Vrasës e trafikantë mbushin qelitë e burgjeve! Më pak dënime për përdhunime, sociologu: Kanë frikë të denoncojnë

Plot 703 shtetas të izoluar në qelitë e burgjeve në Shqipëri janë të dënuar për “vrasje”, ndërsa vendin e dytë e mbajnë të dënuarit për “trafik narkotikësh”, në nivelin 24% të totalit. Përpos faktit se dënimet për këto krime janë të rënda, për avokatin Beqiri një tjetër faktor që krijon numër të lartë të killerave apo trafikantëve në burgjet shqiptare është edhe lidhja që këto vepra kanë me njëra-tjetrën, duke ndryshuar kështu edhe arsyet se përse po bëhen vrasjet në Shqipëri.

“Vrasjet në Shqipëri kanë një rënie të dukshme, por cilësia e këtyre veprave është bërë e frikshme në aspektin se motivet për të cilat bëhen nuk janë si më parë, “pse më pe shtrembër”, sot janë për hakmarrje të rënda ose mpleksje interesash në trafiqe drogash dhe prishje hesapesh”, thotë avokati Idajet Beqiri.

Vrasësit më të rrezikshëm janë të përqendruar në burgun e Peqinit 181 nga 703 (25.7%), në Shkodër 144 nga 703 (20.5%) dhe në burgun e Fierit 111 nga 703 (15.8%), kjo për shkak të sigurisë së lartë. Ndërkohë për “trafik narkotikësh”, bie në sy fakti se 40% e tyre (210 nga 532) janë të izoluar në burgun e Fierit. Për avokatin Beqiri ky tregues nuk është vetëm për arsye të politikave të shpërndarjes së të dënuarve nga Drejtoria e Burgjeve.

“Më shumë të dënuar, më shumë gjyqe, më e përhapur si vepër penale, mbajtja, transportimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike, sidomos për hashash është në jugun e Shqipërisë, ndaj i kemi dhe më të përqendruar të burgosurit aty, sepse nga këto vende janë faktikisht”, vijon Beqiri.  

Vetëm 1% (20 nga 2195) e të dënuarve në burgje janë për “marrëdhënie seksuale me dhunë” ndërsa për “shfrytëzim prostitucioni” 1.6% (36 nga 2195). Në syrin e sociologut Edmond Dragoti, këto shifra nuk lidhen realisht me uljen e rasteve, sesa me fshehjen e tyre.

“Ka shumë rëndësi opinioni i komunitetit për ne dhe është e natyrshme që vepra të tilla e ngarkojnë viktimën me stigmën e shoqërisë, dhe njerëzit i mbajnë të mbyllur brenda familjes, brenda vetes së tyre dhe krijohen probleme në jetën e individit”, u shpreh sociologu Edmond Dragoti.

Një tjetër problematikë që vihet re në këqyrjen e statistikave të Drejtorisë së Burgjeve, është fakti se grupmosha me dendësinë më të madhe është ajo 25-30 vjeç, 396 (18%) dhe 30-40 vjeç, 517 (23.5%). 

“Ndoshta dhe për faktin se përpiqen të gjejnë rrugë më të lehta për të realizuar përgjegjësitë familjare dhe shoqërore. Problemet ekonomike janë në shoqërinë tonë shqiptare, por ato nuk janë kusht apo faktor motivues për të thyer rregullat e shoqërisë”, tha Dragoti.

Në totalin e të dënuarve në 15 burgjet Shqipërisë, 187 është numri i personave që vuajnë “dënim përjetë”, ku sipas avokatit Beqiri, vitet e fundit kemi një shtim të burrave që kanë vrarë gratë e tyre në mënyrë mizore.

SI.E./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ 'Mangalem's Shade', magjia e dritave në lagjen muzeale të Beratit

VIDEO/ 'Mangalem's Shade', magjia e dritave në lagjen muzeale të Beratit