaj.
Pullat e reja prodhohen nga shoqëria shqiptaro-arabe “AlbTrace Co”, ku 51% e aksioneve zotërohen nga shteti, me çmim më të lirë sesa kur ky shërbim ishte me koncesion, që përfundoi në 2024-ën.
“Kjo ka sjellë reduktim të kostove të blerjes së pullave fiskale për operatorët ekonomike me rreth 20%, krahasuar me kostot kur ky shërbim ofrohej nga koncensionari privat”, tha Malaj.
Në mars të vitit të kaluar qeveria vendosi që 1 mijë pulla fiskale për duhanin të kushtonin 15.65 euro për produktet e alkoolit 25.05 euro, për birrën 17.22 euro dhe për verën 25.04 euro.
Komente









