Vrasja zyrtarit të lartë të OSHEE-së njëherazi dhe anëtarit të Këshillit Bashkiak në Mirditë Saimir Jaku ka marrë vëmendjen në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak të Mirditës ku këshilltarët kanë bllokuar punimet e tij duke kërkuar raportim për çështjen nga policia.
 
Pasi është mbajtur 1 minut heshtje në nderim të Jakut këshilltarët Gjon Pjetri dhe Arben Tusha kanë kërkuar bllokimin e mbledhjes së Këshillit Bashkiak, duke kërkuar prezencën e policisë për të dhënë shpjegime mbi atentatin që ndodhi pak ditë më parë në qendër të qytetit të Rrëshenit.
 
Ata e kanë konsideruar tepër të rëndë ngjarjen e ndodhur vetëm pak metra larg Komisariatit të Policisë, ndërsa sipas tyre autorët kanë vepruar pa u shqetësuar dhe ende nuk ka asnjë përson të ndaluar.
 
"Ajo çfarë i ka nodhur Saimir Jakut mund ti ndodhë çdo njërit prej nesh.Të vritet një përson publik në qendër të qytetit dhe vetem pak metra larg komisaritit të Policisë dhe autoret të largohet të qetë kjo më duket e pafalshme për policinë.Unë mendoj se jeta e qytetarëve është e pasigurtë në qytetin e Rrëshenit, pasi policia nuk po funksionon siç duhet.Unë kërkoj që kjo mbledhje të mos vijohet pa ardhur shefi i Komisaritit të Mirdites për të na dhënë shpjegime për atë çfarë ka ndodhur atë ditë në Rrëshen dhe pse autoret sot e kësaj dite as janë identifikuar as arrestuar" tha Këshilltari i PD-së Gjon Pjetri
 
Në të njëjtën linjë kanë qenë edhe anëtarë të tjerë të këshillit Bashkiak të Rrëshenit të cilët kanë kërkuar që të zbardhet vrasja e kolegut.
 
Mbledhja zgjati vetëm pak minuta dhe duke miratuar vetëm dy pika të rendit të ditës, pasi këshilltarët kërkuan prezencën e policisë për të dhënë shpjegime rreth ngjarjes.
 
Ish Drejori i OST-së në Veri Saimir Jaku u ekzekutua nga dy persona të maskuar teksa po pinte kafe në një lokal në qendër të qytetit të Rrëshenit. Edhe pse kanë kaluar më shumë se dy javë nga ngjarja që tronditi mbarë opinonin publik në Mirditë por edhe më gjerë ende nuk ka asnjë person të arrestuar nga policia.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)