Gruaja, identiteti i së cilës nuk jepet i plotë, por vetëm me inicialet T.B., nuk ka mundur dot të justifikonte shumën e parave të ndara në dy llogari në emër të saj.
Për shkak të dyshimeve është vendosur sekuestrimi i parave e më tej ka nisur hetimi për të gjetur origjinën e tyre. Sipas të dhënave, 57-vjeçarja ka deklaruar në Polici se shumën e parave ia kishte dërguar herë pas here djali emigrant.
“Këto para m’i ka dërguar djali që e kam emigrant. Ai ka dërguar herë pas here dhe nga kursimet është bërë kjo shumë parash”, ka thënë 57vjeçarja për policinë.
Ajo do të hetohet për transaksionin për të zbardhur të tjera detaje.
Njoftimi i policisë:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, ditën e sotme kanë bërë të mundur sekuestrimin e dy llogarive bankare të shtetases T.B., 57 vjeçe, banuese në Vlorë, me një shumë totale prej 298.324 Euro.
Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 të Kodit Penal”, thuhej në njoftimin e Policisë së Vlorës.
Tashmë pritet t’i merret dëshmia edhe djalit të 57- vjeçares, të cilit do t’i duhet që të justifikojë prejardhjen e një shumë të tillë parash.
Redaksia Online
Xh.F/Shqiptarja.com












