Vlorë - Një 22-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Vlorës për armëmbajtje pa leje. I riu i cili ishte në arrest shtëpiak u ndalua në në lagjen “Pavarësia”, teksa lëvizte i armatosur me automjetin e tij tip ‘Benz’.
Në pranga ka rënë edhe një 36-vjeçar, pasagjer në makinën e të riut. Ky i fundit akuzohet për moskallëzim krimi.
Arma e zjarrit tip “Zastava”, u sekuestrua si provë materiale.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të punës intensive për goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje dhe ndalimin e shtetasve që shmangin detyrimet ndaj masave të sigurisë të vendosura nga Gjykata, Seksioni për Mbështetjen Operacionale të Hetimit në DVP Vlorë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vlorë, në bazë të informacioneve të siguruara, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Befasia”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:
Sh. Z., 22 vjeç, banues në Selenicë, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
M. D., 36 vjeç, banues në Selenicë, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”.
Shtetasi Sh. Z., i cili ndodhej nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, u kap në lagjen “Pavarësia”, Vlorë, duke drejtuar automjetin tip “Mercedes Benz”, ku pasagjer ndodhej edhe shtetasi M. D.
Gjatë kontrollit të shtetasit Sh. Z., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë të markës “Zastava”.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Komente








