Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Tokio të Japonisë ku një orë luksoze me vlerë mbi 260 mijë euro, e vjedhur nga një dyqan, është kthyer disa ditë më vonë me postë, e shoqëruar me një letër të shkruar me dorë ku kërkohej falje.

Ngjarja ndodhi në zonën Nakano në kompleksin tregtar Nakano Broadway ku një person hyri në një dyqan orësh luksoze duke u paraqitur si klient.

Sipas raportimeve të mediave japoneze burri kërkoi të provonte një orë të markës prestigjioze zvicerane Audemars Piguet, me vlerë rreth 46 milionë, ose afërsisht 260 mijë euro.

Pasi punonjësit ia dhanë orën për ta provuar, ai u largua me shpejtësi nga dyqani, duke e mbajtur ende në kyçin e dorës. Në momentin e vjedhjes në dyqan ndodheshin dy punonjës por fatmirësisht askush nuk u lëndua.

Megjithatë, historia mori një kthesë të papritur më 1 nëntor kur dyqani mori një pako përmes një shërbimi postar. Brenda saj ndodhej pikërisht ora e vjedhur, e shoqëruar me një letër të shkruar me dorë ku autori kërkonte ndjesë për veprimin e tij.

Punonjësit verifikuan numrin serial të orës dhe konfirmuan se bëhej fjalë për të njëjtin objekt që ishte marrë nga dyqani disa ditë më parë.

Sipas hetuesve, pakoja ishte dërguar nga prefektura Aichi. Në të ishin shënuar edhe një emër dhe një adresë, por policia dyshon se këto të dhëna janë të rreme.

Pavarësisht kthimit të orës, autoritetet japoneze vijojnë kërkimet për personin e dyshuar për vjedhjen. Deri më tani nuk është raportuar për arrestime në lidhje me këtë ngjarje.