Hetimet për vrasjen e Jani Aliajt në burgun e Koridhalos në Greqi, kanë marrë një 'kthesë' të papritur.
Për vrasjen e shqiptarit, u arrestua një i burgosur 28-vjeçar grek, Kristos Vardhuniotis i cili e pranoi autorësinë e krimit.
Pas vrasjes së Aliajt, 28-vjeçari kishte shkuar te shefi i rojeve, duke thënë se krimin e kishte kryer ai.
Por sipas mediave greke, autoritetet po shqyrtojnë mundësinë që vrasësi të jetë dikush tjetër.
Tashmë dyshohet se autori i vrasjes është një tjetër i dënuar 44-vjeçar shqiptar, i cili sapo ishte transferuar në burgun e Koridallos dhe ndodhej në qelinë ngjitur me atë të Aliajt.
Mediat greke nuk e kanë publikuar emrin e të dyshuarit, por Top Channel shkruan se bëhet fjalë për Xhuliano Halili.
Hetimet po përqendrohen te ky person, për shkak të faktit se edhe vetë 44-vjeçari ishte plagosur me thikë, një tregues se ndoshta ai është përleshur me viktimën.
Ngjarja e rëndë ndodhi në një sektor të burgut ku nuk ka kamera sigurie, në një moment kur institucioni funksiononte me regjim të hapur, duke u lejuar të burgosurve lëvizjen nga një ambient në tjetrin.
Jani Aliaj ishte dënuar me burgim të përjetshëm nga drejtësia shqiptare për vrasjen e Elton Çiços, krim i ndodhur më 1 maj 2016 në zonën e ish-Bllokut, në Tiranë.
Autoritetet shqiptare kishin nisur procedurat për ekstradimin e tij në Shqipëri, ku pritej të vuante dënimin e përjetshëm.
Komente












