Vrasja e ish-kryeministrit japonez, jep dorëheqjen Drejtori i Policisë së Shtetit! Mban përgjegjësinë për mungesën e sigurisë

Vrasja e ish-kryeministrit japonez, jep dorëheqjen Drejtori i Policisë së Shtetit! Mban përgjegjësinë për mungesën e sigurisë

Itaru Nakamura

Shefi i policisë japoneze, Itaru Nakamura, njoftoi se ka kërkuar dorëheqjen nga posti, duke marrë përsipër përgjegjësitë rreth nivelit të sigurisë në lidhje me vrasjen e ish-kryeministrit Shinzo Abe në fillim të korrikut.

Këtë e bëri të ditur vetë Nakamura, shef i Agjencisë Kombëtare të Policisë, në konferencën për shtyp të mbajtur mëngjesin e 25 gushtit, mbi rezultatet e hetimit për mangësitë e sigurisë gjatë tubimit elektoral të mbajtur nga ish-kryeministri Abe në Nara.

"Kishte mangësi në planet e sigurisë dhe vlerësimet e rrezikut mbi të cilat ato bazoheshin, dhe direktivat nga komandanti në terren ishin të pamjaftueshme. Rrënja e këtij problemi qëndron në kufizimet e sistemit aktual, i cili ka vite që ekziston, dhe ku policia lokale mban përgjegjësinë e vetme për ofrimin e sigurisë," shtoi ai.

Nakamura tha se do të merrte përgjegjësinë për dështimet dhe do të largohej nga posti i tij si shef policie.

"Ne kemi vendosur të shkundim personelin tonë dhe të fillojmë nga e para me detyrat tona të sigurisë, dhe kjo është arsyeja pse unë i paraqita dorëheqjen time Komisionit Kombëtar të Sigurisë Publike sot," tha ai.

Një automjet që bartë trupin e ish-kryeministrit të ndjerë japonez Shinzo Abe, i cili u qëllua gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare, niset pas funeralit të tij në Tempullin Zojoji në Tokio, Japoni, 12 korrik 2022.

Abe u qëllua dhe u vra gjatë një takimi elektoral më 8 korrik në rajonin Nara. Vrasësi i tij u ndalua në vendngjarje dhe besohet se kishte shënjestruar Aben, sepse mendonte se ishte i lidhur me Kishën e Unifikimit. Ai ishte politikani më i njohur i Japonisë dhe kryeministri më jetëgjatë, por siguria ishte relativisht e ulët derisa ai mbajti një fjalim në një rrugë në rajonin perëndimor. Policia lokale në zonë ka pranuar tashmë të metat "e pamohueshme" lidhur me sigurinë e ish-udhëheqësit.

Burri i dyshuar për vrasjen e Abes, Tetsuya Yamagami, po i nënshtrohet një vlerësimi psikiatrik për të përcaktuar gjendjen e tij në kohën e atentatit. Prokurorët pritet të përcaktojnë nëse Yamagami mund të mbajë përgjegjësi penale në bazë të ekzaminimit, përpara se të marrin një vendim nëse do ta inkriminojnë atë.

Nëna e Yamagamit raportohet të ketë bërë donacione të mëdha për kishën, të cilën djali i saj e fajësoi për vështirësitë financiare të familjes. Familja e ish-kryeministrit Abe mbajti një funeral privat për të menjëherë pas vdekjes së tij, por po organizohet edhe një funeral shtetëror, me liderë nga e gjithë bota që pritet të marrin pjesë në ngjarjen e 27 shtatorit./REL

D.GJ/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Në arrati nga viti 2023, SPAK shtyn me 3 muaj hetimet për Arben Ahmetaj

Në arrati nga viti 2023, SPAK shtyn me 3 muaj hetimet për Arben Ahmetaj