Vlorë, 25 gusht/ATSH-Harilla Koçi/.- Policia e Vlorës zbuloi dhe asgjësoi të hënën 100 rrënjë bime narkotike kanabis sativa, ndërkohë që nisi hetimet per identifikimin dhe kapjen e personave që kanë lidhje me to.
Burime zyrtare të policisë lokale bënë të ditur për ATSH-në se kanabisi u asgjësua në afërsi të fshatit Mekat 1 të komunës Shushicë, 20 km në verilindje të Vlorës, gjatë një aksioni të strukturave përkatëse, në kuadër të planit të masave kundër kultivimit të bimëve narkotike. Sipas policisë, bimët narkotike, që ishin kultivuar në një mjedis të pyllëzuar, ishin zhvilluar në një lartësi 120-170 cm.
Pasi u bë asgjësimi i kanabisit përmes djegies, u bë dokumentimi i plotë ligjor në lidhje me këtë rast dhe ka filluar procedimi penal për identifikimin e autorëve.
Me aksionin e sotëm, numri i bimëve narkotike të asgjësuara nga policia e Vlorës gjatë 3 muajve  të fundit shkon në më shumë se 35 mijë. /a.ke/