Vlorë, 8 korrik/ATSH-Harilla Koçi/.- Policia Kufitare publikoi vendbazimet dhe pikat e kontrollit të mjeteve lundruese përgjatë bregdetit të gjirit detar të Vlorës. Në një deklaratë për shtyp, Policia Kufitare e Vlorës bëri të ditur se, vendbazimet  ku do të bëhet hyrja dhe dalja e mjeteve lundrues, si dhe pikat e kontrollit do të bëhen në disa vende, mes të cilave,  stacioni i policise kufitare në Triport, stacioni i policisë në port, "Aulona"( në Skelë), moli privat "BAÇI" (Radhimë), lokali  "Grand Hotel" (Radhimë), Porti i Jahteve "Marina Orikum".
Krahas këtyre, policia publikoi edhe vendet ku do të kryhen procedurat e kontrollit dhe të verifikimit të mjeteve lundruese, ku përfshihen stacioni i policisë kufitare në Triport, stacioni i policisë në port, porti i jahteve në Orikum.
Këto saktësime, sipas policisë, bazohen në kuadrin ligjor përkatës që përbëhet nga Ligji nr.8663, datë 18.09.2000 "Për regjistrimin, klasifikimin, mënyrën e përdorimit dhe kontrollin e mjetve lundrues nën 20NT, të ndryshuar me nr.38/2014, datë 18.04.2014, Ligji nr.9861, datë 24.01.2008 "Për Kontrollin e dhe Mbikqyrjen e Kufirit Shtetëror", Ligji nr.8652, datë 31.07.2000 "Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore" dhe V.K.M Nr.321, datë 23.05.2014  "Për sigurinë në det, plazhe  në ujrat e brendshme në thellësi të territorit dhe gjatë ushtrimit të sporteve ujore".
Policia rikujtoi se përdorusit e mjeteve lundrues janë të detyruar që për ushtrimin e aktivitetit të tyrë për qëllime ekonomike, apo argëtuese, të dalin dhe kontrollohen vetëm përmes pikave të mësipërme. /a.ke/