Me vendimin e qeverisë për të mbyllë TikTok, përdoruesit synojnë ‘zgjidhje’ alternative si VPN. Por sa e sigurt është përdorimi i këtij mjeti?
Inxhinieri elektronik Besmir Semanaj, në një intervistë për “Sot Live në Shqipëri” në Report TV, tha se VPN është e ligjshme të përdoret, por rrezikohen të dhënat personale.
“Patjetër që është e ligjshme VPN. Pjesa më e madhe e qytetarëve përdorin VPN për të aksesuar shërbimet e tyre që mund të jenë në shtete të ndryshme. Ka probleme. Nëse nuk instalojmë një VPN të sigurt, kuptohet që ka probleme se i gjithë trafiku juaj kalon nëpërmjet këtij aplikacioni për të shkuar te TikTok. VPN që përdoren në Shqipëri janë të njohura dhe nuk besoj se do të kenë probleme. Këshilloj qytetarët se nëse duan të përdorin një VPN të marrin një më shtrenjtë 10-15 dollarë në vit.”, u shpreh ai.
![]()
Sipas tij, një ditë pas dhënies së vendimit për të mbyllur TikTok, vetëm një kompani VPN-je ka deklaruar një rritje prej 1200 përqindësh instalime nga Shqipëria. Sipas tij, do të duhet kohë që të mbyllet TikTok.
“Vetëm njëra nga kompanitë e VPN deklaroi një rritje me 1200 për qind në instalimet në Shqipëri dhe ndodhi një ditë pas vendosjes së mbylljes.”, shtoi Semanaj.
Vendimi i qeverisë për mbylljen e TikTok pritet të vihet në zbatim brenda pak ditësh, ndërsa qeveria e ka bërë të qartë synimin e saj të vetëm për të mbrojtur fëmijët. TikTok do të hapet menjëherë sapo kompania kineze të vendosë filtra për mbrojtjen e të rinjve.
Rrjetet sociale janë kthyer në një ndër mjetet më të fuqishme për të bërë politikë, dhe me afrimin e zgjedhjeve, është më e shtuar. Por si renditen deri më tani figurat kryesore politike?
Inxhinieri elektronik Besmir Semanaj tha se kryeministri Edi Rama kryeson si politikani më i kërkuar në rrjete sociale, ndjekur më pas nga kryetari i PD Sali Berisha. Ai tha se një rritje të ndjeshme në ditët e fundit ka pësuar edhe Lulzim Basha, pas ‘ping pongut’ me kryeministrin Rama.
“Ajo çfarë është deri diku edhe interesante, kemi ditët e fundit rritje të zotit Basha si në Google Search ashtu edhe në Youtube Search me ping pong që po luan me Ramën. Nuk ka të bëjë shumë nëse është lideri i opozitës apo i mazhorancës por ka të bëjë se kush është interesi i qytetarëve. Po të marrim disa shembuj ndërkombëtar, si në vitin 2016 dhe në vitin që lamë pas, Trump ishte personazhi më i kërkuar me diferencë me kandidatët e tjerë, gjë që rezultoi me fitimin e zgjedhjeve. Edhe Boris Johnson dominoi në krahasim me të tjerët dhe rezultoi me fitimin e zgjedhjeve.”, u shpreh Semanaj.
Sipas tij, popullariteti në rrjete sociale mund të ndikojë edhe në vota, dhe për këtë ai përmendi rastin e presidentit amerikan Donald Trump dhe ish kryeministrit britanik Boris Johnson.
“Në pjesën më të madhe të rasteve, përqindjet në kërkim deri diku konvertohen edhe në vota. Kur kemi një konstante dhe grafiku lëviz plus minus brenda ditëve dhe javëve është ndikues shumë i rëndësishëm për pjesën e votimeve. Po të shikojmë partitë në Evropë dhe SHBA referohen edhe pjesës së volumit.”, shtoi inxhinieri.
Komente

