Akuzat për fshehje të vrasjes së Egli Progës, Rrumbullaku: Skandaloze! Janë pa baza dhe prova! S'ka lidhje me gjobëvënien, por konflikt i çastit! U referua si 'vrasje me dashje'

Skandaloze dhe të papranueshme cilësohen akuzat ndaj Policisë së Shtetit, nga kryepolici Muhamet Rrumbullaku, për tentativë fshehje të ngjarjes për vrasjen e Egli Progës më 10 gusht nga Denis Meçe në Pogradec. Në një konferencë për mediat, drejtori i përgjithshëm shpalosi rezultatet e hetimit të kryer në ditët e fundit nga Standardet Profesionale për punën e kryer nga policia.

Ka vijuar një dezinformim dhe keqinformim i publikut përmes burimesh të ndryshme. Aludimi se është tentuar të fshihet ngjarja nga Shefi i Komisariatit të Policisë Pogradec është i pabazuar në asnjë dyshim të arsyeshëm, provë apo fakt konkret dhe si i tillë është skandaloz. Në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë, nga asnjë punonjës i Policisë së Komisariatit të Policisë Pogradec, nuk është tentuar të fshihet apo minimizohet ngjarja e rëndë.’- tha Rrumbullaku.

Por cilat ishin veprimet e para të Policisë së Pogradecit për ngjarjen e rëndë? Rrumbullaku përshkuan atë që është bërë në terren që në ne momentin që blutë u njoftuan për rastin.

Marrë njoftim mbi ngjarjen në orën 19:09; Njoftuar e kërkuar ndihmë mjekësore për spitalin e Pogradecit, në orën 19:10; Shërbimi policor është paraqitur në vendngjarje për 3 minuta; Vendosur kufizimi dhe perimetri i sigurisë së vendngjarjes kriminale; Ngritur grupi hetimor i specializuar, angazhuar drejtues të DVP Korçë, dhe struktura e posaçme për hetimin e vrasjeve; Këqyrur e sekuestruar pajisjet e kamerave të sigurisë që mbulonin fushëpamjen e vendit të ndodhjes së ngjarjes së rëndë kriminale, pajisje që administrohen nga institucioni i Prokurorisë për ekzaminim.’- tha kreu i Policisë së Shtetit.

Kryepolici hedh poshtë tezën se ngjarja ndodhi për gjobvënie. Sipas tij, konflikti ka qenë i çastit, por sërish nuk e sqaron se çfarë realisht ka ndodhur.

‘S’ka lidhje me gjobëvënien është konflikt i çastit.’- u shpreh Rrumbullaku.

Debat të gjerë zuri të martën ndryshimi i veprës penale të bërë nga prokuroria, e cila e dërgoi dosjen në gjykatë për masë sigurie për “vrasje nga pakujdesia”. Kryepolici nuk e komentoi veprimin e Akuzës, por u kujdes disa herë të përsëris veprën penale “vrasje me dashje” që blutë ia referuan prokurorisë ngjarjen.

‘Falë reagimit në kohë të Policisë u bë e mundur kapja dhe arrestimi i tij për veprën penale “Vrasja me dashje”. E theksoj, “Vrasja me dashje”! Nëse Prokuroria ka kërkuar një masë tjetër nga ajo për të cilën Policia e Shtetit ka kryer arrestimin, kjo është një çështje që, as nuk na takon, as kemi tagrin ta komentojmë.’- tha Rrumbullaku.

Atë që ai e quan dezinformim me qëllim dashakeq për Policinë e Shtetit, Rrumbullaku me sa duket nuk e lërë me kaq. Një hetim paralel po kryhet edhe për përgjegjësit dhe qëllimet e tyre.

Policia e Shtetit do të ndërmarrë hapa ligjorë për të bërë deri në fund transparencë mbi shkaqet dhe qëllimet e përhapjes së këtij dezinformimi dhe keqinformimi të qëllimtë mbi rolin e saj në këtë ngjarje.’- u shpreh kryepolici.

Megjithatë, ngjarja ka ende pikëpyetje të mëdha. Nga njëra anë, autori i dyshuar Denis Meçe që pretendon se viktima i ofroi duhan dhe e shau dhe nga ana tjetër familjarët që akuzojnë, nga neglizhenca e institucioneve shtetërore te akuzat për gjobëvënie. Po ashtu, dëshmi të pronarit të lokalit që çuditërisht nuk pa dhe dëgjua asgjë, përfshirë disa të tjerëve të arrestuar që kyçën gojën para hetuesve.

Policia nuk ishte e vetmja që u akuzua nga familjarët e viktimës. Akuza për vonesa pati edhe për ambulancën. Pas Rrumbullakut, në një deklaratë për mediat, kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, hedh poshtë akuzat.

‘Është marrë një thirrje që ka zgjatur 40 sekonda. Infermieri i vlerësimit ka kaluar të dhënat ekipit të Pogradecit në orën 19:12, në orën 19:14 ekipi është nisur drejt vendngjarjes dhe në 19:18 ka mbërritur në vendin e ngjarjes. Me vlerësim prej dy minutash në vendngjarje, është vendosur në autoambulancë në 19:20 dhe është nisur drejt spitalit.’- tha Brataj.

I gjithë misteri i kësaj ngjarjeje të rëndë pritet të marrë zgjidhje në hetimet që do të vijojnë nga prokuroria, e cila për disa muaj do të kompletojë dosjen në ngarkim të agresorit Denis Meçe.

Reagim i plotë Drejtorit të Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, për ngjarjen në Pogradec

Nisur nga fakti se pavarësisht informacionit zyrtar të ndarë me publikun nga Drejtoria Vendore e Policisë Korçë, ka vijuar një dezinformim dhe keqinformim i publikut përmes burimesh të ndryshme, lidhur me ngjarjen e ndodhur pak ditë më parë në Pogradec, ku si pasojë e një konflikti humbi jetën një 42-vjeçar, duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjarët e të ndjerit, ndjehem i detyruar të informoj opinionin publik, me përgjegjësi të plotë, si vijon:

Aludimi se është tentuar të fshihet ngjarja nga Shefi i Komisariatit të Policisë Pogradec është i pabazuar në asnjë dyshim të arsyeshëm, provë apo fakt konkret dhe si i i tillë është skandaloz. 

Në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë, nga asnjë punonjës i Policisë së Komisariatit të Policisë Pogradec, nuk është tentuar të fshihet apo minimizohet ngjarja e rëndë. 

Kjo ngjarje është vlerësuar maksimalisht nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë dhe ato të Komisariatit të Policisë Pogradec. 

Më konkretisht nga Policia:

1 - Është shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes; 

2 – Është bërë njoftimi i spitalit;

3 - Është ngritur grupi hetimor; 

4 - Janë sekuestruar kamerat e lokalit; 

5 - Janë shoqëruar disa persona, që kanë qenë të pranishëm në momentin e ngjarjes; 

6 -Janë kryer të gjitha veprimet e para në vendngjarje, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e saj të plotë. 

Si rezultat i veprimeve profesionale të kryera nga grupi hetimor, të cilat janë të gjitha të dokumentuara dhe çdo i interesuar është i ftuar t’i shqyrtojë, u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i ngjarjes në kohë rekord. U identifikua dhe u arrestua autori, së bashku me tre shtetas të tjerë (këta të fundit për moskallëzim krimi) dhe materialet procedurale janë përcjellë në Prokurori për veprime të mëtejshme.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore që rezultuan me zbardhjen e ngjarjes dhe arrestimin e autorit të dyshuar, Drejtoria Vendore e Policisë Korçë dha njoftimin e saj zyrtar, që për arsye të natyrave të ndryshme u anashkalua, deformua dhe madje u mohua. 

U ftuan mediat dhe kushdo që ishte i interesuar për informacion mbi veprimtarinë e strukturave policore apo për ngjarjet e ndodhura në territorin e Qarkut Korçë, që t’i drejtohen Zyrës së Komunikimit me Median e Publikun në Drejtorinë Vendore të Policisë dhe jo t’u referohen burimeve jozyrtare. Nuk u paraqit askush, por u ngrit një tymnajë insinuatash, fabrikimesh dhe akuzash të neveritshme në adresë të Policisë së Shtetit. 

Policia e Shtetit nuk është as e përsosur dhe as e pagabueshme. Por baltosja e saj si në këtë rast është jo thjesht e pabazuar, po është e dënueshme moralisht dhe ligjërisht, sepse cenon integritetin dhe besueshmërinë e garantit të rendit publik. Dua të bëj me dije se, Policia e Shtetit do të ndërmarrë hapa ligjorë për të bërë deri në fund transparencë mbi shkaqet dhe qëllimet e përhapjes së këtij dezinformimi dhe keqinformimi të qëllimtë mbi rolin e saj në këtë ngjarje. 

Ngjarja dhe roli i Policisë së Shtetit në lidhje me të janë të qarta si drita e diellit dhe po e ritregoj bazuar vetëm mbi provat e faktet. 

Në lagjen nr. 1, Pogradec, gjatë një konflikti për motive të dobëta shtetasi D. M., 29 vjeç, dyshohet se jashtë ambienteve të një lokali është konfliktuar fizikisht me shtetasin E. P., 42 vjeç, i cili gjatë konfliktit fizik është rrëzuar në tokë pa ndjenja dhe për pasojë ka ndërruar jetë.

Veprimet e kryera nga struktura policore të angazhuara për hetimin e zbardhjen e ngjarjes:

•    Marrë njoftim mbi ngjarjen në orën 19:09;
•    Njoftuar e kërkuar ndihmë mjekësore për spitalin e Pogradecit, në orën 19:10;
•    Shërbimi policor është paraqitur në vendngjarje për 3 minuta;
•    Vendosur kufizimi dhe perimetri i sigurisë së vendngjarjes kriminale;
•    Ngritur grupi hetimor i specializuar, angazhuar drejtues të DVP Korçë, dhe struktura e posaçme për hetimin e vrasjeve;
•    Këqyrur e sekuestruar pajisjet e kamerave të sigurisë që mbulonin fushëpamjen e vendit të ndodhjes së ngjarjes së rëndë kriminale, pajisje që administrohen nga institucioni i Prokurorisë për ekzaminim.

Shtetasi D. M., 29 vjeç, pas konfliktit është larguar nga vendi i ngjarjes, por falë reagimit në kohë të Policisë u bë e mundur kapja dhe arrestimi i tij për veprën penale “Vrasja me dashje”.

E theksoj, “Vrasja me dashje”! 

Në vijim të veprimeve për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje, shërbimet e Seksioni për Krimet Kundër Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, arrestuan në flagrancë shtetasit:

V. S., 40 vjeç, A. M., 55 vjeç, dhe L. G., 47 vjeç, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Këta shtetas kanë qenë të pranishëm kur ka ndodhur ngjarja dhe nuk kanë kallëzuar krimin, duke penguar zbardhjen e së vërtetës. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.

Nëse Prokuroria ka kërkuar një masë tjetër nga ajo për të cilën Policia e Shtetit ka kryer arrestimin, kjo është një çështje që, as nuk na takon, as kemi tagrin ta komentojmë. Por të pretendohet dhe të propagandohet se, Policia e Shtetit tentoi ta fshihte ngjarjen apo të zbuste rëndesën e saj, kur ne ia kemi dorëzuar autorin e krimit drejtësisë në kohë rekord dhe me motivin “Vrasja me dashje”, kjo është e papranueshme, e pajustifikueshme dhe e patolerueshme.

Ftoj publikun dhe median të kenë besim te Policia e Shtetit, te punonjësit në çdo skaj të vendit, për punën dhe sakrificën e tyre që bëjnë për të garantuar rendin dhe sigurinë publike për qytetarët vendas, vizitorët dhe turistët, si dhe të shfrytëzojnë çdo mundësi për të marrë informacion zyrtar e të besueshëm.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:40
Rrahja dhe vdekja e Egli Progës në Pogradec, Brataj: Autoambulanca shkoi për 7 minuta në vendngjarje

 

Qendra kombëtare e Urgjencës ka verifikuar akuzat e familjarëve se ambulance kishte shkuar me vonesë në vendin ku u gjet Egli Proga më 10 gusht 2024

Sipas familjarëve ambulanca kishte shkuar 30 minuta me vonesë dhe nëse do të kishte shkuar më herët do të shpëtonte 42 vjeçari.

Por drejtori i Qendrës Kombëtare të Urgjencës në një konferencë për shtyp, Skënder Brataj pranë ambienteve të QKUM, tha se ambulanca kishte shkuar për 7 minuta dhe e gjitha në total situata është menaxhuar me kod të kuq traumatic për 20 minuta.

“Është parë kriticiteti i pacientit dhe është vendosur në auto ambulancë në orën 19:20 dhe është drejtuar drejt spitalit të Pogradecit. Rezulton që në 11 minuta nga ora 19:20 deri në 19:31 që ka mbërritur në spitalin e Pogradecit, pacienti është asistuar nga ekipi mjekësor, mjekë infermierë që i kanë bërë masazh dhe ventilim të pacientit. Na rezulton një total rreth 20 minuta i gjithë misioni nga kërkesa për ndihmë deri në përfundim të misionit të ekipit mjekësor. Ndërsa koha nga 19:11 minuta deri në 19:18 ekipi ka shkuar në vendngjarje për 7 minuta, në total për 20 minuta është menaxhuar misioni me një kod të kuq, traumatik i cili dihet dhe rezultati final i tij. Këto janë të dhënat nga verifikimi i qendërs mjekësore”, tha Brataj.

M.Q./E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • muslimani: 15/08/2024 03:35

    E pesofshi ne femijet e juaj,,,,si ti EDI RAMA,,DHE KY RRUMBULLAKU...NE KA ZOT..

    Përgjigju
  • Iris: 15/08/2024 01:58

    Rrumbullaku ofron si justifikim per /virgjerine/ e policise se Pogradecit,ate cfare ka ofruar policia e Pogradecit si prove, hetuesve qe kishte derguar ky.Po kush eshte ai njeri qe te inkriminoje veten?! Duhet nje video si ajo e Rajave qe Rrumbullaku te flase ndryshe,po ku te gjendet, se te gjitha videot e ngjarjes jane /pastruar/!

    Përgjigju
  • Aria: 14/08/2024 23:39

    Ky Rrumbullaku shume i pa futyre. Po si thua nuk gjobvenie. Ku e di ti we ska. Pastaj thua policia erdhi per 3 minuta. Viktima ndoshta ishte ennde gjalle. Pse nuk dha mdihmen e pare polici? Pae nuk kontrolloji a kishte pulse. Ose te ndalonte gjakderdhjen? Policat rrinin si hu gardhi. Verja si detyrim . Policat suhet te jene te trajnuar: se pari te shpetojn jetepastaj te ruajn rendin Shtet kot shtet i corrupted, shtet falls Edi rama krim8nel

    Përgjigju
  • ligji: 14/08/2024 14:50

    Futja kot. Lereni Gledis Nano te drejtoje policine.

    Përgjigju
  • Maloku: 14/08/2024 14:13

    Shyqyr qe iku Taulanti o Met dhe re rahat me ministrin e ri se ai sdi dhe sdo te flase kurr per asgje.

    Përgjigju
  • Ergi: 14/08/2024 13:00

    Ne vend te ngushellonte te pakten familjen, ashtu si dhe pykat e shumta nen kryepyken Rama edhe Meti u hakerrehet familjareve e kritikeve si "dezinformatore"!!! Dhe si kompetent pyke qe eshte e klasifikon te "castit" dhe "konflikt" nje sere veprimesh te paramemduara dhe ekzekutuara nga nje gangester tipik ramist. Kjo eshte dhe detyra e Metit, qysh dekada me pare, te mbuloje krimet dhe jape atyre pamjen qe te ndihmoje autoret e pushtetit te shtetit apo parase. Mjeshteria e tij eshte ne ksi raste eshte tipike, as Tonini Voce nuk ia kalon dot. Si ne rastin kur arrestoi e procedoi nje te pafajshem ne presion fiziko-psiqik per ti bere nder shokeve te Rafisen dhe xhepit te vet me vilen ilegale te qiradhene per ate banke. Epo le te ndjeke "dezinformatoret" madje ti kerkoje ndihme edhe shokut te rakise Flor Sulemanit.

    Përgjigju
    • Nostalgjiku: 14/08/2024 23:04

      Ah që jemi qarë kot nga "grupi i çiftelisë"! Këta të sotmit ta bëjnë gjyqin ditën që të kanë vrarë. Janë duke kërkuar si qen gjahu për ti gjetur "ndonjë cen në biografi" të motrës së viktimës

  • Tirane: 14/08/2024 12:15

    Vazhdon te fshihet ngjarja nga polica kapur nga mafja

    Përgjigju
  • Pgradeci: 14/08/2024 12:09

    Eh more Rrumbullak, i gjithe Pogradeci i njeh si gjobovensa dhe ti thua s`ka lidhje. C`fare inkurajimit te kjo kadegori e c`fare dekurajimi te popullata. Si mund te mbeshtetet bisnesi ne kete menyre dhe si mund te tjeret ne Shqiperi. Eh more Rrumbullak ate qe punon e ka nje bisnes to vogel ju e quani fakir. Njeriu qe shkoi meriton pak reespekt e dinjitet, ne qofte se ti arrin ta kuptosh.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç