TIRANE- Vjedhja e parave të qytetarëve të cilët paguanin elektrike me postë ka bërë që 7 ish-punonjës të këtij institucioni të shkojnë për ndjekje penale. Kjo gjë është bërë e ditur nga vetë drejtoria e Postës Shqiptare në Tiranë. Burime nga ky institucion thanë se, të paditurit janë me inicialet: Z. B., B. K., M. B., S. I., L. S., ndërsa për dy të tjerë nuk është bërë e ditur. Gjatë ditës së djeshme, Posta Shqiptare me anë të një njoftimi ka informuar se ka bërë kallëzime penale në Prokurorinë e Fierit ndaj shtatë ish-punonjës të saj pasi kanë përvetësuar paratë e dhëna nga qytetarët për të paguar energjinë elektrike.

Vjedhja e lekëve
Për shkak të ankesave të qytetarëve, Posta Shqiptare ngriti një grup auditi dhe zbuloi abuzimet e punonjësve me shumat e derdhura nga qytetarët për pagesat e energjisë elektrike, duke i përvetësuar. Në këtë mënyrë Posta Shqiptare, përveç vendimit për shkarkimin e tyre nga puna, i ka kallëzuar ata penalisht edhe në Prokurori. Duke parë ankesat e klientëve të cilët ankoheshin sepse dilnin debitor në CEZ, megjithëse në librezë ishte vendosur firma edhe vula e punonjësit të postës, filiali i postës Fier ngriti një grup pune për të bërë një kontroll në këto zona. Nga kontrolli i ushtruar rezultoi se një pjesë e tyre rezultonin të ishin të verteta dhe një pjesë ishin debitor realisht.

Hetimet e tjera
Grupi i punës i ngritur në filial po vazhdon punën dhe në zonat e tjera ku ka dyshime për shpërdorim detyre nga punonjësit duke patur parasysh edhe ankesat që vijnë nga qytetarët. Nga verifikimet e bëra deri më tani grupi i punës i ngritur në filial konstatuan se ish punonjësit kanë shpërdoruar detyrën duke mos i arkëtuar një pjesë të lekëve të arkëtuara nga faturat e energjisë duke i lënë ata debitor ndaj CEZ. Në këto kushte, Drejtoria e filialit Fier ka çuar për ndjekje penale pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier shtatë ish-punonjës, dhe u është bërë kallëzim pranë Sektorit të Krimit Ekonomik në Drejtorine e Policisë së Qarkut Fier.

Reagimi i postës
Duke folur për këtë ngjarje, Posta Shqiptare ka njoftuar se, “ka rritur në mënyrë të ndjeshme forcën e saj kontrolluese dhe ka zbuluar qindra raste në të gjithë Shqipërinë, ndaj të cilva janë marrë masa administrative dhe janë kaluar për ndjekje penale pranë organeve kompetente”. Drejtoria e Postës Shqiptare nënvizon se, është e vendosur të çrënjosë në çdo qelizë kulturën e abuzimit dhe korrupsionit dhe të çojë para drejtësisë të gjithë ata që abuzojnë më detyrën, ashtu sikurse inkurajon dhe përgëzon të gjithë ata punonjës të ndershmë të cilët i shërbejnë me devotshmëri qytetarëve. 

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 15 Gusht 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)