Vlorë, 28 qershor/ATSH-Harilla Koçi/.- Cikli i shërbimeve sociale, mënyrat se si ofrohen shërbimet bashkiake në vendet evropiane, si dhe prezantimi i modeleve të ndryshme, llojet e profesioneve sociale në Evropë, ndërtimi i planeve sociale të zonës, ishin disa nga çështjet e trajtuara në seminarin e organizuar nga Qendra Rinore Vlorë me temë"Seminar Ndërkufitar mbi Shërbimet Sociale", me pjesëmarrjen e ekspertëve nga Shqipëria, Greqia e Italia.
Ky seminar ndërkufitar, që kishte si synim prezantimin dhe përmirësimin e administrimit të shërbimeve sociale, është pjesë e projektit "SOCIALNET - Sektori Ndërkufitar i Ndërmarrjeve dhe Kooperativave Sociale", mbështetur nga fondet e Bashkimit Europian, Programi i  Bashkëpunimit Ndërkufitar  IPA Greqi - Shqipëri 2007-2013.
Të pranishmit, ekspertë nga Shqipëria, Italia e Greqia, u përfshinë në diskutim dhe sollën përvojat respektive mbi metodat e shërbimeve sociale dhe aplikimin e tyre të mundshëm në Shqipëri. Folësit u përqëndruan në standardet e shërbimeve bashkiake në vendet evropiane, sollën modele të ndryshme, duke veçuar llojet e profesioneve sociale në Evropë, ndërtimin e planeve sociale të zonave, ndërkohë që evidentuan gjetjet e realizuara gjatë projektit ndërkufitar në fushën e shërbimeve sociale.
Nga ana tjetër, në seminar u theksua domosdoshmëria e orientimit drejt ideve novatore, si një nga pikat kryesore për trajtimin e shërbimeve sociale, duke u mbështetur te eksperienca e organizatave ose institucioneve  që merren me fuqizimin e sipërmarrjeve sociale. /a.ke/