1766228520_gazmentbardhi.jpg

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka braktisur votimin për marrëveshjen e Bordit të Paqes gjatë seancës së sotme në Kuvend.

Përmes një postimi në rrjetet sociale Bardhi thekson se kush beson realisht te një marrëveshje dhe te arkitekti i saj, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, nuk largohet nga salla e Kuvendit pa votuar.

Sipas tij, kryeministri e përdori marrëveshjen si instrument për sulme politike ndaj opozitës dhe për të krijuar përplasje me drejtësinë.

'Kush beson vërtet te një marrëveshje dhe te arkitekti i saj, ?? Presidenti Trump, nuk braktis votimin. Edi Rama e bëri. Ai nuk e votoi marrëveshjen! Iku nga seanca pa asnjë arsye shtetërore. Sepse Edi Rama jo vetëm që nuk e sheh dot me sy Donald Trump, por i duhej vetëm skena politike për të mbuluar dështimin e tij spektakolar me mungesën në Davos.

Rama e përdori marrëveshjen e Bordit të Paqes si skenë të urrejtjes politike kundër opozitës dhe si moment për të goditur dhe për tu dukur i fortë kundër SPAK-ut. U rreshtua si avokat i Erion Veliajt, Belinda Ballukut dhe Ergys Agasit, por jo si një shtetar i përgjegjshëm.

Ne ia dogjëm skemën perverse antiopozitë Edi Ramës. Ne e votuam me besim marrëveshjen dhe partneritetin me Presidentin e SHBA-së. Ai u zhduk nga Parlamenti pa votuar. Vullneti i vërtetë politik matet me votë, jo me fjalime patetike!’, shkruan Bardhi.


Lajmi kryesor:

Kuvend/ Me 110 vota pro, miratohet aderimi i Shqipërisë në Bordin e Paqes! Rama-opozitës: Thatë se SHBA do më bënte gjyqin, por më votuat mua si përfaqësues në Shtëpinë e Bardhë