Policia e Vlorës ka arrestuar Irfan Dalipaj, 58 vjeç, dhe dy djemtë e tij, Drisild Dalipaj, 27 vjeç, dhe Fabio Dalipaj, 23 vjeç, pas një episodi dhune dje gjatë kontrolleve për lirimin e hapësirave publike.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, ngjarja ndodhi dje në rrethrrotullimin e Nartës, ku të arrestuarit ushtronin aktivitet të shitjes së automjeteve dhe lavazhos. Gjatë kontrolleve të strukturave të Bashkisë Vlorë, me fokus lirimin e hapësirave publike, ata ushtruan dhunë fizike ndaj Drejtorit të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Vlorë, shtetasit D. K., 33 vjeç.
Kur punonjësit e Policisë së Qarkullimit Rrugor ndërhynë, tre të arrestuarit vijuan dhunën, duke shkaktuar dëmtime trupore edhe ndaj efektivëve të policisë. Njëri prej punonjësve u detyrua të qëllojë një herë në ajër me armën e shërbimit, për të zbrapsur sulmuesit, pa shkaktuar lëndime.
Punonjësit e policisë që u përfshinë në incident ndodhen aktualisht në spital, por jashtë rrezikut për jetën.
Ndaj autorëve rëndojnë veprat penale “Dhuna ndaj punonjësve të Policisë” dhe “Plagosje e rëndë me dashje”.
"Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasit I. D., 58 vjeç, D. D., 27 vjeç dhe I. D., 23 vjeç, banues në Vlorë, pasi më datë 22.12.2025, në vendin e quajtur rrethrrotullimi i Nartës, ku këta shtetas ushtronin aktivitet të shitjes së automjeteve dhe lavazhos, gjatë kontrolleve të strukturave të Bashkisë Vlorë, me fokus lirimin e hapësirave publike, kanë ushtruar dhunë fizike ndaj Drejtorit të IMT në Bashkinë Vlorë, shtetasit D. K., 33 vjeç.
Menjëherë pas konstatimit të sulmit fizik, punonjësit e Policisë së Qarkullimit Rrugor kanë ndërhyrë për ndërprerjen e veprimeve të paligjshme, por këta shtetas kanë vijuar dhunën fizike edhe ndaj punonjësve të Policisë, duke iu shkaktuar dëmtime trupore. Gjatë kësaj kohe, njëri prej punonjësve të Policisë ka qëlluar një herë në ajër me armën e shërbimit, me qëllim zbrapsjen e sulmit nga tre autorët, pa shkaktuar lëndime. Punonjësit e Policisë aktualisht ndodhen të shtruar në spital, jashtë rrezikut për jetën", njoftoi sot policia
Komente









