Policia e Vlorës zbuloi dhe asgjësoi të martën 400 rrënjë bimë narkotike kanabis sativa, ndërkohë që arriti të identifikojë dy persona të dyshuar si autorë të kultivimit, të cilët u shpallën në kërkim.
Burime zyrtare të policisë lokale bënë të ditur për ATSH-në se kanabisi u zbulua dhe u asgjësua në afërsi të fshatit Rexhepaj të komunës Vllahinë, 35 km në lindje të Vlorës, gjatë një aksioni të strukturave përkatëse, në kuadër të planit të masave kundër kultivimit të bimëve narkotike.

Sipas policisë bimët narkotike, që ishin kultivuar në një parcelë në tokë publike, ishin zhvilluar në një lartësi prej 1.8 metrash.

Krahas kësaj, u zbulua edhe një sasi lënde narkotike kanabis, e gatshme për paketim, e cila së bashku me dy kafshë transporti dhe disa gëzhoja fishekësh, u bllokuan në cilësinë e provës materiale.
Lidhur dhe me këtë rast, policia identifikoi edhe dy persona të dyshuar me inicialet Z.M dhe I.D, të cilët u shpallën në kërkim.

Pasi u bë asgjësimi i kanabisit përmes djegies, u bë dokumentimi i plotë ligjor në lidhje me këtë rast dhe ka filluar procedimi penal në ngarkim të të dyshuarve.
Ky aksion pason veprimet e policisë të muajve të fundit për asgjësimin e bimëve narkotike.

Me aksionin e sotëm, numri i bimëve narkotike të asgjësuara nga policia e Vlorës gjatë 3 muajve të fundit, shkon në më shumë se 45 mijë./ATSH/