Një prift është thërritur dëshmitar sot në gjyqin ndaj Mark Frrokut, për vrasjen e Aleksandër Kurtit në vitin 1999, në Belgjikë.
 
Dom Gjovalin Suka, ish-administrator i Famullisë ‘Shën Shtjefni’ në Shkodër, i thirrur si dëshmitar nga organi i akuzës, pohoi se Mark Frroku dhe familjarët e tij kishin bërë betimin tek Kapela e Varrezave të Majit se nuk kishin dorë në këtë vrasje.

Sipas priftit katolik, ‘betimi’ në të tilla raste bëhet për të shuar konfliktet mes familjeve dhe se një njeri që bën “be”-në, sipas Kanunit është i pastër për atë që akuzohet.

Këtë fakt e ka pretenduar më herët edhe i pandehuri Frroku dhe në seancën e së martës e përforcoi edhe Dom Gjovalin Suka i thirrur nga Prokuroria.

Ky është ndoshta rasti i vetëm në drejtësinë shqiptare, ku thirret për të dëshmuar në një gjyq penal një prift, i cili shpjegon ritet liturgjike dhe kanunore, të cilat nuk mund të merren për bazë në një proces gjyqësor, rregullat e zhvillimit të të cilit i përcakton Kodi i Procedurës Penale dhe Kodi Penal.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com