Vlorë, 7 korrik/ATSH-Harilla Koçi/.- Policia e Vlorës zbuloi dhe asgjësoi 7 parcela me 770 rrënjë bime narkotike kanabis sativa. Burime zyrtare të policisë lokale bënë të ditur për ATSH-në se kanabisi u asgjësua në afërsi të fshatit Mavrovë të komunës Kotë, 25 km në lindje të Vlorës, gjatë një aksioni të strukturave përkatëse, në kuadër të planit të masave kundër kultivimit të bimëve narkotike. Sipas policisë, bimët narkotike, që ishin kultivuar në zona të pyllëzuara, ishin zhvilluar në një lartësi më shumë se 1 metër.
U bë dokumentimi i plotë ligjor në lidhje me këto raste dhe ka filluar procedimi penal për identifikimin e autorëve, ndërkohë që bimët narkotike u asgjësuan me diegie.
Me këtë aksion, numri i bimëve narkotike të asgjësuara nga policia e Vlorës gjatë javëve të fundit, shkon në më shumë se 8500. /a.ke/