Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit në Gjykatën e Apelit në Tiranë tronditi opinionin publik dhe shtroi debat për sigurinë në institucionet e drejtësisë, por edhe zvarritjen e çështjeve që kanë të bëjnë me pronësinë, si në rastin konkret. Ndërmjetësuesja Drita Avdyli, e ftuar në “Shtypi i ditës dhe ju” tha se është alarmante stoku dhe zvarritja e gjyqeve për pronësinë, gjë që sjell revoltim të qytetarëve.

“Njerëzit po bëjnë edhe vetëgjyqësi për shkak të moszbatimit të akteve ligjore, alarm për institucionin. Shteti po e sjell te siguria. Edhe siguria duhet, por them se është alarm për zgjidhje që duhet të jepen në çështjet e pronave. Prandaj iu drejtohem avokatëve dhe gjykatësve që ta zgjidhin me ndërmjetësim. Të gjithë palët në ndërmjetësim duhet të tolerojnë nga pak. Po te ishte marrë me ndërmjetësim, pra pronarët të kishin marrë një pjesë, 12 vite po ta kishin zhvilluar atë pronë, do të dilnin te vlera 100% reale që ka tani ajo pronë.”, tha ajo.

Bashkëfajtorë, në rastin në fjalë, tha ajo se janë edhe institucionet për shkak se kanë zvarritur çështjen. Sipas saj, raste të tilla është më mirë që të zgjidhen përmes ndërmjetësimit përpara se të kalohet në gjykatë.

“Institucionet duhet të jenë aktiv në dhënien e një vendimi. Ishte marrë urdhër ekzekutimi që përmbaruesit duhet ta kishin zbatuar. Është bashkëfajësi të shumë institucioneve. Iu drejtohem qytetarëve që nëse keni konflikt prone, duhet ta provojmë me ndërmjetësim sepse janë zgjidhje të shpejta. Janë zgjidhje alternative që kënaqin të gjithë palët, të pranueshme nga palët dhe që bëjnë që jo vetëm që të heqin gjithë mllefet, por të rregullojnë edhe marrëdhëniet midis palëve.”, shtoi ajo.